Pandemia COVID 19 po ndikon gjithnjë e më shumë në jetën e të gjithë qytetarëve të botës, duke ndryshuar marëdhëniet e tyre me përditshmërinë dhe stacionet e saj si familje, shëndet, punë, arsimim dhe argëtim.

Puna e përditëshme për shumicën u përshtat në “smart working” apo “ punë nga shtëpia”, arsimimi për nxënësit dhe studentët u krye online përmes platformave digjitale, por mbetet në dorë të secilit argëtimi. Një situatë e pazakontë i shoqëroi nxënësit në procesin mësimor qysh nga marsi kur u shpall gjendja e jashtëzakonëshme për shkak të pandemisë e deri në përfundim të vitit shkollor. Për mikrofonin e Radio Ejani ata tregojnë se si e kanë përjetuar mësimin online.

Arba 9 vjeçare ka mbaruar klasën e tretë në një kolegj privat në Tiranë. Ajo tashmë ka njohuritë e nevojshme për aplikacionin online Zoom përmes të cilit ka zhvilluar orët mësimore për disa muaj. Ajo nuk ankohet për të mësuarin online, por thotë se është mërzitur duke mësuar nga shtëpia dhe e ka ndjerë mungesën e shoqeve, shokëve dhe mësueses së saj.

Ndërsa Joneli nxënës 12 vjeçar i një shkolle publike thotë se e pëlqen shumë klasën e tij, por jo mësimin online.

Pushimet verore këtë vit për shkak të pandemisë janë përballur me një sfidë të madhe. Nxënësit dhe studentët që rëndom mezi presin muajt e verës për të pushuar me familjen apo miqtë këtë vit janë përballur me pikëpyetje të mëdha, për shkak të frikës nga infektimi me koronavirus, por dhe të dëmit që pandemia ka shkaktuar në buxhetin familjar.

Kur e pyet Arbën për pushimet verore ajo tregon se për shkak të pandemisë familjes së saj iu prishën planet. Arbën e ka marë malli për lojrat në parqe me fëmijët e tjerë, por thotë se për tu ruajtur nga infektimi po përshtatet me lojra të tjera.

Bashkë me motrën dhe prindërit Arba ka kaluar disa ditë pushime në Pogradec dhe gjatë kohës së lirë lexon libra, luan me motrën në park dhe i pëlqen shumë të vizatojë. Ajo të mahnit me kujdesin që tregon ndaj vetes, por dhe motrës së vogël dhe familjarëve për të mbajtur sa më larg virusin. Arba është e mirëinformuar për distancën që duhet mbajtur, larjen e shpeshtë të duarve apo mbajtjen e maskës.

Joneli duket se po i kalon mjaft mirë pushimet verore, duke zbatuar masat mbrojtëse nga pandemia.

Ai ka takuar shokët në park, ka shkuar në bregdetin e Jonit me prindërit ku i është gëzuar diellit dhe detit, por dhe ka ndjekur kurset e kitarës dhe ka luajtur me videogame. Mbajtja e maskës për të është paksa e bezdisshme, por ai po i zbaton këshillat për përdorimin e saj në mjedise të mbyllura dhe mbajtjen e distancës.

Prindërit e këtyre fëmijëve përveç ngarkesës profesionale kanë dhe atë të përshtatjes së jetesës me rregullat e reja të mbrojtjes nga koronavirusi.

E ëma e Arbës e quan të vështirë këtë verë dhe tregon se u janë prishur planet, sepse ka ndryshuar përditshmëria familjare, duke u krijuar një normalitet i ri.

“Për çdo dëshirë që shprehin fëmijët, ne u themi se do ta realizojmë kur të kalojë kjo situatë.Pushimet verore po i kryejmë brenda limiteve që na lejohen, duke patur dhe frikë për shëndetin e fëmijëve tanë. Këto pushime janë të cunguara sepse dëshirat nuk na përmbushen për shkak të kushtëzimeve nga pandemia.”, thotë nëna e Arbës.

Ndërsa për nënën e Jonelit “kjo periudhë ka qenë e ngarkuar pasi është një eksperiencë e re për të gjithë. Jemi shumë të kufizuar në frekuentimin e mjediseve publike, por dhe në lojërat që fëmijët duan në mjedise të mbyllura apo të hapura.Shpresojmë që pushimet verore në Jug ku dhe numri i të prekurve është i ulët , por dhe qëndrimi në diell dhe pranë detit do ta ulë mundësinë e infektimit nga virusi. Kujdesi nuk do të mungojë edhe gjatë pushimeve”

Një pjesë e fëmijëve po frekuentojnë kampet verore ditore, që këtë vit kanë kufizuar veprimtaritë e tyre, por dhe pjesmarrjen e kampistëve për shkak të pandemisë. Ndikimi i pandemisë në jetën ekonomike të vendit ka prekur dhe gjendjen financiare të shumë familjeve shqiptare, që këtë verë nuk kanë shkuar me pushime.

Pas pushimeve verore nxënësit u drejtohen shkollave për nisjen e një viti të ri shkollor, por ende nuk dihet nëse kjo do të ndodhë për shkak të kurbës së pandemisë. Një gjë është e sigurtë, nxënësit mezi po presin të ulen në bankat e shkollës, të takojnë shoqet dhe shokët e klasës dhe mësuseset.

Edhe Arba e Joneli mezi po presin që në shtator mësimi të nisë në shkollë si më parë, por ata tashmë të mësuar me normalitetin e ri janë të bindur se në rast të vazhdimit të rritjes së rasteve të të prekurve me COVID 19 mësimi do të zhvillohet online.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i ka bërë thirrje botës të mbrojë fëmijët, duke theksuar se jeta e tyre po ndikohet nga pandemia e COVID-19.

"Jam veçanërisht i shqetësuar për mirëqenien e fëmijëve në botë. Fatmirësisht, fëmijët deri më tani kryesisht janë kursyer nga simptomat më të rënda të sëmundjes. Por, jeta e tyre po kthehet me kokën poshtë. Unë u bëj thirrje familjeve kudo dhe udhëheqësve në të gjitha nivelet... mbroni fëmijët", tha Guterres në raport mbi rrezikun që përballen fëmijët për shkak të pandemisë.

Eda Merepeza