Të enjten, në Galerinë e Arteve të Provincës Anhui të sapokrijuar, u hap Ekspozita e Artit të Han Meilin-it. Në këtë ekspozitë janë vendosur mbi 400 vepra të përzgjedhura të artistit veteran Han Meilin, që shfaqin në mënyrë të gjithanshme arritjet e tij në fushat e kaligrafisë, pikturës me bojë, skulpturës, qeramikës, drugdhendjes, artit të punimit të hekurit, zejtarisë popullore etj.

Han Meilin-i është një nga mjeshtrat kryesorë të artit në Kinë. Ai ka dhënë kontribut në shumë fusha artistike gjatë shtatë dekadave të fundit. Ndër krijimet e tij të panumërta, maskotët e Lojërave Olimpike të Pekinit 2008 "Fuwa", emblema e kompanisë ajrore "Air China" dhe pullat me kafshët e zodiakut kanë fituar vlerësime të gjera. Han Meilin-i është i aftë ta thithë thelbin e kulturës tradicionale kineze, duke kombinuar forma të ndryshme. Ai integron me mjeshtëri realizmin, artin abstrakt, vizatimin e lirë me furçë dhe teknika të tjera, duke krijuar stilin e tij unik.

Han Meilin-i ka lindur në vitin 1936 në provincën Shandong të Kinës Lindore. Në moshën 27-vjeçare ai u transferua nga Pekini në një institut studimor të arteve dhe zejeve në provincën Anhui për të mbështetur krijimin e institucioneve vendore të arteve. Pikërisht aty Han Meilin-i u zhyt në kulturën popullore duke përmirësuar aftësitë e tij. Ai e konsideron Anhuin si vendlindjen e vet të dytë, pasi punoi dhe jetoi atje për 22 vjet.

Artisti shprehet se Anhui është vendi ku filloi jeta e tij artistike, duke shtuar se ai ka bërë shumë miq atje. Pas disa dekadave, Han Meilin-i u kthye në Anhui dhe ndihet sikur u kthye në shtëpi. Kjo ekspozitë u hedh një sy 22 vjetëve që kaloi ai në Anhui, duke treguar se si kultura vendore e frymëzoi atë gjatë asaj kohe. Pa dyshim, kujtimet e tij më të bukura atje do të jetojnë përmes veprave të tij në ekspozitë. (Fani/Artan)