Në Tiranë janë disa restorante kineze, që ofrojnë një menu të pasur me gatime tradicionale kineze dhe mjaft të pëlqyeshme nga shqiptarët. Menuja e pasur e këtyre restoranteve bën që klientët të kenë një shumëllojshmëri zgjedhjesh, kur shkojnë për të drekuar apo darkuar. Disa nga restorantet kineze kanë edhe kuzhinierë shqiptarë, që tashmë janë bërë specialistë të gatimeve tradicionale kineze. Ka edhe restorante kineze të cilat ofrojnë shërbimin taksi, duke ua dërguar ushqimin klientëve që porosisin, në shtëpitë e tyre ose në vendet e punës. Shqiptarët kanë mundësi që të zgjedhin përveçse restorantit që ata dëshirojnë të shkojnë, edhe pjatën e tyre të preferuar të gatimeve tradicionale kineze.

Restorantet më të mira kineze në Tiranë, ku ju mund të shijoni këto gatime të mrekullueshme janë:

Oriental City Chinese Restaurant

Chinese Garden Restaurant

Kungfu Express

Tirana Chinese Restaurant Mimi

NEST Chinese Restaurant

Lulishte 1 Maji

Doro Restaurant

Në zemër të kryqytetit, “Oriental City Chinese Restaurant” është vendi i duhur për ata që dashurojnë ushqimin kinez. Menuja përfshin çdo pjatë të kuzhinës kineze, si pulën e ëmbël dhe të athët, apo supën me vezë. Nuk ka gjë më të mirë e më të shijshme se Tava Kineze e mbushur me perime të ndryshme, mish pule, viçi, gici ose me fruta deti.

Po sa i frekuentojnë shqiptarët këto restorante dhe cili është ushqimi kinez, që ata pëlqejnë më shumë? Me mikrofonin e Radio Ejani ne kemi pyetur disa qytetarë që frekuentojnë shpesh restorantet kineze në Tiranë dhe na tregojnë për pjatën e tyre të preferuar, që zgjedhin nga menuja e pasur e kuzhinës kineze, por edhe për dëshirën që ata kanë që këto gatime t’i mësojnë dhe ti pregatisin vetë në shtëpi.

Enida ëhtë një vajzë e re nga Tirana, e cila shkon shpesh të drekojë në restorantet kineze në Tiranë dhe ka pjatën e saj të preferuar nga menuja e gatimeve kineze.

“Unë i vizitoj relativisht shpesh restorantet kineze në Tiranë dhe kohët e fundit janë hapur disa prej tyre dhe kam kuptuar dëshirën e të gjithë shqiptarëve për të njohur akoma më nga afër kuzhinën kineze, ose më saktë kulturën aziatike. Unë kam një restorant të preferuar, i cili ndodhet në zemër të Tiranës dhe quhet “Oriental City Chinese Restaurant”, ku shkoj shumë shpesh sidomos kur më mungon shumë kultura kineze. Aty kam pjatën time të preferuar e cila quhet “Xi hong shi chao ji dan” (gjellë me domate dhe vezë), që ka në përmbajtjen e saj domaten dhe vezën. Normalisht që këto të dyja për ne shqiptarët duken një kombinim pak i çuditshëm, sidomos të gatuara në një pjatë, por për kulturën aziatike ose mënyrën se si ata e gatuajnë është diçka shumë e shijshme, të paktën për mua. Duke mos pasur kohë ose edhe për arsye ekonomike që të shkoj shpesh në restorante kineze unë kam pasur dëshirë që t’i mësoja vetë recetat kineze. Jam munduar shumë shpesh edhe nga miqtë e mi kinezë t’i ndjek ata dhe të marr recetat prej tyre, apo t’i shikoj, por nuk kam arritur akoma që t’i përfundoj nga fillimi deri në fund, që t’i bëj vetë. Mbase për shkak të kohës apo disa gjërave të tjera, por uroj shumë që në të ardhmen të realizoj dhe unë gatimin tim të preferuar të kuzhinës kineze në shtëpi” u shpreh Enida për mikrofonin tonë.

Një tjetër klient i rregullt i restoranteve kineze është edhe Niko, i cili na tregon se ka vizituar disa restorante dhe i pëlqjnë gatimet tradicionale kineze.

“Unë do të veçoja dy nga recetat kineze që i kam provuar dhe i pëlqej, është hot poti e cila më saktë është një pjatë e nxehtë, pra një enë e thellë që mbushet me supë dhe që mund të jetë pikante ose jo. Një tjetër pjatë nga gatimet kineze që më pëlqen është “shaukau” që pak a shumë është me mishra të ndryshëm dhe me perime. Këto gatime i kam provuar në disa vende të ndryshme dhe më kanë shijuar shumë. Unë vetë nuk di ende se si t’i gatuaj sepse nuk kam pasur mundësinë që t’i provoj më përpara, por pse jo do të ishte interesante nëse në të ardhmen do të më jepej mundësia t’i njihja si mënyrë gatimi” u shpreh Niko.

Jo vetëm në kuzhinën italiane mund të provoni pasta të freskëta. Edhe kuzhina kineze mund t’ua ofrojë këtë specialitet. Shqiptarët janë vërtet me fat për këto specialitete, që gjenden lehtësisht në Tiranë. Restorantet kineze presin çdo ditë shqiptarë, por edhe të huaj të cilët vijnë për të vizituar Tiranën, apo jetojnë këtu dhe frekuentojnë rregullisht këto restorante.

Gazmend Agaj