Presidenti kinez Xi Jinping organizoi të martën një simpozium me sipërmarrësit në Pekin, ku mbajti një fjalim të rëndësishëm. Ai theksoi se që nga Reforma dhe Hapja, Kina ka krijuar gradualisht dhe ka përmirësuar vazhdimisht sistemin e ekonomisë socialiste të tregut. Sistemi i tregut ka vazhduar të zhvillohet dhe subjekte të ndryshme të tregut janë rritur fuqishëm. Epidemia e COVID-19 ka pasur një ndikim të madh mbi ekonominë e Kinës dhe ekonominë botërore, dhe shumë subjekte të tregut në Kinë po përballen me një presion të paparë. Aktorët kryesorë të tregut janë bartës të fuqisë ekonomike dhe mbrojtës të produktivitetit shoqëror. “Ne duhet të bëjmë gjithçka është e mundur për të mbrojtur subjektet e tregut, të stimulojmë gjallërinë e tyre, të nxitim ndërmarrjet të luajnë një rol më të madh në arritjen e një zhvillimi më të mirë dhe të grumbullojnë forca themelore për zhvillimin ekonomik,” tha presidenti Xi.

Në fjalimin e vet të rëndësishëm, të mbajtur pasi dëgjoi me vëmendje fjalën e të gjithë pjesëmarrësve, Xi Jinping-u theksoi gjithashtu se, falë përpjekjeve të përbashkëta të tërë vendit, parandalimi dhe kontrolli i epidemisë në Kinë ka arritur rezultate të mëdha strategjike, dhe zhvillimi i saj ekonomik ka treguar një përmirësim të qëndrueshëm. Kina është në ballë të botës në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike, dhe situata është më e mirë sesa pritej. “Ne duhet të forcojmë besimin tonë, të përpiqemi të kompensojmë humbjet e shkaktuara nga epidemia dhe të përpiqemi për një zhvillim të mirë ekonomik përgjatë gjithë vitit”, tha ai.

Xi Jinping-u theksoi se në mjedisin e tanishem të jashtëm me rritje të proteksionizmit, rënie të ekonomisë botërore dhe tkurrje të tregjeve globale, Kina duhet t’i përqendrojë përpjekjet në bërjen e punëve të veta, duke shfrytëzuar plotësisht rolin dhe epërsinë e tregut të brendshëm si një treg gjigant, duke formuar modelin e ri të zhvillimit me ciklin e brendshëm si kryesor dhe ciklin e jashtëm si plotësues. Kina duhet të përmirësojë modernizimin e zinxhirit industrial dhe zinxhirit të furnizimit, të promovojë me forcë inovacionin teknologjik, të përshpejtojë studimin mbi teknologjitë kryesore dhe të krijojë epërsi të reja për zhvillimin e ardhshëm. Trajtimi i ciklit të brendshëm si kryesor nuk do të thotë aspak funksionim me dyer të mbyllura, por shfrytëzim i potencialit të kërkesës së brendshme për të lidhur më mirë tregun e brendshëm me tregun ndërkombëtar, dhe për të përdorur më mirë burimet e tyre për të arritur një zhvillim më të fortë e më të vazhdueshëm ekonomik.