Ambasadori Selim Belortaja duke përshëndetur konferencën

Ambasadori Selim Belortaja duke përshëndetur konferencën

Shoqata e Botuesve Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore zhvilloi më 15 shtator në Pekin Forumin online dhe me prani fizike “Thellimi i bashkëpunimit me përfitim reciprok në fushën e botimeve dhe promovimi i shkëmbimeve me përfitim të ndërsjellë mes civilizimeve"

Forumin e përshëndeti ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kinë, zoti Selim Belortaja, i cili ndër të tjera tha se “ Marrëdhëniet kulturore, artistike, akademike dhe botuese dypalëshe rezultojnë të jenë më solidet krahasuar me çdo fushë tjetër. Qysh nga viti 2015 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Përkthimit dhe Botimit të 50 librave Shqipëri-Kinë ne i hapëm rrugën projektit më të madh bashkëpunues Shqipëri-Kinë në fushën e botimeve. Sot shohim me kënaqësi se si bashkëpunimi midis botuesve shqiptarë “Dituria”, “Ombra” dhe “Onufri” me botuesit kinezë në konsulencë me profesorë të Universitetit të Pekinit, profesores Ke Jing dhe profesores së asociuar Chen Fenghua si dhe me kontributin e sinologut shqiptar Iljaz Spahiu ky projekt përkthimi ka shënuar një progres”

Më tej ambasadori Belortaja u ndal te veprat e përkthyera dhe promovimin e tyre në panairet në të dy vendet. Ai e quajti këtë sipërmarrje si një dritare për të kuptuar traditat kulturore dhe karakteristikat kombëtare të të dy vendeve tona. Po kështu ai përmendi dhe organizimin dypalësh të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore “Marrëdhëniet Kinë-Shqipëri, tradita, gjendja dhe perspektiva”, në kuadër të 70 vjetorit të themelimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Ai vlerësoi dhe përkthimet nga pala kineze të veprave nga letërsia shqipe.

Ambasadori iu drejtua Forumit online me vlerësimin se “Në sajë të këtij projekti po shtohen shqiptarët që lexojnë libra të autorëve kinezë, si dhe po përhapen më gjerësisht veprat shqipe në Kinë. Me gjithë pengesat prej pandemisë këto dy vitet e fundit bashkëpunimi ynë në fushën e botimeve ka ecur përpara, duke hyrë në një faze të re zhvillimi. Unë shpresoj dhe besoj fort që ky projekt do të sjellë botime të reja cilësore, duke thelluar më tej njohjen reciproke midis dy popujve tanë”

Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë Petrit Ymeri

Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë Petrit Ymeri

Ndërsa presidenti i Shoqatës së Botuesve shqiptarë Petrit Ymeri u ndal më gjerësisht në botimet dhe përkthimet në gjuhën shqipe të veprave letrare, historike, sociologjike, filozofike, politike dhe të letërsisë për fëmijë. Ai paraqiti një panoramë të 30 botimeve nga shtëpitë botuese “Dituria”, “Onufri” dhe “Ombra”, bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit midis Shoqatës së Botuesve Shqiptarë që ai kryeson dhe Administratës kineze të Botimeve, Shtypit, Radios dhe Televizionit, i cili startoi në vitin 2015.

Petrit Ymeri në fjalën e tij në Forum theksoi se “Ky bashkëpunim ka filluar të mbushë një boshllëk të madh në botimet shqiptare, duke u dhënë lexuesve mundësinë të njihen me letërsinë kineze, historinë, mendimin filozofik kinez dhe librat për fëmijë. Jemi informuar nga partneri ynë kinez i botimeve në gjuhë të huaja se ata kanë botuar në kinezisht 5 tituj shqip, përfshirë Poemën “Nënë Shqipëri”, Guidën e Historisë së Shqipërisë, “Trashëgimia kulturore shqiptare”, romanin “Njeriu me Top” i Dritëro Agollit, si dhe “Legjenda të moçme shqiptare”. Të tjerë botues kinezë kanë botuar në gjuhën kineze 17 tituj të tjerë nga autorë shqiptarë. Këta libra i kanë ndihmuar shumë lexuesit kinezë të kuptojnë më mire kulturën, historinë dhe letërsinë e Shqipërisë. Mendoj se me një bashkëpunim më të mire për zgjedhjen e titujve do të kishim patur më shumë rezultat”

Sipas botuesit Ymeri, lexuesit shqiptarë kanë pëlqyer shumë veprat nga historia kineze, por dhe ato letrare, si dhe kolana e librave për fëmijë.

Ai bëri të ditur permes fjalës në Forum se së shpejti në tregun shqiptar të librit do të botohet një nga kryeveprat e letërsisë kineze “Ëndërr në Pallatin e Kuq” e autorit Cao Xueqin. Presidenti i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë Petrit Ymeri iu drejtua Forumit me kërkesën: “Mendojmë se duhet të botojmë më shumë tituj nga letërsia kineze tradicionale dhe bashkëkohore. Ne kemi mundësi të botojmë 3 deri 4 herë më shumë tituj se deri tani, si pjesë e projektit tone të përbashkët.”

Ai bëri të ditur se shpërndarja e librave të përkthyer nga kinezishtja nuk bëhet vetëm në Shqipëri, pasi ajo realizohet dhe në trevat ku jetojnë shqiptarë si në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Ymeri vlerësoi bashkëpunimin me botuesit kinezë dhe mbështetjen nga agjencitë qeveritare në të dy vendet si thelbësore për suksesin e botimeve. Me këtë rast ai vlerësoi kontributin e ish ambasadores kineze në Tiranë zonjës Jiang Yu dhe të ambasadorit aktual Zhou Ding për mbarëvajtjen e shkëmbimeve në fushën e botimeve.

Pamje nga punimet e Forumit

Pamje nga punimet e Forumit

Ky është forumi i 4-të i Shoqatës Botuesve Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, e cila është themeluar në vitin 2018. Gjatë Forumit diskutuan përfaqësues të Administratës kineze të Botimeve, Shtypit, Radios dhe Televizionit, përfaqësues të shoqatave kineze të botuesve por dhe të botuesve nga vende të ndryshme të Europës Qendrore dhe Lindore. Në Forum gjithashtu morën fjalën ambasadori shqiptar në Kinë Selim Belortaja dhe kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë Petrit Ymeri, ndërsa ishin të pranishëm sinologu i njohur Iljaz Spahiu, kryetar i shoqatës kulturore Alb-China dhe zonja Burbuqe Spahiu, drejtore ekzekutive e kësaj shoqate. Në Shoqatën e Botuesve Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore bëjnë pjesë 4 shtëpi botuese shqiptare.

Eda Merepeza