Piro Milkani ne interviste per CMG

Piro Milkani ne interviste per CMG

Kineasti dhe regjisori i mirënjohur Piro Milkani në një intervistë ekskluzive për Radio Ejani tregon rreth vizitave të tij në Kinë si dhe bashkëpunimet në fushën e artit. Filmi i tij i fundit i realizuar bashkë me djalin e tij Eno Milkani është shitur në Kinë dhe do të ndiqet nga miliona njerëz që udhëtojnë me trena dhe avion gjatë udhëtimit.

CMG: Z.Milkani filmat tuaj në Kinë para shumë vitesh kanë qenë shumë të ndjekur. Cila është ndjesia juaj për këtë sukses në Kinë?

Piro Milkani: Unë e kam thënë edhe herë të tjera që kam lidhje të veçanta me Kinën dhe me spektatorin kinez. Në karrierën time kinematografike kamera më e bukur është e filmit “Oshëtimë në bregdet”. Është xhiruar buzë detit me Ndrek Lucën, Kujtim Spahivoglin, Agim Shuken, Vangjush Furrxhiun, Marie Logorecin, pra me aktorë shumë të mirë dhe kinezëve ju kishte pëlqyer shumë kjo dramë familjare, realiste dhe e mirë. Mbas kësaj unë mora dekoratën e parë ku Hysen Hakani mori urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, kurse unë mora urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të dytë.

Vite më vonë mësuam që filmat shqiptarë që në atë kohë ishin të pakët, të prodhuar nga vitet 59 duke filluar nga “Furtuna” e deri te filmi “Shtigje lufte” të vitit 1974, pra 25 filma gjithsej kishin shumë sukses në Kinë. Drejtoresha e degës së gjuhës shqipe në Universitetin e Pekinit ka mbrojtur para dy vjetësh diplomën me punën shkencore “Filmi shqiptar në Kinë” dhe për këtë studim ka marrë titullin Profesor. Natyrisht që unë e njoh zonjën, e cila ka ardhur në Shqipëri dhe ka biseduar me kineastët si dhe është njohëse e jashtëzakonshme e filmave shqiptarë, por njëkohësisht jam lutur dhe është e vlefshme dhe e dobishme të na e përkthejnë në gjuhën shqipe sepse ajo e ka shkruar në gjuhën kineze. Kjo lidhje më bëri që me shumë kënaqësi të vizitoja Kinën për herë të parë.


Regjizori Pirro Milkani me ambasadorin kinez Zhou Ding

Regjizori Pirro Milkani me ambasadorin kinez Zhou Ding

CMG: Ju për herë të parë në Kinë keni shkuar në vitin 2004. Cilat ishin emocionet që përjetuat nga kjo vizitë ?

Piro Milkani: Për moshën që kam dhe profesionin, unë kam shëtitur gjithë botën , sepse kam qenë në Rusi, Çeki dhe në Amerikë, por ishte ëndërr të shkoje në Kinë.

E vërteta është se mbas viteve 80 – 90-të filmat shqiptarë vazhdonin të shfaqeshin në Kinë dhe në këto shfaqje filmash një kompani kineze që distribuonte filmat tanë në DVD kërkoi që të respektohej e drejta e autorit. Në atë kohë në Shqipëri ishte e vetmja agjensi e të drejtës së autorit me Neshat Tozajn në krye dhe filloi një korrespondencë e gjatë midis Neshatit dhe palës kineze. Këtë korrespondencë më vonë e trashëgova unë. Filmat tanë kanë pasur një audiencë të jashtëzakonshme, këngët tona, muzika e filmave këndohej nga rinia dhe të gjithë. Pra gjenerata 60 vjeç e sipër është edukuar dhe është rritur me filmin.


Regjizori Milkani në seksionin e shqipes në CMG

Regjizori Milkani në seksionin e shqipes në CMG

CMG: Ndërkohë gjatë vizitave tuaja në Kinë çfarë vizituat nga mrekullitë e Kinës?

Piro Milkani: Gjatë vizitës së parë kënaqësia ime ishte që filmat vazhdonin të shiteshin sepse i pashë vetë në format DVD-je. Kënaqësi e madhe ka qenë intervista që unë i dhashë televizionit kinez për filmat shqiptarë. Ciu ishte një moderator i jashtëzakonshëm dhe shumë popullor në Kinë i cili përgatiste në vitin 2007 një cikël emisionesh të titulluar “Magjia e filmit”, sepse në atë vit ishte 100 vjetori i kinematografisë kineze. Në këtë cikël shumë javor pesë seri me nga 1 orë dhe 1 orë e gjysëm ju kushtua filmit shqiptar dhe unë dhashë intervistë për moderatorin kinez për të spjeguar se si është xhituar filmi “Ngadhnjim mbi vdekjen” etj.

Ato 5 DVD me ato 5 emisione u shfaqën në Televizionin kinez dhe unë bëj një llogari të thejshtë, sikur ato emisione ti kenë ndjekur 10 për qind e spektatorëve kinezë, pra bëhej fjalë për 200 milion spektatorë, pra audiencë e jashtëzakonshme dhe kënaqësi e madhe.

Natyrisht vizita në Murin e Madh kinez ishte që në jëtën time dy herë mund ta kem gdhirë pa fjetur dhe kur vizitova Ushtrinë e Terrakotave me 2000 apo 3000 skulptura me terrakotë kineze, me ushtarë dhe me kuaj më tronditi shumë. Ajo është mrekullia e tetë e botës e zbuluar në vitin 1977 por që ka miliona spektatorë nga gjithë bota, pastaj pashë Shangain që më befasoi me mrekullitë e tij, një qytet modern.

Por të shkosh mbas 15 vitesh përsëri në Kinë në vitin 2018 i ftuar nga Universiteti i Gjuhëve të huaja dhe dega e gjuhës shqipe për të bërë dy leksione me studentët dhe për t’ju shfaqur atyre një film dhe një bashkëbisedim, absolutisht ndryshimi ishte befasues. Pekini ishte komplet i transformuar dhe një qytet modern dhe gjithë gjallëri me njerëz të cilët shikoje buzëqeshje dhe qetësi shpirtërore. Pra nga Kina kam kujtimet më të mira dhe e fundit që dua t’ju them është që gjëja më e mirë do të ishte që shkëmbimet kulturore Shqipëri-Kinë të vazhdonin përmes librave dhe përkthimeve të ndryshme që bëhen.

Unë jam bashkëproducent me djalin tim Eno Milkani për filmin “Open door” që është prodhimi i fundit shqiptar i cili aktualisht është vendosur për të konkuruar për çmimin Oscar. Ky film administrohet nga një distributore gjermane, e cila interesohet për ta shitur filmin dhe mund t’ju them se para disa muajsh kinezët e kanë blerë këtë film. Ky film shumë i thejshtë, por shumë i bukur dhe njerëzor do të shfaqet nëpër trena, autobusa dhe avionë, ku sigurisht do të dublohet në gjuhën kineze. Kjo është e fundit marrëdhënie kulturore dhe unë uroj që të kemi edhe marrëdhënie të tjera në vazhdim.


Piro Milkani me djalin e tij Eno Milkani

Piro Milkani me djalin e tij Eno Milkani

CMG: Z.Milkani ju falenderoj shumë për këtë intervistë dhe ju uroj shëndet e suksese.

Piro Milkani: E fundit që dua të shtoj është kënaqësia ime që vajta dhe vizitova Radio Pekinin, redaksinë e gjuhës shqipe ku i kam të gjithë në kujtimet më të mira sepse aty bëra natyrisht një bisedë dhe më mrekulluan ato vajza dhe djem të cilën siç e dini dhe ju zakonisht mësojnë gjuhën shqipe në mënyrë perfekte, sepse ata gjatë kohës së studimeve vijnë edhe në Shqipëri për të bërë praktikë. Ishin shumë të dashur dhe pritjen e tyre nuk e harroj dot kurrë sepse ishin njerëz të mrekullueshëm. Përshëndes shefen e katedrës së gjuhës shqipe dhe studentët kinezë që më dëgjuan aq bukur dhe diskutuan me mua pas shikimit të një filmi.

Intervistoi: Gazmend Agaj

Redatorja: Çang Çuo