Studjuesi Erlis Hoxha

Studjuesi Erlis Hoxha

Doktori i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare Erlis Hoxha prezantoi studimin e tij të mbrojtjes së doktoraturës “ Fuqitë joperëndimore dhe Shqipëria”, botim i Universitetit Evropian të Tiranës (UET) në Radio Ejani, gjatë një interviste me gazetaren Eda Merepeza.

CMG: Cilat janë fuqitë joperëndimore që trajton studimi juaj dhe çfarë lidhje kanë ato me Shqipërinë?

Dr.Erlis Hoxha:Ky është një studim aktual që vlen të shtrohet në debat sepse nëse i referohemi medieve, lajmeve, tema më e përfolur sot janë ndikimet. Në këtë kuadër lindi dhe ky dizertacion dhe ky botim. Dihet qasja diplomatike e Shqipërisë sot që është proevropiane. Por Shqipëria nuk është një vend në mes të askundit, por ka një pozicion gjeografik dhe kulturor midis Lindjes dhe Perëndimit dhe midis influencave të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që janë partnerë strategjikë. Por nga ana tjetër dhe të vendeve që janë aktorë të fuqishëm politikë dhe ekonomikë ndërkombëtarë, të cilët i kam marë për të studjuar, siç janë Rusia, Turqia dhe Kina, me ndikimet e tyre në vendin tonë, por dhe në Ballkanin Perëndimor.


Libri Fuqitë joperëndimore dhe Shqipëria nga Erlis Hoxha

Libri Fuqitë joperëndimore dhe Shqipëria nga Erlis Hoxha

CMG:Për çfarë ndikimesh flitet në studimin tuaj?

Dr. Erlis Hoxha:Përsa i përket ndikimit të këtyre tre vendeve unë kam marrë tre indikatorë për të studjuar. Bëhet fjalë për aspektin politik, ekonomik dhe social. Përmes këtyre tre indikatorëve unë kam bërë hulumtimet e mia për të kuptuar më tepër dhe konkretisht se cili ka qenë roli i këtyre vendeve në rrugën euroatlantike të Shqipërisë. Vendi më influent nga fuqitë joperëndimore është Turqia, e cila ka një shtrirje shumë të fuqishme ekonomike, e udhëhequr nga teoria e thellësisë strategjike të ish kryeministrit Davutoglu, i cili duke shfrytëzuar dhe kontekstin historik me vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë që të rikthejnë supremacinë e Turqisë dhe për të rritur hegjemoninë e tyre ekonomike kryesisht në vendet e Ballkanit. Turqia ka luajtur mjaft mirë me aspektin ekonomik, duke financuar në projekte strategjike shumë të rëndësishme në të gjitha vendet e Ballkanit dhe për këtë arësye, duke iu referuar shifrave dhe fakteve, në studimin tim Turqia renditet si vendi me influencën më të rëndësishme në Shqipëri. Rusia po ashtu është një vend influent, i dyti pas Turqisë. Në perceptimin e studimit del që Rusia shihet si pengesë në rrugën euroatlantike të Shqipërisë.

Ndryshe shihet Kina, referuar studimit. Kina shihet si një parter ekonomik, sepse përmes investimeve që ajo ka bërë në vendin tonë, ndonëse Shqipëria është një partner shumë i vogël për Kinën. Nëse i referohemi dy nismave gjigante të Kinës “Një brez, një rrugë” dhe nisma më serioze për Ballkanin Perëndimor, Mekanizmi “17+1” janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht që Kina ka interesat e saj ekonomike dhe qasja e saj ndaj rajonit tonë edhe në studim del ekonomike, që synon shtrirjen e kapitaleve kineze në tregjet e Bashkimit Evropian. Në këtë aspekt Kina ka një qasje në Ballkanin Perëndimor, në të gjitha vendet e rajonit, duke investuar dhe duke ofruar kapitalet e saj ekonomike.

CMG: Cilës periudhë i referohet studimi juaj?

Dr. Erlis Hoxha: Studimi i referohet 10 vjeçarit të fundit deri në ditët e sotme dhe jo rastësisht. Në 10 vjeçarin e fundit Shqipëria ka bërë disa hapa domethënës. Në vitin 2009 Shqipëria u bë pjesë e NATO-s dhe ky është një hap i rëndësishëm jo vetëm në konsolidimin e rrugës së saj euroatlantike.

CMG: Libri “Fuqitë joperëndimore dhe Shqipëria” është botim i Universitetit Evropian të Tiranës, i këtij viti. Ku jeni bazuar ju në realizimin e studimit? U jeni referuar autorëve të huaj, shqiptarë, apo keni keni bërë vetë hulumtime e kërkime shkencore?

Dr. Erlis Hoxha: Metodologjia e studimit është cilësore dhe sasiore. Është bërë një sondazh i studentëve të dy universiteteve më të mëdha në vend, Universitetit të Tiranës dhe të Durrësit, ku një pjesë e tyre kanë qenë të paangazhuar në politikë, ndërsa pjesa tjetër e tyre kanë qenë të angazhuar në forumet rinore politike. Kjo është bërë për të marrë një perceptim të tyre lidhur me ndikimin e këtyre vendeve. Kjo është ana sasiore, ndërsa në anën cilësore kam përzgjedhur disa nga studjuesit më të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare, por dhe aktorë politikë, të cilët poashtu janë pyetur për të marë perceptimin lidhur me këto tre vende. Gjithashtu në studim i jam referuar shifrave, si importet, eksportet, si dhe autorëve të huaj dhe shqiptarë lidhur me marrëdhëniet historike që Shqipëria ka pasur me Rusinë, Turqinë dhe Kinën për të kuptuar qasjen e këtyre vendeve. Përveç sfondit historik dhe raportet konkrete dhe reale me këto vende.

CMG: Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale Shqipëri-Kinë?

Dr. Erlis Hoxha: Jam surprizuar kur kam nisur studimin, sepse marrëdhëmiet kanë qenë të hershme, duke nisur pas Luftës së Dytë Botërore dhe kanë ardhur duke u përmirësuar dhe e dimë më pas historinë e viteve 70-të, kur ndodhi një përplasje në marrëdhëniet midis dy vendeve për tu rikuperuar pas viteve 90-të.

Me ardhjen e demokracisë kemi ndërtimin e marrëdhënieve gjithmonë e më intensive kryesisht në aspektin kulturor, por në 10 vjeçarin e fundit shohim një qasje shumë të rëndësishme në planin ekonomik.

Ndryshe nga Turqia dhe Rusia, Kina ka veçantinë sepse qasja e saj vjen përmes ekonomisë, përmes investimeve strategjike dhe ndihmës që ajo u ofron vendeve për të avancuar agjendën e tyre në infrastrukturë, si dhe për të ndihmuar ambicien e tyre për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian.


Dr.Erlis Hoxha gjatë punës i pedagog në Universitet

Dr.Erlis Hoxha gjatë punës i pedagog në Universitet

CMG: Erlis Hoxha, ju me se merreni konkretisht? A do të pasohet studimi juaj i doktoraturës nga studime të tjera ?

Dr.Erlis Hoxha: Aktualisht jam drejtor i Protokollit dhe Arkivit në Bashkinë e Tiranës. Unë jam pedagog në profesion, gjë që e dua shumë dhe prej 9 vitesh jap mësim në universitetet shqiptare. Ky është libri im i parë, por dëshira ime është që të vazhdoj rrugën time i apasionuar nga ky studim. Mezi po pres të thellohem në studimet e mia për të parë në një kënd më të gjerë marrëdhëniet midis të tre vendeve që kam marë në studim. Sapo jam bërë doktor shkencash, por për gradën tjetër sigurisht do të thellohem në studimet e mia për të kuptuar më mirë marrëdhëniet me të tria vendet që janë marë në analizë.

Intervistoi Eda Merepeza

Redaktorja: Çang Çuo