Niko Papadhima

Niko Papadhima

Niko Papadhima është një i ri nga qyteti bregdetar i Sarandës, i cili për pesë vite ka studiuar në degën e shkencave elektronike në Shangai. Gjatë një interviste për Radio Ejani, ai na tregon për eksperiencën e tij kineze dhe vizitat në qytete të ndryshme të Kinës.

CMG: Si ju krijua mundësia për të studiuar në Shangai të Kinës?

Niko Papadhima: Kur kam marrë vendimin për të shkuar në Kinë kam qenë 18 vjeç dhe mu dha mundësia nëpërmejt një burse, që mu ofrua atë vit. Në fakt ishin disa bursa studimi dhe dy prej tyre u ofruan në shkollën ku unë studioja në Sarandë. Kur aplikova në fillim kisha pak frikë sepse ishte një eksperiencë e re, megjithatë kisha dhe mbështetje të madhe nga familja. Por ë vendimin e mora vetë normalisht dhe mora guximin për ta zhvilluar këtë eksperiencë më tej.

Niko gjate nje aktiviteti prezantues të Shqipërisë me studente te tjere

Niko gjate nje aktiviteti prezantues të Shqipërisë me studente te tjere

CMG: Çfarë emocionesh përjevtove ditën e parë në Shangai?

Niko Papadhima: Deri në momentin që kemi arritur aty nuk e kisha shumë ndjesinë se ku po shkoj, por unë e kisha mbldhur mendjen për këtë eksperiencë të re dhe për studimet. Megjithatë kur kam arritur në Shangai ishte një moment pak i vështirë, por unë e kisha ndarë mendjen se përse isha aty dhe arrita të përshtatesha shpejt.

CMG: Sa vite qëndruat në Shangai dhe a kishit dikë tjetër në këtë rrugëtim?

Niko Papadhima: Kam qëndruar 5 vite, nga viti 2015 deri në vitn 2020. Kemi nisur këtë udhëtim bashkë me 6 persona të tjerë. Si fillim kemi qenë së bashku te Universiteti i parë ku kemi zhvilluar edhe gjuhën prej një viti, që ishte dhe pjesë e bursës dhe 4 vitet në vazhdim jemi shpërndarë secili nëpër universitetet përkatëse, për të zhvilluar studimet e mëtejshme.

CMG: Në cilin Universitet të Shangait studiuat

Niko Papadhima: Unë kam studiuar në Tongji University për shkenca elektronike nga viti 2016 deri në vitin 2020.

Niko Papadhima me studentë të tjerë në Shangai

Niko Papadhima me studentë të tjerë në Shangai

CMG: Po gjuhën kineze arritët ta mësonit mirë në Kinë?

Niko Papadhima: Natyrisht viti i parë siç e theksova edhe më përpara ishte viti i gjuhës, sepse ishte pjesë e programit 5 vjeçar që ishte dhe bursa. Gjuha ishte e nevojshme për shkak se të gjitha studimet u zhvilluan në gjuhën kineze.

Niko Papadhima ne Kine

Niko Papadhima ne Kine

CMG: Përveç studimeve kishit kohë të lirë për të parë mrekullitë e qytetit të Shangait?

Niko Papadhima: Natyrisht pata mundësinë që përkrah studimeve në të cilën duhet të ishim të përkushtuar sepse një universitet ka gjithmonë vështirësitë e veta sidomos kur zhvillohet në gjuhën kineze apo në çfarëdo lloj gjuhe të huaj. Megjithatë kisha mundësinë të lëvizja sa kam mundur me shokë apo dhe vetëm herë pas here për të parë bukuritë e Shangait, apo dhe nëpër vende të tjera të Kinës. Unë kam vizituar dhe Hangzhoun, i cili është qytet pranë Shangait, gjithashtu kam vizituar edhe dy qytete të tjera përreth si Nanjing dhe Suzhou. Kam qenë edhe në Zhengzhou për një eksperiencë më të veçantë, që ka qenë një dasëm e një shokut tim kinez të cilin unë e kam njohur aty. Për një kohë të shkurtur kam qenë edhe në Pekin.

CMG: Si ishte eksperienca në dasmën e shokut tuaj kinez?

Niko Papadhima: Ishte komplet ndryshe nga çfarë jemi mësuar këtu në fakt, një dasëm shumë e veçantë mund të them, ku kishin ato specifikat e tyre dhe krijonin disa lojëra përpara se të fillonte dasma dhe natyrisht meqenëse unë isha i vetmi i huaj i ftuar në dasëm jam ndjerë dhe pak i previligjuar nga pjestarët e tjerë.

Niko Papadhima ne interviste per CMG

Niko Papadhima ne interviste per CMG

CMG: Mbani akoma kontakte me miqtë tuaj kinezë?

Niko Papadhima: Natyrisht kontaktet janë të vazhdueshme, jo shumë të shpeshta por me një pjesë të tyre mbaj kontakte të mira.

CMG: Nga të gjitha udhëtimet në qytetet kineze. cili të ka lënë mbresa më të veçanta?

Niko Papadhima: Mund të them që udhëtimi që kam pasur atëhere për dasmën e shokut kinez ka qenë nga më të veçantit, megjithatë kam pasur edhe shumë udhëtime të veçanta nëpër qytete të tjera, sepse ka pasur diçka të re për të parë dhe mësuar.

CMG: Do kishe dëshirë të riktheheshe në Kinë?

Niko Papadhima: Patjetër, eksperienca 5 vjeçare që kam pasur aty ka qenë e jashtëzakonshme dhe diçka që nuk përsëritet dy herë dhe do kisha dëshirë të rikthehesha ndoshta për studime të mëtejëshme masteri ose edhe mundësi punësimi për njëfarë kohe të caktuar.

CMG: Çfarë mund të na tregoni diçka interesante nga vitet e studimit në Kinë?

Niko Papadhima: Mund të them se që në momentin e parë që kemi arritur aty dhe vazhdon të jetë një organizatë studentore vullnetare e cila është e krijuar nga vetë studentët në vitin 2012. Duke parë që edhe në fillim kjo organizatë na ndihmoi me pjesën e regjistrimeve dhe çfarëdo lloj informacioni që kishim nevojë, më lindi dëshira që edhe unë të bëhesha pjesë në vazhdim për të ndihmuar të tjerët, siç dhe ata më ndihmuan mua në fillim. Pas vitit të parë të mësimit të gjuhës kineze unë u bëra pjesë e kësaj organizate që quhet “International Students Association”.

Vitin e parë punova si pjestar i komunitetit, ku merresha me disa organizime të thjeshta, ndërkohë që në vitin e dytë më caktuan si zëvendëspresident i kësaj organizate, ku kisha edhe disa përgjegjësi më të larta.

Niko Papadhima ne Shangai

Niko Papadhima ne Shangai

CMG: Çfarë të ka tërhequr më shumë nga Kina, sepse pak më parë the se ke dëshirë të rikthehesh atje?

Niko Papadhima: Veçanërisht mund të them për Shangain përderisa kam jetuar aty 5 vjet, është një qytet që ka një miksim kulturash të jashtme dhe të brendshme në harmoni, një kulturë aziatike të cilën unë e kam përjetuar vetë, por që do të doja ta zbuloja akoma më tepër.

CMG: Faleminderit Niko për këtë bisedë të këndshme dhe suksese.

Niko Papadhima: Faleminderit shumë dhe ishte kënaqësi për këtë bisedë që patëm së bashku. Uroj për të gjithë që të kenë shansin të vizitojnë sikur edhe një herë Kinën dhe kam përshtypjen se do të ishte një eksperiencë e paharrueshme për secilin.

Intervistoi: Gazmend Agaj