Qarqet e ndryshme në Hong-Kong dënuan të shtunën të ashtuquajturat sanksione amerikane kundër krerëve të agjencive qeveritare kineze, përgjegjëse për çështjet e Hong-Kongut, dhe zyrtarëve të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, duke thënë se një masë e tillë nuk ka bazë e përbën një ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës.

Në një deklaratë të publikuar nga Aleanca Demokratike për Zhvillimin e Përparimin e Hong-Kongut thuhet se akuzat e qeverisë amerikane kundër këtyre zyrtarëve janë krejtësisht të pabaza dhe arbitrare.

Aleanca theksoi se çdo vend ka të drejtë të ruajë sovranitetin, sigurinë dhe integritetin e vet territorial. Të gjitha sferat e jetës në Hong-Kong e kanë mirëpritur miratimin e Ligjit të Republikës Popullore të Kinës për ruajtjen e Sigurisë Kombëtare në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut dhe kanë shprehur vlerësim për vendosmërinë e qeverisë qendrore dhe autoriteteve të Hong-Kongut për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të parimit "Një vend, dy sisteme".

Federata e Sindikatave e Hong-Kongut protestoi ashpër kundër sanksioneve të qeverisë amerikane ndaj zyrtarëve kinezë dhe dënoi ashpër ndërhyrjen e qeverisë amerikane në punët e brendshme të Kinës.

Në një deklaratë të kësaj federate thuhet se ligji i sigurisë kombëtare në Hong-Kong ndaloi menjëherë dhe në mënyrë të efektshme veprimet e dhunshme në Hong-Kong, rivendosi rendin shoqëror dhe mbrojti sigurinë e njerëzve, duke i dhënë mundësi qeverisë së Hong-Kongut të bëjë punën antiepidemike.

Sekretarja për Drejtësinë e Hong-Kongut Teresa Cheng tha se sanksionet e paligjshme të vendosura nga ShBA-ja e ka forcuar më tej besimin e saj në ruajtjen e sigurisë kombëtare. Me mbështetjen e fortë të atdheut për Hong-Kongun, ky vendim i qeverisë amerikane është i kotë.

Sekretari për Tregtinë dhe Zhvillimin Ekonomik i Hong-Kongut Edward Yau tha se veprimet e paarsyeshme të palës amerikane do të ndikojnë patjetër në marrëdhëniet midis Hong-Kongut të Kinës e ShBA-së. (Çang Çuo)