Pemët janë simbol i miqësisë së mirë dhe lidhjeve të ngushta midis popujve. Mbjellja e pemëve shton gjelbërimin e qytetit dhe ajrin e pastër, për të cilin të gjithë kemi nevojë. Parkut të madh të kryeqytetit shqiptar, i njohur si “mushkëria e Tiranës”, një nga destinacionet më të frekuentuara vitet e fundit, ku qytetarët pushojnë dhe kryejnë veprimtari sportive, ju shtuan edhe 150 pemë, dhuratë nga Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në shenjë miqësie të hershme midis dy vendeve.

Këto “pemë miqësie”, u dhuruan nga Ambasada Kineze me rastin e 100 vjetorit të Tiranës Kryeqytet si dhe 71 vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës. Ambasadori kinez Zhou Ding, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani dhe deputeti socialist Bashkim Fino mbollën disa nga pemët në parkun e Liqenit Artificial. Një veprimtari në natyrë mblodhi dhe personalitete të fushave të ndryshme, shumica prej të cilëve miq të hershëm të Kinës. Pemët që u mbollën në Parkun e madh të liqenit artificial të Tiranës ishin të llojeve të ndryshme, si bredh, rrap, apo bli disa prej tyre me një moshë gati 10 vjeçare.

Gjatë përshëndetjes së tij, Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës kujtoi se në fillimin e shpërthimeve të COVID-19 në Kinë, Bashkia e Tiranës nisi një fushatë për të mbështetur Kinën në betejën e saj, kundër pandemisë, duke refuzuar gjithashtu stigmatizimin dhe diskriminimin.

“Tirana është gjithashtu një qytet miqësor, i hapur dhe tolerant. Unë mbaj mend se në fillim të këtij viti, pas shpërthimit të COVID-19 në Kinë, kryetari Veliaj inicioi një aktivitet për të mbështetur luftën e Kinës kundër pandemisë, duke hedhur poshtë stigmatizimin dhe diskriminimin, aktiviteti i cili ishte shumë prekës dhe frymëzues. Vitin e kaluar, kisha kënaqësi të shihja Forumin e Kryebashkiakëve të Vendeve 17+1, të organizuar suksesshëm nga Bashkia Tiranë, ku u diskutuan dhe u shkëmbyen këtu planet e zhvillimit të qëndrueshëm të qyteteve. Jam i bindur se kjo frymë e hapur e tolerante, do t’i sjellë Tiranës mundësi të reja të zhvillimit dhe gjallëri të re në mënyrë të vazhdueshme”-tha ambasadori kinez.

Ndër të tjera Ambasadori Zhou theksoi se Kina synon një botë pa ndotje, me ajër të pastër e të lulëzuar dhe se është e gatshme të punojë së bashku me Shqipërinë, për promovimin e rimëkëmbjes së “gjelbër ekonomike”

“Në takimet që po zhvillohen me rastin e 75-vjetorit të OKB-së, vende të ndryshme po bëjnë thirrje për ringjalljen e multilateralizmit, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër pandemisë, dhe zbatimin e plotë të Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Presidenti i Kinës Xi Jinping ka premtuar se Kina do të përpiqet të arrijë kulmin e emetimeve të dioksidit të karbonit para vitit 2030 dhe të arrijë neutralitetin e karbonit para 2060, gjë që tregon vendosmërinë e Kinës në rrugën e zhvillimit të gjelbër me karbon të ulët. Ekonomia e gjelbër dhe ekonomia digjitale do të drejtojnë rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit e të qytetit. Kina është e gatshme që bashkë me Shqipërinë, të nxisim rimëkëmbjen e gjelbër ekonomike pas pandemisë”- nënvizoi ambasadori Zhou Ding

Ambasadori tha gjithashtu se miqësia midis Kinës dhe Shqipërisë është forcuar dhe mbjellja e pemëve tregon për një miqësi që do të vazhdojë përjetësisht midis dy popujve.

“Uroj që pemët e miqësisë të lulëzojnë gjithmonë në këtë tokë miqësore. Me kalimin e kohës, miqësia e sinqertë midis dy popujve tanë mbetet e përjetshme. Sot, duke trashëguar traditën, ne mbjellim pemë të reja të miqësisë në Parkun e Liqenit, me bindje se edhe këto pemë do të rriten e lulëzojnë në këtë tokë miqësore”-ishte mesazhi i ambasadorit Zhou Ding

Kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë midis Shqipërisë dhe Kinës, deputeti socialist Bashkim Fino falenderoi ambasadën kineze dhe ambasadorin në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, për ndihmën e vazhdueshme, që i është dhënë Shqipërisë.

Në fjalën e saj, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani vlerësoi dhuratën e veçantë të ambasadës kineze. Pemët e miqësisë do të rriten në tokën shqiptare dhe gjelbërimi i tyre është një shenjë domethënëse e marrëdhënieve të ngrohta dhe të ndërsjella midis dy vendeve dhe popujve.

Gazmend Agaj