Ambra Hysa (facebook)
Ajo quhet Ambra Hysa. Është 26 vjeç dhe ka përfunduar studimet në Fakultetin e Ekonomisë, ndërkohë që aktualisht po studion në Universitetin turk, "Anadolu University" për shkenca politike.
Ambra punon si gazetare në një revistë në Shkodër, qytetin e saj të lindjes, por ka edhe nje atelie të vogël ku krijon kapele të personalizura dhe aksesorë "handmade"( të punuar me dorë)
Ambra Hysa (foto nga Facebook)
Ambra është “vajza e kapeleve” e apasionuar pas biznesit, por edhe
autore e tre romaneve "Balade e bardhe", "Dashuri në kohë Korone" dhe "Lady D". Pasioni i saj i madh është të shkruajë, ndaj herë pas here ndan me lexuesit refleksione të ndryshme në fushën e psikologjisë, duke qenë se i pëlqen shumë të lexojë libra psikologjikë.
Të udhetojë, të njohë kultura te reja, të komunikojë, të takojë njerëz të rinj, të fotografojë, janë pasione të Ambrës. Ata që e njohin Ambrën e dinë se bota e saj është plot ngjyra, sepse ajo është e dashuruar pas jetes dhe artit.
CMG : Ambra, në shoqëri ju njohin si vajza që...
Ambra Hysa : Me njohin si vajzën me shume pasione, që bën disa gjëra dhe që në fund të ditës unë ndihem e plotë kështu. Përpiqem të kultivoj ndjesi të mira dhe të bëj më të mirën. Kjo lloj rutine më karikon me energji për të vepruar më mirë për të nesërmen. Disa nga pasionet e mia janë shkrimi, arti, dashuria për kapelet etj. Pasionet unë ndoshta pa kuptuar i kam kthyer në profesion. Gazetaria ka qenë gjithashtu një nga pasionet e mia, sepse më ka dhënë atë që kam dëshiruar.
CMG : Si ka qenë Ambra fëmijë?
Ambra Hysa :Fëmijëria krijon themelet e para të atyre gjërave që duam të ndërtojmë. Mbaj mend që kam qenë një natyrë shumë ëndërrimtare dhe kam qenë shumë creative. Doja gjithmonë të shkruaja dhe të ndërtoja histori. Kam qenë e vogël shumë kur i kam kërkuar nënës sime që dua të shkruaj një libër. Një naivitet, por që sot është bërë ëndërr.
Kam ndërtuar edhe histori apo copëza tregimesh për fëmijët e moshës sime, që sot i kujtoj me tepër nostalgji.
CMG : Ambra, në çfarë përjetimesh ndodhesh? Sapo ke nxjerrë në treg edhe një libër të ri. Si vjen ky libër për lexuesin?
Ambra Hysa: Libri ka marrë mesazhe dhe një impakt shumë pozitiv, pasi unë e gjej motivin tek gruaja " Një inspirim goxha i madh". Fokusi im kanë qenë gjithmonë ato... Nxitur nga zhvillimet e fundit mora shkas ta publikoj këtë libër.
CMG: Nisur nga kjo bisedë, cila është marëdhënia që ke me nënën, këshillat me të mira që ke marrë prej saj ?
Ambra Hysa : Nëna ime është shumë e re në moshë dhe ata që më njohin e dinë fort mirë që unë kam një marrëdhënie shumë të ngushtë me të. Duke qenë se ajo ka një moshë të re, jam më e prirur të jem pranë saj.
Kemi një marëdhënie shumë të ngushtë ku mund të mbështetem për çdo gjë, por nga ana tjetër është edhe një mami tepër kërkuese ndaj meje. Është njëkohësisht edhe kritikja më e mirë dhe motivuesja më e mirë.
Më jep atë që duhet në kohën e duhur. E kam shume afër në mendime!
Kapele të prodhuara nga A. Hysa
CMG :Të stilosh kapele dhe njëkohësisht të shkruash, si ndërthuren këto me njëra- tjetrën?
Ambra Hysa : Po. Të gjithë habiten! Mua nuk më habit në fakt sepse të dyja janë art, të dyja janë krijimtari dhe të dyja të japin emocion.
Në fillim unë kapelet i koleksionoja me njerëzit e mi të afërt dhe më pas e pashë që lashë një shije, një impakt tek të tjerët dhe vendosa ta shtrija si ide! Më rezultoi shumë pozitiv sepse u pëlqye dhe sot është një biznes shumë i mirë.
CMG : Duke qenë se i shkruani gruas shqiptare, cilat janë problemet më të evidentuara në lidhje me të?
Ambra Hysa :Në fakt ky libër ka një fokus shumë të rëndësishëm këtë herë. Flet për gruan dhe dashurinë, që duhet të kenë ato për veten. Dashurinë që duhet t’i japin vetes duhet të marrin dhe nga të tjerët.
Por fillimisht duke filluar nga vetë ato.
Pra, është dëshira jonë për të qenë mirë me veten dhe me paqe të plotë dhe ky është një magnet që e tërheq lumturinë. Është një romancë dashurie, por i dedikohet gruas që të mos bëjë asnjë kompromis me jetën dhe lumturinë.
Kam evidentuar që vajzat nuk kanë dashurinë dhe vëmendjen që duhet dhe nisin ta kërkojmë atë nga dikush tjetër.
Por kjo është e gabuar. sepse nëse nuk jemi të plotësuara vetë nuk do ta gjejmë diku tjetër atë plotësim.
Romani Lady D nga Ambra Hysa
CMG: Duke i shkruar dashurisë për veten, a je e plotësuar?
Ambra Hysa : Unë e kam thënë dhe e kam reflektuar edhe në libër që dashuria është patjetër një mekanizëm që ta ben jetën me të bukur. Unë e kam primare dashurinë, sepse ajo më motivon për të bërë gjëra të bukura.
E kam fjalën për të gjitha llojet e dashurisë, jo vetëm atë bashkëshortore.
Çdo marëdhënie për mua është e bukur dhe fokusohem për ta rritur me dashuri dhe vëmendje. Pastaj të gjjtha këto i reflektoj në libër.
CMG: A mund ta përfundosh fjalinë : Jeta më ka mësuar se...
Ambra Hysa : Jeta më ka mësuar se, unë duhet të realizoj çdo dëshirë timen dhe duhet të punoj fort për këtë. Nëse një dëshirë me viziton mua, ajo nuk vjen tek unë rastësisht, por vjen që unë ta vendos në punë. Ta vendos në jetë. Ky është qëllimi im. Kam kuptuar gjithashtu që duhet ta vizualizoj ëndrrën!
Intervistoi :Megi Latifi