Për shkak të përkeqësimit të epidemisë së COVID-19, kryeekzekutivja e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut Carrie Lam shpalli të premten shtyrjen e zgjedhjeve për Këshillin e 7-të Legjislativ të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut. Qeveria qendrore kineze shprehu përkrahje për marrjen e këtij vendimi nga kryeekzekutivja dhe Këshilli Legjislativ në përputhje me ligjin dhe sipas situatës aktuale.

Në një koment të CMG-së thuhet se ky është një vendim i veçantë në një kohë të veçantë dhe tregon se qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut e vë sigurinë dhe shëndetin e banorëve në vend të parë. Vendimi përputhet me praktikat ndërkombëtare dhe mbron sigurinë e jetës e të shëndetit të banorëve të Hong-Kongut dhe garanton sigurinë dhe drejtësinë e zgjedhjeve të Këshillit Legjislativ.

Qysh nga fillimi i korrikut, epidemia e koronavirusit të ri në Hong-Kong është rigjallëruar. Ndalimi i shpejtë i përhapjes së epidemisë është detyra më urgjente.

Ka shenja të ndryshme që demonstratat e paligjshme të njëpasnjëshme të opozitës hongkongase dhe të ashtuquajturat "zgjedhje parësore" e veprimtari të tjera lidhen drejtpërdrejt me intensifikimin e papritur të epidemisë në Hong-Kong. Duke mos marrë parasysh sigurinë e jetës së qytetarëve, opozita ka organizuar shumë herë tubime për interesa politike, duke krijuar problemin më të madh në luftën kundër epidemisë. Kur opozita mbajti të ashtuquajturat "zgjedhje parësore" më 11 dhe 12 korrik, kishte shumë raste të konfirmuara në shumë distrikte të Hong- Kongut, por opozita përsëri këmbënguli, duke ngritur më shumë se 250 "qendra votimi" në Hong-Kong. Një prej tyre ishte pikërisht përballë Qendrës së Syve “Tuen Mun”. Radhët e "votimit" shkaktuan kontaktin e ngushtë të qytetarëve. Disa ditë më vonë, tre veta në Qendrën e Syve “Tuen Mun” u diagnostikuan me koronavirusin e ri. Kjo ekspozoi faktin se opozita luajti me të drejtat e jetës dhe shëndetit të qytetarëve të Hong- Kongut.

Sipas rezultateve të një sondazhi telefonik në Hong-Kong me banorë mbi 18 vjeç, 55 % e të intervistuarve u shprehën se "pajtohen fuqimisht" ose "pajtohen disi" me shtyrjen e zgjedhjeve.

Sipas nenit 241 "Urdhri i rregullave të emergjencës" të Ligjit Themelor të Hong-Kongut, kryeekzekutivi dhe Këshilli Legjislativ mund të hartojnë çdo rregullore që përputhet me interesat e publikut në raste emergjence ose situata që rrezikojnë sigurinë publike.

Sipas statistikave, deri në mesin e korrikut, të paktën 70 vende ose rajone të botës i kanë shtyrë zgjedhjet për shkak të epidemisë. Për shembull, zgjedhjet vendore në Angli fillimisht ishin planifikuar të mbaheshin në maj, duke qenë zgjedhjet e para pas “Brexit”-it. Por, për të shmangur përshkallëzimin e situatës epidemike, Anglia vendosi në mars t’i shtyjë këto zgjedhje për një vit.

Në komentin e CMG-së thuhet se, në situatën emergjente të epidemisë, vendimi i marrë nga qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut për shtyrjen e zgjedhjeve të Këshillit Legjislativ është i përgjegjshëm për jetën dhe shëndetin e banorëve dhe përputhet me dëshirat e qytetarëve. Ai është i ligjshëm dhe tregon respekt për shkencën. Ky vendim nuk do të ndikojë në funksionimin normal të organeve të qeverisë të Rajonit të Posaçëm, dhe as nuk do të cenojë të drejtat dhe liritë demokratike që gëzojnë qytetarët e Hong-Kongut sipas ligjit. (Çang Çuo)