Më 30 shtator, presidenti kinez Xi Jinping dhe liderë të tjerë të Partisë Komuniste Kineze dhe të shtetit morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar në sheshin “Tiananmen”, ku vendosën shporta me lule në nderim të heronjve kombëtarë.

Aktiviteti u zhvillua me rastin e Ditës së Dëshmorëve, më 30 shtator, një ditë para Ditës Kombëtare të Kinës.

Liderët e tjerë ishin Li Keqiang, Li Zhanshu, Wang Yang, Wang Huning, Zhao Leji, Han Zheng and Wang Qishan.

Gjithashtu, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të ndryshëm, si fituesit e medaljes “1 Korriku”, e cila simbolizon nderin më të lartë të PKK-së.

Pjesëmarrësit kënduan himnin kombëtar të Kinës dhe mbajtën heshtje për të kujtuar ata që kanë sakrifikuar jetën e tyre për çlirimin e popullit kinez dhe për themelimin e Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949.

Nëntë shporta të mëdha me lule u vendosën përpara Monumentit të Heronjve të Popullit në sheshin “Tiananmen”. Xi dhe liderët e tjerë shkuan te monumenti, ku ai rregulloi fjongot e kuqe në shporta dhe më pas drejtoi zyrtarët e tjerë të lartë të ecin rreth monumentit, për të bërë homazhe për heronjtë kombëtarë të rënë.

Dita e Dëshmorëve u kremtua për herë të parë në vitin 2014 dhe nderon ata që kanë bërë sakrifica të mëdha në betejat për kauzat kombëtare. Ajo është një nga tre ditët përkujtimore kombëtare në Kinë, krahas Ditës së Fitores së Luftës së Popullit Kinez ndaj Agresionit Japonez më 3 shtator dhe Ditës Kombëtare të Kujtimit për Viktimat e Masakrës në Nankin më 13 dhjetor.