Nuk ka asnjë provë që Mulan, heroina kineze e filmit vizatimor të Disney-t të vitit 1998 me të njëjtin emër, i cili u bë fim me veprim live në vitin 2020, me aktoren Liu Yifei, ekzistonte me të vërtetë. Megjithatë, bëmat e Hua Mulan, vajzës kineze që maskohet si burrë për të luftuar në vend të babait të saj të sëmurë, janë të njohura në Kinë prej shekujsh.
Historitë e grave me armë, janë ato histori që tregohen në "Baladën e Mulanit" (木蘭詩, Mùlán shi), një poemë kineze, variant original i së cilës ka humbur, por daton rreth shekullit të gjashtë. Balada e Mulanit i atribuohet Liang Tao, një shkrimtar dhe filozof kinez. Kjo poemë sipas disa interpretimeve, ka edhe një bazë historike, që ka të bëjë me fushatën ushtarake të kryer nga dinastia Veriore Wei (e cila arriti të bashkojë Kinën Veriore në fillim të shekullit të 5-të.

Historia e filmit
Historia zhvillohet në Wei Veriore. Perandori thërret burrat e Kinës në armë për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga fiset nomade dhe hunët. Hua Hu, babai i Hua Mulan, është gjithashtu i thirrur për të luftuar. Burri është i moshuar dhe në një gjendje të dobët shëndetësore, kështu që Mulan e bind atë që ta lërë të shkojë në vendin e tij. Ai do të quhet me emrin e vëllait të tij më të vogël, ende shumë i ri për të luftuar.

Mulan do të kalojë nëpër stërvitje të vështira, por ajo tashmë njeh arte marciale, luftime dhe di të përdorë shpatën. Sidoqoftë, në klasikun e Disney-t, Mulan bashkohet me ushtrinë pa lejen e prindërve dhe mëson të luftojë gjatë stërvitjes. Vajza kalon 12 vjet në ushtri pa e zbuluar askush identitetin e saj të vërtetë. Ajo u emërua gjenerale dhe më vonë komandant i ushtrive veriore. Lufta përfundon falë Mulanit, kështu që ajo është e mbushur me nderime dhe i ofrohet një pozicion si zyrtare i lartë. Vajza, që ende vazhdon ta fshehë identitetin e saj, refuzon postin, pasi preferon të shkojë në shtëpi tek familja e saj. Vetëm kur lufta mbaron, një gjeneral i moshuar zbulon identitetin e vërtetë të Mulanit. Ai i kishte ofruar vajzën e tij për martesë, por Mulan e kishte refuzuar vazhdimisht. Gjenerali, i ofenduar zbulon sekretin. Pasi kupton arsyet e vajzës, burri ndjen edhe më shumë admirim për heroinën.
E vërteta e ekzistencës së heroinës
Megjithëse Mulan nuk ekziston në librat e historisë, kinezët mburren me rastin e një luftëtareje femër, që jetoi rreth vitit 1250 para Krishtit: emri i saj është Fu Hao dhe jetonte nën dinastinë Shang. Ajo ishte një nga gratë e sundimtarit Wu Ding dhe arriti të bëhej gjenerale e përgjithshme e ushtrisë. Megjithëse burri i saj, para se të bindej t'i besonte asaj ushtrinë, kërkoi të dinte mendimin e orakujve. Si me të gjitha legjendat e suksesshme, balada e Mulanit ka pësuar përshtatje të ndryshme gjatë shekujve në poezi, këngë dhe poema. Në një version shumë të famshëm, perandori zbulon natyrën e vërtetë të Mulanit dhe dëshiron ta bëjë atë konkubinën e tij, por vajza kundërshton dhe bën vetëvrasje.

Popullariteti i legjendës Mulan besohet të jetë pasojë e kushteve të zymta në të cilat gratë feudale të Kinës u detyruan të jetonin: gjatë dinastive Ming (1368-1644) dhe Qing ato u ndanë në hapësira të veçanta femrash, përgjithësisht në dhomat më të errëta dhe pjesët e brendshme të shtëpisë, ose pjesët më të izoluara të kopshtit nga jashtë.
Heroina e filmit
Një histori kaq e fortë nuk mund të mos tërhiqte kinemanë: një vepër e parë kinematografike daton në vitet 1940, por ka pasur shumë të tjera. Në 1695, Chu Renhuo shkroi një version tjetër të tregimit të Mulanit të titulluar “Romance Sui Tang”. Në këtë variant, shtohen më shumë skena, ndaj ky variant është i ndryshëm nga të tjerët.
Gjithashtu në këtë version, historia fillon me Mulanin që zë vendin e babait të saj. Prezantohet një personazh i ri: vajza luftëtare e mbretit, Xianning, e cila ka për detyrë të rekrutojë ushtarë. Ajo zbulon se Mulan është në të vërtetë një femër dhe të dyja vajzat bëhen si motra. Por, fati i luftës, kësaj radhe, nuk është pozitiv: mbreti mundet. Xianning dhe Mulan dorëzohen dhe ofrohen të ekzekutohen në vend të një të dënuari. Veprimi i tyre ngjall keqardhje dhe perandori kujdeset për shpërblimin e tyre, prandaj: princeshës i jepen para për dasmën dhe Mulanit për të ndihmuar familjen e saj.
Mulan më në fund mund të shkojë në shtëpi, por ka një surprizë të pakëndshme me mbërritjen e saj. Në fakt, Mulan zbulon se gjatë mungesës së saj, babai vdiq dhe nëna u martua përsëri. Fati i vajzës do të jetë që të bëhet konkubinë. Heroina nuk e pranon këtë kusht të ri dhe bën vetëvrasje: “Unë jam femër, kam qenë në luftë dhe kam bërë mjaft. Tani dua të jem me babain tim”.

Historia e realizimit të “Mulan” nuk mbaron këtu. Në 1999 Kina prodhoi gjithashtu një version serial për TV. Në vitin 2009, nën titullin “Mulan”, u publikua një film kinez, i cili shfaqte skena të mëdha luftërash.
Bota perëndimore, nga ana tjetër, zbuloi ekzistencën e këtij personazhi legjendar femër, fillimisht me filmin vizatimor të Disney-t të vitit 1998, Mulan, dhe më vonë me versionin live action të drejtuar nga Niki Caro.
Neritana Kraja