John Lee, që fitoi zgjedhjet për kryeekzekutivin e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut më 8 maj, do të marrë detyrën më 1 korrik, duke pasuar Carrie Lam-in.

Kryeministri kinez Li Keqiang nënshkroi dekretin e Këshillit të Shtetit mbi emërimin.

Qeveria qendrore do të vazhdojë të zbatojë me vendosmëri parimet "Një vend, dy sisteme" dhe "Qeverisje e Hong-Kongut nga hongkongasit" me një shkallë të lartë autonomie, do të ushtrojë juridiksionin e gjithanshëm të qeverisë qendrore mbi Rajonin e Posaçëm të Hong-Kongut dhe do ta përkrahë plotësisht kryeekzekutivin dhe qeverinë e Rajonit të Posaçëm në qeverisjen e Hong-Kongut sipas ligjit, vuri në dukje Li Keqiang.

Ai u shpreh gjithashtu se qeveria qendrore do ta përkrahë Hong-Kongun të forcojë statusin e tij si një qendër ndërkombëtare financiare, tregtare dhe detare, duke përshpejtuar ndërtimin e një qendre ndërkombëtare të risive dhe të teknologjisë, për të rritur konkurrueshmërinë ndërkombëtare të Hong-Kongut.

John Lee bëri një deklaratë, ku shprehu falënderimin për emërimin si kryeekzekutiv nga qeveria qendrore, duke u zotuar se do ta përballojë misionin e tij "me besnikëri dhe këmbëngulje".

"Unë do të përballem me sfidat e ardhshme, do të përpiqem të ndihmoj njerëzit në nevojë, të bashkoj shoqërinë dhe të ndërtoj një Hong-Kong me gjallëri, shpresë dhe mundësi, si edhe me një kulturë kujdesi e përfshirjeje," tha ai. (Fani/Artan)