Faruk Kalleshi me ish Presidentin Bamir Topi duke marre titullin Nderi i Kombit

Faruk Kalleshi me ish Presidentin Bamir Topi duke marre titullin Nderi i Kombit

Kampioni dhe rekordmeni Faruk Kalleshi, “Nderi i Kombit” është cilësuar në anketat sportive si sportisti i shqiptar i shekulli të 20-të. Veçantia e tij, nga të gjithë sportistët deri më sot, është se ka qenë kampion që në garën e parë dhe deri në garën e fundit, të një karriere 19 vjeçare, sa vështirë që rekordet e tij të arrihen nga ndonjë sportist tjetër. Në një intervistë për Radio Ejani ai sjell kujtimet e tij gjatë vizitave në Kinë, ku ka arritur rezultate të larta.

CMG: Përshëndetje Z.Kalleshi dhe faleminderit që pranuat ftesën për këtë intervistë për Radio Ejani.

Faruk Kalleshi: Kënaqësi për mua që të shpalos disa nga ngjarjet më të rëndësishme në jetë, që kam pasur në Pekin të Kinës në vitin 1966.


Rekordmeni Faruk Kalleshi

Rekordmeni Faruk Kalleshi

CMG: Na tregoni pak për vajtjen tuaj të parë në Kinë në një aktivitet sportiv mjaft të rëndësishëm.

Faruk Kalleshi: Në dhjetor të vitit 1965 mbasi unë kisha thyer atë vit 25 rekorde dhe fitova anketën e 5 sportistëve më të mirë të vitit, më kërkuan për të kryer shërbimin ushtarak në klubin sportiv “Partizani”. Ndonëse unë kisha një vëlla marinar, strukturat e ministrisë së mbrojtjes së asaj kohe më kërkonin me çdo kusht sepse më quanin si super talent që të kaloja te klubi “Partizani”. Menjëherë sapo shkuam atje, erdhi një njoftim që kemi një ftesë në muajin maj në një takim parapërgatitor të lojrave të Ganefo-s, që do zhvillohej në Pekin. Kuptohet stërvitje intensive nën drejtimin e trajnerit Sejdin Gjoni dhe unë te “Partizani” pata një progres shumë të mirë ndonëse ishte dhe mosha që evoluonte. U grumbullua ekipi kombëtar dhe nga klubi “Partizani” ishin 4 sportistë dhe rekordmeni Fehmi Telegrafi, unë dhe Bujar Bodinaku.

Faruk Kalleshi ne interviste per CMG

Faruk Kalleshi ne interviste per CMG

Nga klubi “Partizani” mbeta vetëm unë sportisti i vetëm dhe shkuam në Pekin. Në hotelin që u akomoduam në Pekin rastësisht takoj të madhin Loro Boriçi, i cili ishte trainer i ekipit kombëtar të futbollit të Kinës. Ai mezi më priste për të më takuar si shkodranë që ishim dhe vazhdimisht nuk më thërriste me emër ose mbiemër, por më thërriste “harusha jeme”, sepse çdo aktivitet timin që kishte parë në terren unë kisha thyer rekorde. Bëmë pregatitje 2 javë sepse atje merrnin pjesë 14 shtete në lojërat përgatitore të Ganefo-s. Si zakonisht gara e parë është te pesha më e vogël, ku unë realizova provën e parë të suksesshme, sepse unë nga gjithë karriera ime 21 vjeçare prej kampioni, e kam filluar dhe e kam mbyll kampion dhe ky është një rast i rrallë.

Unë kam pasur progres dhe nuk kam njohur asnjëherë skualifikim. Te prova e dytë rezultati ishte rekord, trajner ishte i madhi Ramadan Martini. Profesor Loro nga tribuna u ngrit në këmbë duke bërë me shenjë për të më folur, por unë nga kënaqësia e përshëndes me kokë, duke i treguar se do ta thyej rekordin. Gjatë paraqitjes sime shikoj që salla brohoriti në mënyrë të jashtëzakonshme dhe unë aty mora vesh nëpërmjet trajnerit që ky ishte rekord i Ganefos dhe prandaj bëri bujë shumë. Unë në atë aktivitet në Pekin theva 12 rekorde, duke qenë sportisti më i suksesshëm.


Aktivitetet sportive te Faruk Kalleshi

Aktivitetet sportive te Faruk Kalleshi

CMG: Ju keni qenë tre herë në Kinë për aktivitete sportive, ku në të treja rastet keni pasur progres dhe rezultate të mira.

Faruk Kalleshi: E vërteta është që unë në të treja rastet që kam qenë në Kinë kam qenë sportisti më i suksesshëm shqiptar. Kam pasur progres nga viti 1966 deri në vitin 1970 duke arritur rezultate të larta, kuptohet që diferenca e thyerjes së rekordeve ishte jo si ajo e viteve të fillimit, por unë kam qenë tepër i përkushtuar dhe i ashpër me garën, ku shtangën e kam quajtur në thonjëza “armik” i imi.

Si rezulat i arritjeve të mia kam marrë edhe vlerësime maksimale dhe po të shikosh sportin që kam bërë unë ,i cili është një sport që ndoshta nuk ka ndonjë popullaritet të madh por janë vetëm arritjet e mia, rezultatet kombëtare e ndërkombëtare që kanë arritur deri në këtë stad.

CMG: Si ju priti publiku kinez që ishte në sallë dhe çfarë emocionesh përjetuat nga rezultati juaj atje?

Faruk Kalleshi: Ne kemi shkuar në kulmin e miqësisë shqiptaro-kineze. Unë kam bërë shumë aktivitete evropiane dhe botërore, por ajo pritje në Kinë ishte e jashtëzakonshme. Publiku në sallë, personeli i hotelit e gjithandej ku shkonim tregonin një respekt të veçantë. Menjëherë kuptohej nga uniformat që kishim dhe flamuri, na mbështetën dhe na dhuruan gjëra. E panë që këpucët sportive që ne kishim ishin jo cilësore, sepse këpuca ishte si rival dhe na dhuruan këpucë nga më specialet ku unë kam mbyllur gjithë karrierën time sportive me ato këpucë që na dhuruan kinezët.

Ne kemi qëndruar 2 muaj e gjysmë atje dhe unë e kam quajtur një kurs specializimi sepse ndryshuan krejt formatet e stileve. Ne fillimisht nuk dinim se si kapet shtanga, dhe me të thënë të drejtën ai ka qenë kursi më i mirë që kam bërë në dy rastet që kam qenë. Atje mësova edhe se si duhet të ruash peshën sepse kinezët ishin rekordmenë bote dhe një nga trajnerët kinezë thoshte për mua që me këtë fuqi që kisha duhet të isha kampion bote.


Medalejt e marra nga Faruk Kalleshi

Medalejt e marra nga Faruk Kalleshi

CMG: Gajtë qëndrimit tuaj në Kinë dolët për shëtitje në Pekin?

Faruk Kalleshi: Pekini kishte një zhvillim jashtëzakonisht të madh, dhe atje kur shkoje nëpër ato supermarket apo vende të tjera që vizituam ishte një mrekulli e gjallë. Vizituam disa vende ku kemi bërë dhe foto dhe për mua ishin mrekullira dhe kur takoj njerëz të tjerë që shkojnë tani më thonë se ka tepër zhvillim.


Faruk Kalleshi dhe bashkeshortja e tij Liljana Kalleshi

Faruk Kalleshi dhe bashkeshortja e tij Liljana Kalleshi

CMG: Mendoni se dhe sportistë të tjerë sot duhet të shkojnë e të marrin eksperiencë në Kinë?

Faruk Kalleshi: Po të kishte shkuar sporti ynë në Kinë, qoftë në stërvitje të përbashkëta 5 apo gjashtë muaj, ne do kishim pasur më shumë kampionë bote. Sepse rraca jonë është e fuqishme dhe sado që kemi zhvillim dhe sportista cilësorë, por prapë kemi nevojë për metodologji të re. Unë kam stërvitur Romela Begajn dhe Fetije Kason kampione e rekordmene me eksperiencën që kam fituar nga jashtë, sepse ata përparojnë me shkencë dhe çdo gjë e bëjnë shkencore, kurse ne e kemi bërë dhe e bëjmë akoma dhe sot në aspektin praktik.

CMG: Z. Kalleshi ju falenderoj për këtë bisedë dhe ju uroj të keni shëndet të mirë.

Faruk Kalleshi: Faleminderit shumë!

Intervistoi: Gazmend Agaj