Provincat dhe rajonet në mbarë Kinën po forcojnë inspektimet e sigurisë në porte, parqet e industrisë kimike dhe depo.

Masa të tilla janë të nevojshme sidomos gjatë verës, kur ka më shumë gjasa të ndodhin zjarre të mëdha dhe shpërthime.

Autoritetet kineze po kryejnë kontrolle intensive në vendet ku mbahen lëndë djegëse ose shpërthyese.

Punishtet e prodhimit dhe depot e tyre janë objektivat parësorë.

Numri i këtyre materialeve të rrezikshme të depozituara po kontrollohet dhe po testohet aftësia zjarrfikëse në vendet e ruajtjes së tyre.

Zhang Zhitao, nga stacioni i zjarrfikësve në Jinyang të provincës Gansu, thotë:

"Ne do të mbledhim më shumë informacion të saktë e të veçantë për ndërmarrjet që merren me produkte të rrezikshme kimike. Do të sigurohemi që të njohim mirë funksionimin dhe ecurinë e tyre."

Gjithashtu janë duke u kryer inspektime të rastësishme në depot e lëndëve djegëse dhe shpërthyese në kantieret e ndërtimit. Prodhuesit dhe operatorët janë të detyruar të marrin aty masa të rrepta, si sigurimi i ventilimit të mirë, temperaturës së përshtatshme dhe pajisjeve cilësore.

Zhang Baolin nga një kompani kimike në provincën Sichuan thotë se ata nuk do të ulin kërkesat për sigurinë dhe vetëdijen në asnjë rrethanë:

"Depoja jonë është projektuar në përputhje me standardet kombëtare dhe është e pajisur me detektorë të gazit të djegshëm. Produktet këtu janë të ruajtura në kategori e zona të ndryshme dhe në sasi të kufizuar."

Në Kinë kërkohet një leje shtetërore për të prodhuar, trajtuar ose transportuar lëndët shpërthyese dhe ndalohet që lëndët e rrezikshme të ruhen në sasi të tepërt ose të kategorizohen gabimisht në mënyrë të përzier.