Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi ka propozuar shtimin e bashkëpunimit antiepidemik të Kinës me vendet arabe. Duke folur të hënën në Forumin e 9-të të Bashkëpunimit Kinë-Vendet Arabe, ai tha se dokumentet e arritura, si deklarata e përbashkët për solidaritetin përballë epidemisë, planin e zbatimit të veprimeve etj., kanë shfaqur vullnetin e vendosur të të dy palëve në betejën kundër pandemisë me mbështetje të ndërsjellë e fate të përbashkëta, duke ndriçuar rrugën e përparimit me bashkëpunim konkret dhe zhvillim të përbashkët.
Ministri i Jashtëm kinez tha se Kina do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me palën arabe në parandalimin e kontrollin e epidemisë, prodhimin e vaksinave, mbrojtjen e multilateralizmit, ruajtjen e rolit kyç të OBSh-së, kundërshtimin e stigmatizimit nën pretekstin e virusit dhe politizimin e epidemisë, për të dhënë kontribut për fitoren në luftën antiepidemike globale.

Në fjalimin e tij, ministri Wang e falënderoi palën arabe për përkrahjen ndaj ligjit për mbrojtjen e sigurisë kombëtare në Hong-Kong dhe ndaj përpjekjeve parandaluese dhe çradikalizuese të Kinës. Gjithashtu,ai theksoi se Kina do t’i mbështesë vendet arabe në mbrojtjen e stabilitetit e sigurisë kombëtare dhe në zgjedhjen e rrugës së pavarur të zhvillimit, duke përkrahur e palëkundur kauzën e drejtë të Palestinës dhe duke luajtur një rol konstruktiv për nxitjen e paqes dhe të qëndrueshmërisë rajonale.
Kryediplomati kinez vuri në dukje gjithashtu se Kina dhe vendet arabe do të ndërtojnë bashkësinë e fateve të përbashkëta për të ngritur pandërprerë nivelin e marrëdhënieve dypalëshe, nëpërmjet arritjes së më shumë mendimeve unanime në fushat e tregtisë, energjetikës, teknologjisë, kulturës, investimeve dhe shkëmbimeve njerëzore.
(Zhang Yan)