Viti i Ri është festa e urimeve dhe dëshirave më të mira, shoqërimit, argëtimit, ngritjes së dollive, tryezave të begatshme dhe shkëmbimit të dhuratave të ndërsjella.

Por, Viti i Ri 2021 do të jetë padyshim një ndër më të veçantët në histori. Na ndajnë vetëm pak ditë nga ndërrimit të motmoteve, por bota po lëngon nga pandemia e koronavirusit me rritje të të frikshme rastesh dhe me mbyllje e kontrolle të rrepta.

Në Korenë e Jugut, Bashkia e Seulit ka anuluar ceremoninë e kambanës për herë të parë prej vitit 1953.

Zyrtari kryesor mjekësor i Anglisë, Chris Whitty, këshilloi që të mënjanohen kontaktet fizike me të afërmit e moshuar gjatë festës. Prandaj, Mbretëresha Elizabeth II dhe bashkëshorti i saj Princi Philip anuluan mbledhjen me familjen e tyre dhe kaluan një Kërshëndellë "të qetë" në Kështjellën Windsor për herë të parë në 33 vjetët e fundit.

Në Francë do të hiqet shtetrrethimi nga 24-31 dhjetor me qëllim që qytetarët të kenë mundësi të lëvizin më lirisht gjatë festave të fundvitit. Njëkohësisht, presidenti francez Emmanuel Macron propozoi që të kontrollohet numri i personave në grumbullimet familjare.

Pavarësisht se viti i ri është “kapur” nga pushteti i pandemisë, duhet që ta presim atë me optimizëm dhe shpresë. Në vijim ju sjellim 8 zakone të vitit të ri në vende të ndryshme të botës, të cilat i has në kohë normale.

1. Shkrirja e plumbit

Në Gjermani, Australi, Finlandë etj. ka një zakon të përbashkët që në Vitin e Ri njerëzit shkrinë plumb për të parashikuar fatin në vitit të ri. Forma e krijuar nga metali i shkrirë tregon të ardhmen. Për shembull, forma e zemrës dhe forma e unazës tregojnë se në vitin pasardhës ndoshta të martoheni ose do gjeni dashurinë e jetës, ndërsa format që ngjasojnë me kafshë tregojnë se do të keni fitime, por varet nga lloji i kafshës gjithashtu. Kuajt zakonisht janë një shenjë shumë fatsjellëse.

2. Enë të thyera përpara derës

Ndoshta ju duket çudi, por danezët kanë një traditë shumë të vjetër të thyerjes së pjatave në pragun e shtësisë së familjarëve ose miqve në Vitin e Ri. Sasia e pjatave të thyera përpara portës apo derës tregon sasinë e miqve që keni! Sa më shumë enë që janë thyer dhe grumbulluar në derën tuaj në 1 janar, aq më shumë miq dhe fat keni. Në Danimarkë, prodhuesit e pjatave dhe porcelanit zbrazin magazinat e tyre shumë shpejt me afrimin e Vitit të Ri. Me të rënë gongu i mesnatës, njerëzit vrapojnë dhe godasin dyert e njëri-tjetrit.

3. “Zhytja e ariut polar”

Keni dëgjuar ndonjëherë për zhytjen e ariut polar? Kjo është tradita e zhytjes në një liqen të ftohtë dimëror ose oqean në mënyrë që të pastrohen të këqijat dhe viti i ri të jetë i pastër dhe i mbarë në të gjithë 365 ditët e tij. Këtë zakonisht e bëjnë kanadezët guximtarë, ata që nuk i druhen të ftohtit. Ky zakon është gjithashtu popullor edhe në Holandë.

4. Xhiro me valixhe bosh

Nëse shpresoni që të bëni sa më shumë udhëtime turistike në vitin e ri, merrni një valixhe bosh dhe bëni një shëtitje jashtë shtëpisë. Në Amerikën e Jugut, shumë njerëz e bëjnë këtë ritual me shpresën se do udhëtojnë sa më shumë në vitin e ri.

5. 12 kokrra rrush

Të hash 12 kokrra rrush në mesnatë e Vitit të Ri është njëkohësisht një traditë dhe një bestytni në Spanjë. Në orën 00.00 në çdo tingull të orës spanjollët hanë një kokërr rrush. Pra me 12 tinguj hahen 12 kokrra rrush për të shpresuar fatmirësi në mbarë vitin.

6 . 108 të rëna këmbanash

Në Japoni kjo festë kremtohet me veshje kafshës dhe në mesnatën e ndërrimit të motmoteve jehojnë 108 të rëna të kambanave nga të gjitha tempujt budistë anë e kënd vendit. Simbolika e 108, nënkupton si vërejtje dhe porosi për largimin e 108 mëkateve të mundshme të njeriut në jetë.

7. Djegia e figurave

Njerëzit në Panama dalin në rrugë në 1 janar dhe djegin figurat e politikanëve dhe të njerëzve të njohur që janë përgatitur më parë. Këto figura vendosen para vitit të ri në portat e banorëve. Njerëzit zgjedhin zakonisht të djegin figurat e politikanëve dhe njerëzve të njohur që nuk dëshirojnë të takohen.

8. Rrobat e brendshme të larmishme

Në Amerikën e Jugut, njerëzit mendojnë se ngjyrat e të brendshmeve në ditën e parë të vitit të ri do të ndikojnë në fatin e të gjithë vitit. Prandaj në ditët e festave shumë dyqane në Venezuelë, Brazil dhe Ekuador do të shesin veshje të brendshme me ngjyra të larmishme. Sipas gojëdhënës, besohet që veshjet e brendshme me ngjyrë të kuqe do të sjellin fat në dashuri, ndërsa ato me ngjyrë të verdhë do të sjellin para. (Çang Çuo/Albana)