Fjalimi i ditëve të fundit i sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo në Bibliotekën e “Nixon”-it, u përshkrua nga shumë media amerikane si “deklaratë për Luftën e re të Ftohtë”. Marrëdhëniet kino-amerikane konsiderohen si marrëdhëniet më të rëndësishme në botën e sotme, por pse politikanë amerikanë, me në krye Mike Pompeo, kanë dëmtuar herë pas here këto marrëdhënie, që kishin qenë të ngushta? Cilat orvatje fshihen prapa veprimtarisë së tyre?

Qysh nga viti 2017, qeveria amerikane ka zbatuar unilateralizmin dhe proteksionizmin. Nga njëra anë, ajo u tërhoq nga shumë organizata ndërkombatare dhe nga ana tjetër, nisi fërkimet tregtare me Kinën, duke ngritur shumë taksat doganore ndaj mallrave të importuar nga Kina, bojkotoi ndërmarrjet teknologjike kineze dhe nxiti kundërvënien. Megjithatë, një sërë dredhish të palës amerikane nuk arritën rezultatin e parashikuar, përkundrazi, si ekonomia e dytë e madhe në botë, Kina ka përmirësuar më tej zinxhirin e furnizimit e strukturën ekonomike dhe pozicioni i saj në tregtinë botërore është bërë i palëkundur. Është e dukshme se lufta tregtare e nisur nga ShBA-ja ishte llogari e gabuar.

Ndërkohë, ShBA-ja fabrikoi incidentet në Hong-Kong, nën pretekstin e të drejtave të njeriut. Kur turmat e dhunshme sulmuan policë në Hong-Kong dhe prishën rendin publik, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi e quajti “Panoramë e bukur”. Por në maj, kur në mbarë ShBA-në shpërthyen protesta kundër dhunës së policëve, që shkaktoi vdekjen e afro-amerikanit George Floyd, politikanët amerikanë propozuan nxjerrjen e ushtrisë në rrugë.

Gjatë pandemisë së COVID-19 këtë vit, politikanët amerikanë nuk përballojnë dot sfida të shumta të gjendjes epidemike, por fajësojnë Kinën dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, të cilat kanë bërë përpjekje dhe kanë dhënë kontribut në luftën kundër pandemisë. Tani, gjendja epidemike në ShBA është ende e ashpër, ndërsa bashkëpunimi ndërkombëtar në këtë drejtim nuk shkon mirë.

Kohët e fundit, ShBA-ja hodhi një gur të ri shahu, luftën diplomatike kundër Kinës, duke i kërkuar palës kineze të mbyllte konsullatën e përgjithshme në Houston brenda 72 orëve. Si kundërmasë, pala kineze shpalli heqjen e lejes së krijimit e funksionimit të konsullatës së përgjithshme të ShBA-së në Chengdu të Kinës.

Është e parashikueshme se me acarimin e gjendjes epidemike dhe afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme në ShBA, politikanët amerikanë, që kanë vënë në plan të parë interesat partiake dhe politikën elektorale, me siguri do ta fajësojnë Kinën vazhdimisht dhe në mënyrë më të egër, duke zmadhuar atmosferën e “Luftës së Ftohtë”, sepse në fjalorin e tyre nuk ekziston askund interesi i popullit, që duhet të jetë në qendër të punës.