Marash Mirashi interviste per CMG

Marash Mirashi interviste per CMG

Marash Mirashi është shkrimtar dhe gazetar, i cili prej më shumë se 20 vitesh realizon emisionin “Hapësirë e blertë”, ndër më të shikuar në Relevizionin Shqiptar (TVSH), një program që i kushtohet njerëzve të thjeshtë, por me dobi të madhe sociale dhe i vetmi format i llojit të tij në televizonet shqiptare. Në rubrikën “Kujtoj” ai na sjell kujtimet e vizitës në Kinë, në vitin 2015.

Marash Mirashi: Është vërtetë kënaqësi që unë bëhem pjesë e rubrikës suaj “Kujtoj”, një rubrikë shumë interesante. Udhëtimet e mia nëpër disa vende të botës kanë qenë kryesisht për shkak të punës, ku kemi pasur fatin të lëvizim nëpër vende të ndryshme. Por dua të them se udhëtimi në Kinë në vitin 2015, ka qenë ndër më mbresëlënësit. Shpeshherë e kujtoj si një vizitë që na hapi horizonte, sepse brezi ynë ka qenë i lidhur me Kinën. Kur një nga pritësit tanë në Kinë, një gazetar i njohur më pyeti se cilat janë lidhjet tuaja me Kinën, unë i thashë se kanë qenë lidhje tregtare, sepse në kohën kur unë isha fëmijë, ndoshta 7 apo 8 vjeç ndërtohej aeroporti i Gjadrit, ku kishte shumë asistencë kineze. Shtëpia ime ishte shumë pranë aeroportit dhe unë në atë periudhë si fëmijë dhe ju shisja kinezëve kumbulla, por përtej kësaj Kina është vërtet një vend i mrekullueshëm me lidhje të ndërsjella me Shqipërinë. Kinematografia shqiptare e para viteve 90-të ka qenë e njohur në Kinë dhe kishte njëfarë sensibiliteti për shkak të marrëdhënieve shumë specifike Shqipëri –Kinë, në ato kohëra që vazhdon edhe sot.

Në udhëtimin tonë në kuadër të “Nismës 16+1 të Kinës”, pra vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore plus Kina, merrnin pjesë 48 gazetarë nga Polonia, Çekia, Sllovenia, Hungaria, Mali i Zi dhe Shqipëria. Mund të them se ka qenë një prej udhëtimeve më të bukura dhe mbresëlënëse, gjithmonë si udhëtime profesionale.

Marash Mirashi me nje koleg kinez

Marash Mirashi me nje koleg kinez

CMG: Nuk kishit qenë ndonjëherë në Kinë? Çfarë përshtypjesh ju la dita e parë kur mbërritët në Kinë?

Marash Mirashi: Ne kemi zbritur në aeroportin e Shangait, ka qenë vera e vitit 2015 dhe ajo çfarë më bëri përshtypje ishte se Shangai ishte një metropol botëror, me të vërtetë një mrekulli ku mund të thoje fare thjesht që jam në një ndër qytetet më modern të Azisë. Kemi qëndruar vetëm një natë në Shangai, pastaj kemi udhëtuar në drejtim të Henanit. Unë si gazetar kisha dëshirë që të eksploroja çfarë është Henani dhe çfarë sjell ky qytet në fushën e bujqësisë. Një nga drejtuesit e delegacionit tha se do të plotësojmë kërkesën e gazetarit nga Shqipëria për të vizituar një plantacion me çajin kinez më të mirë në botë.

Pata fatin e mirë që të realizoj edhe disa intervista me fermerë kinezë, që më vonë i transmetova në TVSH në emisionin “Hapësirë e blertë”. Aty kam marrë impresione që vijnë nga puna e njerëzve të thjeshtë, sepse kinezët janë njerëz shumë punëtorë dhe e duan shumë punën. Ata janë të gatshëm për të punuar gjithçka dhe për një kinez nuk ka turp se çfarë pune bën, por është shumë e rëndësishme të punojë dhe kinezët sot ja kanë arritur. Na tregonin që Kina është në zhvillim e sipër, një vend me rritje të shpejtë ekonomike dhe me njerëz shumë bujarë dhe fisnikë.

Kemi takuar kudo edhe njerëz të thjeshtë dhe na ka bërë përshtypje mikpritja. Pastaj një prej vizitave tona ka qenë në Qytetin e ndaluar, ku jemi mahnitur. Kishim lexuar nëpër libra dhe kishim parë filma, por të gjitha ato legjenda që gëlojnë në këtë qytet të famshëm të bëjnë që të njohësh më gjerë Kinën, kulturën, mentalitetin, lashtësinë dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë këtë shtet kaq të madh e të fuqishëm, si dhe kaq dashamirës me Shqipërine.

Marash Mirashi ne Kine

Marash Mirashi ne Kine

CMG: U përshtatët lehtë me kohën dhe ambientin atje?

Marash Mirashi: Mund të them se shijova një verë të bukur në Kinë, por ajo çfarë unë isha shumë kurioz në fushën e gatimit dhe në fakt kisha shumë dëshirë të shikoja ato shijet e veçanta të kinezëve, pasi dihet se janë mjeshtra në fushën e kulinarisë. Më ka bërë përshtypje ai qielli blu dhe kaq i bukur, pastërtia dhe si mos të përshtatesh me një vend kaq të madh dhe kaq bujar si Kina. Vërtetë kam shumë nostalgji.

CMG : Keni ndonjë kujtim të veçantë nga ditët e qëndrimit në Kinë, përveç agjendës dhe takimve?

Marash Mirashi: Ishim në provincën e Henanit me rreth 200 milion banorë. Takuam kreun e provinces dhe e pyetëm se cili ka qenë problem në menaxhimin e kësaj province të madhe. Ai tha se patëm një problem para disa muajve, ku zbritën 3 milion kinezë në qytet, të ardhur nga fshatrat dhe malësitë dhe u ndodhëm përballë një fluksi shumë të madh, por ne tha me shumë force, punë e përkushtim i sistemuam të 3 milion kinezët nëpër apartamente, për një periudhë prej gjashtë muajsh.

Ndërsa një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm ka qenë se disa grupe xhirimi të televizioneve të ndryshme të qytetit apo dhe gazetarë të gazetave kineze ishin shumë të interesuar për të parë se çfarë mendojnë evropianët për Kinën. Ne u treguam se Kina është një vend shumë i bukur dhe me tradita të ndryshme nga Evropa, por në një pikë bashkohemi sepse kemi lashtësinë, kulturën, mirësinë dhe mirëkuptimin. Një tjetër gjë që më ka bërë përshtypje ishte fakti sepse kemi takuar një të moshuar kinez i cili dinte përmendësh muzikën e filmave shqiptarë “Debatiku” dhe “Duel i heshtur” dhe i interpretonte me zërin e vet. Kjo ishte diçka shumë e bukur dhe gjithmonë gazetarët e vendeve të ndryshme thonin se si ka mundësi që juve miqësoheni kaq shpejt me kinezët.

Ne ishim krenar teksa kinezët na donin kaq shumë, sepse ishte ruajtur fryma e miqësisë, sepse sigurisht prindërit e tyre ju kanë treguar fëmijëve që ne dikur kemi qenë në Shqipëri, ku kemi takuar njerëz që kanë qenë në ndërtimin e hidrocentraleve. Prania jonë atje ku pamë atë zhvillim kaq të madh e të vrullshëm, atë etjen e njerëzve të Kinës për të mësuar dhe punuar, ka qenë vërtet një mrekulli.

Marash Mirashi ne Radion e Jashtme te Kines

Marash Mirashi ne Radion e Jashtme te Kines

CMG: Çfarë të pëlqeu më shumë nga Pekini?

Marash Mirashi: Pekini ishte një qytet super i madh dhe i pastër. Edukata ishte e jashtëzakonshme, respektimi i gjithçkaje në qytet. Në Pekin ne vizituam edhe mjediset seksionit të shqipes në Radion e Jashtme të Kinës, ku u pritëm shumë mire. Madje drejtues të lartë të CRI-së ishin pritësit tanë ku kaluam bukur, duke komunikuar përsa i përket eksperiencave me njëri-tjetrin.

Pekini më pëlqen shumë për faktin se është një qytet i kulturës më fine sidomos në fushën e muzikës. Pekini është padyshim një prej kryeqyteteve që ka se çfarë ti tregojë botës. Ngado ku shkonim në Pekin shihnim që lindin qytete të reja nëpër periferi dhe kjo ishte një gjë magjike. Diçka tjetër që unë kujtoj nga Pekini është respekti që këta njerëz kanë për evropianët, duke dashur të bisedojnë dhe janë shumë të çlirët. Ndoshta në të ardhmen pse jo një udhëtim tjetër në Kinë do të ishte për mua një gjë fantastike, sepse më pëlqen të shkoj për së dyti në vendet që më kanë lënë shumë mbresa, siç është Kina.

CMG: Faleminderit për këtë bisedë të bukur dhe kujtimet që ju sollët nga Kina. Suksese në punën tuaj!

Marash Mirashi: Ju falenderoj shumë duke ju uruar punë të mbarë dhe suksese me këtë rubrikë shumë interesante, që mban gjallë lidhjet e Shqipërisë me Kinën.

(Gazmend Agaj, Redaktor: Çang Çuo)