Në Pekin po zhvillohet Panairi Ndërkombëtar i Tregtisë së Shërbimeve i Kinës. Në prag të 7-vjetorit të paraqitjes së nismës "Një brez, një rrugë", zhvillimi dhe ngritja e nivelit të tregtisë së shërbimeve midis Kinës dhe vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë" është bërë një fokus i pjesëmarrësve.

"Kjo verë është prodhuar në Gjeorgji. Kemi metoda unike të prodhimit të verës, sepse përdorim qyp qeramike. Shija e verës sonë është krejt e ndryshme", shpjegon një punonjës i ambasadës së Gjeorgjisë në Kinë. Ai gjithashtu u shpreh vizitorëve kinezë në panair mirëpritjen për të bërë turizëm në vendin e tij pas epidemisë, për të shijuar kulturën dhe produktet vendore.

Vitet e fundit, tregtia e shërbimeve midis Kinës dhe vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë" ka pasur një zhvillim të vrullshëm. Mirëpo shpërthimi i pandemisë së COVID-19 ka goditur rëndë sektorët tradicionalë të tregtisë së shërbimeve, si turizmi, transporti etj.

Në panairin e sivjetshëm rigjallërimi i sektorit të shërbimeve tradicionale është vënë në qendër të vëmendjes së qarqeve të ndryshme. Shumë ndërmarrje të vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë" dëshirojnë që nëpërmjet pjesëmarrjes në këtë veprimtari, të dalin sa më parë nga vështirësia. Zv.presidentja e marketingut dhe e shitjeve e kompanisë turistike singaporase "Resorts World Sentosa", znj. Wang Jing, u shpreh se firma e saj e çmon shumë mundësinë e pjesëmarrjes në këtë panair.

"Me vënien në kontroll efektiv të epidemisë në Kinë gjatë disa muajve të fundit, po shtohet optimizmi i sektorit turistik në Kinë. Sinjalet pozitive që po lëshohen njëri pas tjetrit, si rifillimi i turizmit ndërmjet provincave, e kanë shtuar besimin tonë", sqaroi znj. Wang.

Gjatë pandemisë, tregtia e shërbimeve të reja ka shfaqur gjallëri të fortë dhe një perspektivë të mirë. Shërbime si mësimdhënia e tregtia ndërkufitare në internet, puna e shërbimet mjekësore në distancë në internet, pagesa nëpërmjet platformave elektronike etj., kanë pasur rezultate të spikatura.

Vitet e fundit, Qendra Financiare Ndërkombëtare e Abu Dhabit të Emirateve të Bashkuara Arabe ka marrë pjesë aktivisht në projektet e ndërtimit të përbashkët të nismës "Një brez, një rrugë". Qendra e saj e transaksioneve me RMB jashtë vendit po ofron shërbime financiare për ndërmarrjet kineze në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.

"Ne dëshirojmë të ndërtojmë një urë, duke u shndërruar në një qendër të investimeve e të financimit përgjatë 'Një brez, një rrugë' që mbulon Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore. Nga një perspektivë afatgjatë, shpresojmë se edhe më shumë ndërmarrje të këtyre rajoneve do të bëjnë biznes në Kinë në fushat e investimeve inovative dhe tregtisë financiare", tha z. Fu Chenggang, kryepërfaqësuesi i Qendrës Financiare Ndërkombëtare të Abu Dhabit për rajonin e Kinës.

Zv.kryetari i Këshillit për Nxitjen e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës Zhang Shenfeng është i mendimit se vendet e ndryshme duhet të përmirësojnë mjediset e biznesit, duke ngritur nivelin e lehtësimit dhe të liberalimit të tregtisë së shërbimeve, për të dhënë ndihmesë më të madhe në nxitjen e zhvillimit novator dhe të ndërtimit cilësor në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë".