Xi Jinping, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, e ka vënë theksin te modernizimi i mbrojtjes dhe të forcave të armatosura të vendit.

Xi i tha këto në një seancë studimi në grup të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës për forcimin e modernizimit të mbrojtjes së vendit dhe të forcave të armatosura, e cila u mbajt të enjten.

Xi u shpreh se, për zhvillimin e socializmit me karakteristika kineze dhe për rilindjen kombëtare, duhen garantuar si zhvillimi, edhe siguria, dhe duhet të bëhen përpjekje që zhvillimi i vendit dhe forcimi i ushtrisë të ecin paralelisht.

Modernizimi i mbrojtjes kombëtare e forcave të armatosura duhet të ecë në të njëjtin hap me procesin e modernizimit të vendit dhe aftësitë ushtarake duhet të përshtaten me nevojat strategjike të Kinës, tha Xi.

Ai shtoi që PKK-ja është përpjekur gjithmonë për forcimin e mbrojtjes kombëtare dhe forcave ushtarake, dhe ka arritur rezultate të rëndësishme në këtë drejtim.

Sivjet Kina do të përmbushë objektivat dhe misionet e fuqizimit të mbrojtjes së vendit dhe forcave të armatosura për vitin 2020, dhe do të fillojë fazën e re të arritjes në thelb të modernizimit të mbrojtjes dhe forcave të armatosura, dhe ushtria kineze do të shndërrohet në ushtri të nivelit botëror, tha Xi.

Ai theksoi gjithashtu se bota sot po pëson ndryshime të thella e të shpejta të papara në një shekull, duke shtuar se pandemia e COVID-19 po ushtron një ndikim të gjerë në mjedisin ndërkombëtar dhe se situata e sigurisë në Kinë përballet me më shumë faktorë të pasigurt dhe destabilizues.

Ai bëri thirrje për një ndjenjë më të fortë misioni e urgjence dhe më shumë përpjekje për të arritur përparime në modernizimin e ushtrisë kineze.

Xi e vuri theksin te zbatimi i udhëzimit strategjik ushtarak për epokën e re, hartimi i planit të 14-të pesëvjeçar (2021-2025) për forcimin e ushtrisë, krijimi i një programi shkencor dhe kultivimi e një lloji të ri të talentit ushtarak të nivelit të lartë dhe profesionist. (Çang Çuo)