Kina nisi të enjten një sondë pa astronaut në Mars dhe synon të përfundojë në një mision të vetëm orbitimin, zbarkimin dhe ecjen.

Sonda u nis nga raketa mbartësja më e madhe e Kinës, Marshimi i Madh dhe u lëshua nga Qendra e Lëshimit Hapësinor Wenchang në provincën ishullore Hainan.

Rreth 36 minuta më vonë, mjeti hapësinor që përfshin edhe një orbitër dhe një rover, u dërgua në orbitën e transferimit Tokë-Mars.

Sonda pritet të mbërrijë në Mars në shkurt dhe do të përpiqet të vendosë një rover për të eksploruar Planetin e Kuq për 90 ditë.

Kjo shënon fluturimin e dytë për në Mars këtë javë, pasi një orbitër i Emirateve të Bashkuara Arabe u lëshua të hënën me një raketë japoneze. ShBA-ja gjithashtu ka në plan të nisë javën e ardhshme roverin e saj në Mars, “Perseverance”. (Albana)