Në një raport botuar nga Fondacioni i Kërkimeve për Zhvillim thuhet se Kina do   të bëhet një shoqëri në plakje në dy vitet e ardhshme ku një në 7 vetë në vend   do të jetë 65 vjeç e sipër.

Një "shoqëri në plakje" përcaktohet nga   Kombet e Bashkuara si një vend ku mbi 14 për qind e popullsisë është mbi moshën   65 vjeç.

Të dhënat nga Drejtoria Kombëtare e Statistikave tregojnë se në   vitin 2000, përqindja e kësaj grupmoshe në Kinë ishte shtatë, ndërsa ajo u rrit   në 12 për qind në vitin 2018.

Të rinjtë nën 14 vjeç ishin 23 për qind në   vitin 2000, por ky numër ra në 17 për qind në vitin 2018.

Shkalla e   lindshmërisë e Kinës ra në pikën e saj më të ulët në gati shtatë dekada vitin e   kaluar dhe numri i të porsalindurve ra me 580 mijë.
Profesor Wang Weilong nga   Departamenti i Sigurimeve Shoqërore të Universitetit të Ekonomisë dhe Financave   në Guangdong adresoi ndikimet negative të pasjes së një popullsie në   plakje.

"Para së gjithash, madhësia e fuqisë punëtore do të ulet dhe   shkalla e të moshuarve që kërkon kujdesje do të rritet. Së dyti, do të tendoset   më tej furnizimi i shërbimeve pensionale. Së fundmi, mund të ndryshojnë kursimet   dhe struktura e shpenzimeve të vendit, pasi të moshuarit kanë prirje të   konsumojnë më pak se të rinjtë".

Profesori shton se popullsia në plakje   po e shtyn vendin të përmirësojë sistemin e shërbimit social për të   moshuarit.

"Shërbimi i pensioneve duhet të përqendrohet më shumë në   planifikimin për të ardhmen, për të mbuluar të gjithë ciklin e jetës së një   personi. Ndërkohë, duhet t'i kushtojmë vëmendje si nevojave materiale ashtu edhe   atyre shpirtërore të të moshuarve për të përmirësuar cilësinë e jetës së   tyre."

Kina gjithashtu nxorri një plan afatgjatë vitin e kaluar për t'iu   përgjigjur problemit të një popullsie në plakje.

Vlerësohet se prej mesit   të këtij shekulli, njerëzit e moshës 65 vjeç e lart mund të përbëjnë rreth 30   për qind të popullsisë në Kinë. (Albana)