1 gushti i sivjetshëm është 93-vjetori i themelimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës. Në një koment të CMG-së thuhet se gjatë 93 vjetëve, nën drejtimin e Partisë Komuniste të Kinës, ushtria kineze ka arritur rezultate në mbrojtjen e pavarësisë kombëtare, çlirimin e vendit dhe themelimin e Kinës së Re. Ajo ka dhënë kontribut për mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë e interesave të zhvillimit dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në botë.

Si një ushtri që lindi në luftë, ushtria kineze është ushtri popullore dhe shërbimi ndaj popullit është parimi bazë i saj.

Gjatë 93 vjetëve, ushtria kineze nuk ka harruar misionin e vet fillestar, duke u bërë mbrojtëse e fortë e popullit kinez. Në fillim të këtij viti, përballë epidemisë së papritur të koronavirusit të ri, ushtria kineze dërgoi forcat e veta më të mira mjekësore në Wuhan. Gjatë kësaj periudhe, ushtria kineze çoi një personel mjekësor prej mbi 4 mijë vetash për të marrë pjesë në luftën kundër epidemisë në Wuhan.

Pas kontrollimit të epidemisë, në krahina të ndryshme të Kinës Jugore shirat e mëdha të vazhdueshme kanë shkaktuar përmbytje. Trupat e ushtrisë kineze përsëri shkuan në vijën e parë, duke u bërë mbështetje e masave popullore në zonat e prekura nga fatkeqësia.

Trupat kineze vijojnë të jenë forca të rëndësishme për ruajtjen e paqes. Sivjet është 30-vjetori i pjesëmarrjes së Kinës në misionet paqeruajtëse të OKB-së. Deri tani, trupat kineze kanë marrë pjesë në 26 veprime paqeruajtëse të OKB-së. Kina ka dërguar më shumë se 40 mijë ushtarakë paqeruajtës, ndër të cilët mbi 10 kanë dhënë jetën për çështjet paqeruajtëse. Përveç kësaj, trupat kineze kanë marrë pjesë edhe në mbrojtjen e lundrimit në Gjirin e Adenit, luftën ndaj epidemisë së ebolës etj.

Përballë fakteve, nuk kanë bazë shpifjet e sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo në Bibliotekën “Nixon” se ushtria kineze është "një mjet i qeverisë për të kontrolluar botën" dhe "jo për të mbrojtur njerëzit". Ushtria kineze mbron paqen e popullit kinez dhe ruan paqen dhe stabilitetin botëror, dhe ky është një mendim i përbashkët i komunitetit ndërkombëtar. Pompeo dhe të tjerë si ai janë zhytur në ëndrrat e hegjemonizmit e të unilateralizmit, prandaj s'mund ta kuptojnë ushtrinë kineze. Shpifjet ndaj ushtrisë kineze janë shumë qesharake.

Në komentin e CMG-së thuhet se tani bota po pëson ndryshime të mëdha. Ushtria kineze do të zbatojë misionin e saj fillestar dhe do të zhvillohet, me qëllim që të bëhet ushtri e nivelit më të lartë botëror. Ushtria kineze do të ruajë sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit kombëtar, do të mbrojë interesat e popullit dhe do të japë kontribut më të madh për paqen në botë dhe krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit. (Çang Çuo)