Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha të enjten në një konferencë shtypi në Pekin se kohët e fundit, Kina dhe Evropa kanë pasur shkëmbime të ngushta të nivelit të lartë gjë që tregon vendosmërinë politike dhe aftësinë vepruese të dy palëve për konkretizimin e konsensusit të rëndësishëm të arritur në takimin e 22-të të liderëve të Kinës dhe të Bashkimit Evropian. Këto shkëmbime do të japin kontribut për paqen, zhvillimin dhe lulëzimin global pas pandemisë.

Wang theksoi se Kina dhe Evropa janë dy fuqi botërore, dy tregje të mëdha dhe dy qytetërime të lashta, prandaj propozimet, kundërshtimet dhe bashkëpunimi i tyre kanë rëndësi botërore.

“Pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19, Kina dhe Evropa kanë mbështetur njëra-tjetrën dhe kanë ruajtur shkëmbim e bashkëpunim të ngushtë. Në të ardhmen, dy palët do të nxitin më tej edhe bashkëpunimin në shumë fusha si dhe shkëmbime të nivelit të lartë. Pala kineze është e gatshme të punojë bashkërisht me palën evropiane në bazë të respektit reciprok dhe të kërkimit të të përbashkëtave duke lënë mënjanjë mosmarrëveshjet, duke mbajtur shkëmbim dhe bashkërendim të ngushtë, për të nxitur partneritetin e gjithanshëm strategjik kino-evropian në një nivel të ri dhe për dhënien e kontributit për paqen, zhvillimin e lulëzimin global në kohën pas pandemisë.”

Kohët e fundit, dy zv.kryeministrat kinezë Han Zheng dhe Liu He zhvilluan videokonferencë përkatësisht me nënkryetarin e parë të BE-së Frans Timmermans dhe nënkryetarin Valdis Dombrovskis dhe drejtuan bashkërisht dialogun e 8-të kino-evropian të nivelit të lartë për ekonominë e tregtinë. Palët arritën shumë unanimitete e rezultate në nxitjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar si dhe në fushën e gjelbër. Edhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi zhvilloi biseda telefonike dhe videokonferenca me homologët francezë, gjermanë e italianë. Njëkohësisht, pati përparime të dukshme edhe në raundin e 31-të të bisedimeve kino-evropiane mbi marrëveshjen e investimeve. Wang Wenbin tha se shkëmbimet e sipërpërmendura tregojnë se thelbi i marrëdhënieve kino-evropiane është partneriteti dhe bashkëpunimi. (Wang Lei/Albana)