Intervistë ekskluzive me prof.dr në shkencat ekonomike Adrian Civici

CMG: Sapo ka dalë në treg libri “Kriza ekonomike në kohën e koronavirusit” ku ju jeni bashkëautor krahas prof.Anastas Angjeli. Ndërsa pandemia COVID 19 ende mban “të pushtuar “ botën ju analizuat krizën e pashmangshme që solli ajo. Si lindi ideja e këtij libri?

Ideja për të shkruar këtë libër lindi në muajin shkurt 2020 kur kriza e pandemisë së Covid-19 sapo kishte filluar. Lajmet e gjithë mediave ishin të mbushura me problematikën e koronavirusit në provincën Hubei dhe qytetin Wuhan të Kinës, por dhe me shqetësimin e mundësisë së përhapjes së Covid-19 në shkallë të gjerë botërore. Pak ditë më vonë filluan të shfaqen rastet e para të infektimit në Itali, Gjermani, Spanjë, Britaninë e Madhe, SHBA, Japoni, etj., dhe të gjithë e kuptuan se tashmë nuk kishim të bënim me një epidemi që kishte prekur Kinën, por me një pandemi që po shtrihej me shpejtësi në gjithë botën. Shumë pyetje e pikëpyetje që kishin lidhje me ekonominë, financat, shoqërinë, politikën, mjekësinë filluan të shfaqen. Një pjesë e madhe e tyre nuk kishin përgjigje.

Në këtë kontekst, menduam se do ishte me interes që kjo problematikë e re, e panjohur, plot dilema e pasiguri do prekte dhe Shqipërinë që nuk mund të ishte një ishull i veçuar. Bashkë me Prof.Anastas Angjelin vendosëm ta ndjekim ditë pas dite evoluimin e situatës, ta analizomin dhe dokumentonim atë në formën e një “ditari shkencor”të fokusuar kryesisht në problematikën ekonomike, financiare, sociale e sanitare, të diskutonim intensivisht në media çeshtjet më të mprehta të “kohës së koronavirusit”, me mendimin që në fund të asaj që mund të quhet si faza e parë dhe më e rëndë e kësaj krize, periudhën mars-qershor 2020, ne të prodhonim një libër për këtë kohë e për këto sfida të jashtëzakonshme që po kalonim.


CMG: Si i vlerësoni masat e mara deri tani nga qeveria shqiptare për përballimin e krizës? Çfarë sugjeroni për të ardhmen e afërt të ekonomisë, përfshirë këtu paketën e tretë të ndihmës?

Shqipëria ju përgjigj me shpejtësi dhe vendosmëri situatës, duke e filluar izolimin social apo karantinën që në datën 10 mars 2020, që rezultoi të paktën deri në fund të qershorit 2020, si një nga vendet me numër shumë të vogël të infektuarish dhe të sëmurësh rëndë apo humbje jetësh. Por, mbas javëve të para të karantinës, përtej problematikës shëndetësore, në plan të parë filloi të dalë kriza ekonomike, bllokimi pothujase total i prodhimit, shërbimeve e tregëtisë dhe veçanërisht tkurrja e konsumit. Qeveria shqiptare ju përgjigj situatës me hartimin e dy paketave ndihme ekonomike e sociale, të cilat gjithsesi duhen konsideruar modeste nga pikëpamja e shumave financiare të vëna në dispozicion dhe të orientuara kryesisht në zbutjen e problemeve sociale. Ndër masat kryesore që u ndërrmorën në këto dy paketa ndihme mund të përmendim: dhënien e “pagës së luftës” për një numër të madh individësh, pagesën e një page prej 40 mijë lekësh për punonjësit e bizneseve në vështirësi, shtyrjen e kësteve të kredisë për bizneset, krijimi i një fondi garancie sovrane pranë bankave për t’i lehtësuar bizneset në marrjen e kredisë, shtyrje apo dhe anullim i disa detyrimeve fiskale, etj.

Megjithatë, një paketë e tretë e orientuar ekskluzivisht drejt ndihmës për bizneset nuk u hartua dhe zbatua, me shpjegimin se nuk ishte e nevojshme, megjithëse biznesi e kërkonte me ngulm dhe shpresonte shumë në një paketë të tillë. Në diskutimet zyrtare u fol për hartimin së shpejti të një plani të detajuar të rimëkëmbjes ekonomike 1-2 vjecar. Në fakt, ekonomia shqiptare e goditur tashmë nga dy fatkeqësi të rënda natyrore, tërmeti i 26 nëndorit 2019 që shkatërroi shumë banesa e biznese dhe kriza e Covid-19, e goditën mjaft rëndë ekonominë shqiptare, veçanërisht sektorin e manifakturës, industrinë fason, turizmin, transportin, ndërtimin, etj. Dalja nga kriza duket më e gjatë se parashikimet e fillimit, ndërkohë që ekonomia shqiptare pritet të kalojë një recesion – 9% të GDP së saj vjetore. Në kushtet kur nuk pati një paketë të tretë ndihme ekskluzive për biznesin dhe sektorët e prekur më rëndë nga kriza, si zgjidhje e vetme duket hartimi dhe zbatimi sa më i shpejtë i një plani të konsoliduar të rimëkëmbjes ekonomike.

CMG:A ka në librin “Kriza ekonomike në kohën e koronavirusit” trajtim të modeleve të përballimit të krizës në rajon dhe më gjerë ?

Po. Në libër trajtohen gjerësisht çeshtjet e modeleve të përballimit të krizës, duke ju referuar një panorame të gjerë krahasuese të masave dhe politikave mbështetëse anti-krizë të zbatuara nga vende të ndryshme, të zhvilluara apo në zhvillim. Modelet e trajtuara në libër kanë të bëjnë me katër problematika kryesore: strategjitë dhe modelet e mbështetjes dhe ndihmës ndaj “ofertës”, dmth, mbrojtjes dhe ruajtjes së kapaciteteve prodhuese, shërbimeve, tregëtisë nga goditja e rëndë që pësuan; mbështetja e “kërkesës” dmth, konsumit duke ndihmuar veçanërisht shtresat e varfëra dhe kategoritë sociale vulnerabël; roli i shtetit dhe qeverisë në përballimin e kësaj krize nëpërmjet buxhetit dhe borxhit publik; dhe reformat strukturore të domosdoshme në periudhën post-krizë, dmth, ato që kanë të bëjnë me strategjitë e rimëkëmbjes.

Në libër ka analiza të gjera krahasuese në këto drejtime, si me vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Greqia, Serbia, etj., por dhe me vendet e Bashkimit Evropian, ShBA, Kinën, Japoninë, Brazilin, etj.

CMG: Për shkak të epidemisë ekonomia kineze pësoi një goditje të rëndë. Megjithëse mëkëmbja ekonomike e Kinës ka spikatur ndër të gjitha ekonomitë kryesore të botës, do të jetë e vështirë që të arrijë nivelin e para shpërthimit të epidemisë. Për këtë arsye, qeveria ka deklaruar thellimin e reformave dhe nxitjen e gjallërisë ekonomike nëpërmjet marketizimit. Cili është opinioni juaj për modelin kinez të përballimit të krizës ekonomike, pasojë e pandemisë COVID 19?

Duke ju referuar shifrave zyrtare, për të cilat ka dhe një numër të madh kontestimesh, Kina rezulton si një vend që e vuri shpejt në kontroll pandeminë duke patur një numër relativisht të vogël humbje jetësh njerëzore në raport me shumë vende të tjera të botës. Nga ana tjetër, referuar vlerësimeve të FMN-së, ekonomia kineze pritet të preket më pak nga recesioni i shkaktuar nga kriza e Covid-19, megjithëse si gjithë ekonomitë e tjera të zhvilluara të botës, goditja që pësoi ekonomia kineze është shumë e rëndë. Mbas vendosjes së kontrollit mbi pandeminë, Kina ishte nga vendet e para që filloi diskutimet për planin e rimëkëmbjes ekonomike e sociale, plan që përveç zgjedhjeve të qeverisë kineze, u përball me reagime e kontradikta të forta me natyrë gjeopolitike e gjeoekonomike me ShBA-në, BE-në, Japoninë, etj. Tashmë, lufta tregëtare me ShBA-në, reagimet e forta evropiane për “transparencën” kineze në menaxhimin e pandemisë, vënia në diskutim e globalizimit, bllokimi i gjatë i tregëtisë dhe transportit ndërkombëtar, etj., pa dyshim që do lënë gjurmët e tyre në modelin kinez të përballimit të krizës.

Megjithatë, brenda hapësirave që krijon modeli specifik politik dhe ekonomik kinez, thellimi i reformave strukturore dhe objektivi i nxitjes së gjallërimit të ekonomisë pritet të kenë rezultate pozitive në daljen e shpejtë nga kriza dhe mbi të gjitha ruajtjen e nivelit të punësimit dhe të të ardhurave. Rrikthimi i kapaciteteve prodhuese në nivelet e para krizës, mbështetja buxhetore për ekonominë e vogël dhe eksportet, gjallërimi i tregjeve financiare, zhvillimi i turizmit, orientimi drejt teknologjive të reja inovative, inteligjencës artificiale, start-up, etj., janë masa që mund të japin rezultatet e synuara nga qeveria kineze. Vënia e theksit te marketizimi sa më i mirë, ka të bëjë me faktin se ekonomia kineze është shumë e varur nga eksportet ndërkombëtare në raport me konsumin në tregun e brendshëm. Marketizimi është një element i rëndësishëm për përballimin e konkurencës ndërkombëtare, aq më tepër për një vend si Kina, ku niveli i eksporteve është jetik për qëndrueshmërinë ekonomike të vendit.

Eda Merepeza