Enida Mara

Enida Mara

Enida Mara ka ndjekur studimet në Kinë për tregti dhe ekonomi ndërkombëtare. Ajo e pëlqen shumë Kinën dhe dëshiron që në të ardhmen të përfundojë masterin dhe të punojë e jetojë në Kinë. Në një intervistë për Radio Ejani ajo sjell kujtimet dhe eksperiencën e saj kineze.

CMG: Enida përshëndetje dhe faleminderit që je me ne në studion e Radio Ejani.

Enida Mara: Përshëndetje dhe faleminderit për ftesën.

CMG: Para se të nisnim bisedën në studio po më tregoje se gjuhën kineze e kishe mësuar para se të shkoje në Kinë. Si erdhi ky interesim për kinezishten?

Enida Mara: Më tepër ishte interesi për të ditur një gjuhë që shumica e njerëzve nuk ja dinë vlerën akoma, pastaj nga momenti që vazhdova kursin për gjuhën kineze mu dha mundësia që të njihesha më tepër me Kinën edhe se çfarë vlere kishte gjuha kineze. Unë e kam vazhduar kursin në vitin 2013 dhe ka zgjatur deri në vitin 2014, pastaj në Kinë kam shkuar në vitin 2015 pas përfundimit të shkollës së mesme.


Enida Mara ne Kine

Enida Mara ne Kine

CMG: Si u krijua mundësia për të vazhduar studimet në Kinë?

Enida Mara: Në vitin e parë nuk isha me bursë por me pagesë. Dëshira e madhe për të ikur në Kinë dhe shtysa që kisha nga mësuesja ime kineze këtu në Shqipëri më bëri që të kërkoja pafund edhe aplikova në një nga shkollat që kisha mundësi dhe ishte shkolla ku unë mund të mësoja një vit tjetër gjuhën për ta përvetësuar më mirë, nga niveli 4 për ta bërë në nivelin 5.

CMG: Ju keni qëndruar në Pekin?

Enida Mara: Po unë kam qëndruar në Pekin në një nga zonat shumë të famshme të Pekint, që është e rrethuar nga universitete. Ishte një eksperiencë që as nuk e mendoja se do të ishte ashtu, sepse e mendoja komplet ndryshe.

CMG: Ditën e parë që mbërrite në Pekin çfarë emocionesh përjetove ?

Enida Mara: Isha shumë e hutuar, por në qejf dhe e lumtur njëkohësisht. Më priti një djalë që e kisha njohur nga wechat dhe kur shkova në hotel çdo gjë më dukej ndryshe, por pa frikë fare edhe pse rrugët e Pekinit ishin aq të mëdha dhe nuk krahasoheshin me të Shqipërisë.


Enida me shoqerine e saj

Enida me shoqerine e saj

CMG: Ndoshta e kishe më të lehtë ambientimin atje sepse kishe mësuar gjuhën dhe për të pyetur për diçka komunikoje në gjuhën kineze.

Enida Mara: Edhe pse isha në nivelin katër të gjuhës prapë më jepte mundësinë që të pyesja se ku janë bankat apo çfarë është kjo. Unë kisha komunikimin bazik sepse niveli pesë është për një kmunikim për të punuar në administrate, apo për t’u regjistruar në shkolla. Kështu që ishte shumë e thjeshtë dhe unë komunikoja kollaj për të marrë ushqimin, për t’u regjistruar në shkollë apo për të shkuar në bankë si dhe për të folur me personat në recepsion tek hoteli. Prandaj nuk ishte e vështirë sepse unë e kisha me qejf.

CMG: Ndalemi pak te ushqimi tradicional kinez. A u ambjentove lehtë me ushqimin në Kinë?

Enida Mara: Në fakt unë kisha konsumuar ushimin kinez në Shqipëri edhe nga mësuesja ime kineze që gatuante ndonjëherë, por edhe sepse shkoja te lokali oriental që është në Tiranë. Por gjithësesi atje ishte gjë tjetër komplet, por edhe përdorimin e shkopinjëve e kisha shumë të thjeshtë, pastaj edhe me gjellët isha ambientuar me shijen e tyre. Duke qenë se e doja aq shumë Kinën, mendoj që ta duash Kinën duhet të duash ushqimin, njerëzit, vendin, largësinë dhe shumë gjëra që ti ta mësosh edhe gjuhën aq mirë.

CMG: Për çfarë keni studiuar në Kinë?

Enida Mara: Vitin e parë që isha me pagesë studiova një vit gjuhën ku bëja një shkollë intensive deri në orën 1 të drekës, pastaj aty mora nivelin 5 të gjuhës kineze. Pastaj aplikova për një bursë te Ambasada kineze në Shqipëri dhe kam ndjekur studimet për tregti dhe ekonomi ndërkombëtare. Kjo është një degë shumë interesante dhe e re në Shqipëri, por në Kinë ishte shumë e përhapur. Për ata persona që duhet të kenë marrëdhënie apo raporte me Kinën, kjo është një degë që i lidh shumë.


Enida mara te Muri i Madh Kinez

Enida mara te Muri i Madh Kinez

CMG: Enida, gjatë kohës së studimeve besoj se ke vizituar edhe vende të bukura të Kinës. Çfarë kujtimesh mund të na sjellësh nga udhëtimet?

Enida Mara: Në fillim normalisht që kam vizituar vetëm Pekinin dhe nuk kam lënë tempull pa shkuar dhe një nga tempujt që është afër shkollës sime dhe më pëlqen quhet Lama Temple në gjuhën angleze dhe është shumë i famshëm në Pekin si dhe shumë i rëndësishëm për ata.

Kam vizituar edhe Murin e Madh kinez që normalisht është një eksperiencë ndryshe, sidomos po të marrësh teleferikun e hapur dhe të shkosh deri në majë dhe pastaj ta zbresësh në këmbë është gjë shumë e veçantë. Në vitet në vazhdim pastaj normalisht duke u ambientuar dhe punuar njëkohësisht kam shkuar në Harbin, Shangai etj. Këto udhëtime janë bërë vit pas viti, ndërkohë që unë punoja dhe grumbulloja diçka që udhëtimet t’i bëja me mundësitë e mija.

CMG: Gjatë kohës së pushimeve midis viteve të studimit ku i kaloje pushimet, në Shqipëri apo zgjidhje ndonjë destinacion tjetër?

Enida Mara: Duke qenë se familja ime ishte në Shqipëri normalisht që dëshira ishte shumë e madhe që të vija këtu. Vitin e para pushimet e dimrit sepse ato i kanë të ndara në dy semestra dhe dimrin e parë normalisht e kalova në Kinë dhe udhëtova në Hong Kong dhe Makau që të kalonte pak dhe koha, por dhe mundësia nuk ishte të vija në Shqipëri sepse biletat ishin të shtrenjta. Pastaj çdo verë kam ardhur në Shqipëri.


Enida ne Kine

Enida ne Kine

CMG: Aktualisht punoni në Shqipëri në një punë që ka lidhje me gjuhën kineze dhe Kinën.

Enida Mara: Në fakt unë tani punoj te Bashkia e Tiranës, por ndërkohë punoj edhe për një kompani kineze ku në fillim fillova si intership në Kinë. Duke qenë se nga pandemia ngela në Shqipëri, ishin shumë të kënaqur dhe ma dhanë si mundësi që mund ta vazhdoja si një punë part time, por që është shumë interesante sepse kam lidhje drejtpërdrejt me një nga kompanitë që po merr një zhvillim goxha të madh në Kinë dhe besoj në të gjithë globin. Kjo është kompania Xiaomi ku bëj lokalizimin e gjuhës dhe uroj ta bëj kontratën sa më gjatë me ta.

CMG: Gjatë kësja periudhe që ke qenë në Shqipëri, të ka marrë malli për Kinën?

Enida Mara: Në fillim ishte dëshira që të rrija sa më shumë në Shqipëri dhe do ta bëja diplomën nga këtu, pastaj më mungonte shumë transporti, metrotë. Këtu në Shqipëri përballem çdo ditë me trafikun. Në njëfare mënyrë më mungon edhe ushqimi, por është diçka që gjindet edhe këtu në një formë tjetër. Më tepër më mungon ajo rutina sepse kisha krijuar një jetë timen atje si dhe shoqërinë time dhe gjithë këto gjëra më mungojnë nga pak.


Enida Mara ne studion e Radio Ejani ne interviste per CMG

Enida Mara ne studion e Radio Ejani ne interviste per CMG

CMG: Cili do të ishte mesazhi që do t’u jepje të rinjve shqiptarë për Kinën?

Enida Mara: Mbase në fillim duket sikur është shumë larg, por tani me teknologjinë çdo gjë është shumë afër mendoj unë. Do ju sugjeroja që kushdo që e ka mundësinë për të mësuar një gjuhë të re, mendoj se në vitet e ardhshme do ja vlejë shumë, mbi të gjitha për të kuptuar më tepër se çfarë bëhet në Azi dhe çfarë është Azia edhe pse neve na duket shumë larg, por edhe për t’i dhënë mundësinë ekonomike vetes dhe për të patur diçka më tepër. Kina do të jetë gjithmonë e rëndësishme për globin kështu që pse jo të flasësh gjuhën kineze.

CMG: Të ardhmen e mendon në Shqipëri apo Kinë?

Enida Mara: Në këtë periudhë nga pandemia çdo gjë nuk është e sigurt, por nuk e kam problem fare që në një të ardhme nëse më del një mundësi masteri apo nëse unë kam një kontratë pune në Kinë të vazhdoj atje dhe pse jo ta shikoj jetën time atje.

CMG: Së fundi një përshëndetje për miqtë tuaj dhe dëgjuesit e Radio Ejani

Enida Mara: Përshëndetje dhe ju falenderoj të gjithëve.

Intervistoi: Gazmend Agaj

Redaktorja: Çang Çuo