Foto nga VCG

Të shtunën u zhvillua në Muzeun e Incidentit të 18 Shtatorit në qytetin Shenyang në provincën Liaoning të Kinës Verilindore një ceremoni e rënies së kambanës me rastin e 90-vjetorit të sulmit të ushtrisë japoneze, që shkaktoi fillimin e Luftës së Rezistencës të Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez, preludi i Luftës së Dytë Botërore.

Më 18 shtator të vitit 1931 trupat japoneze hodhën në erë një pjesë të hekurudhës afër Shenyang-ut nën kontrollin e tyre dhe i akuzuan trupat kineze për sabotim, si pretekst për agresionin e mëvonshëm.

Në ceremoninë përkujtimore në muze morën pjesë rreth 100 veta nga qarqet e ndryshme. Kambana ra 14 herë, si simbol i numrit të viteve të rezistencës së Kinës (1931-1945). Si zakonisht, sirenat u dëgjuan në Shenyang për t'u kujtuar njerëzve këtë histori.

Qyteti Shenyang e përkujtoi këtë incident në mënyra të ndryshme. Zhan Hongge, një koleksionist, zbuloi për herë të parë disa dokumente historike që dëshmojnë luftën agresive të trupave japoneze dhe egërsinë e tyre.

Zhan Hongge i dhuroi muzeut relikte dhe materiale historike që ai i ka mbledhur për 20 vjet, dhe shprehu shpresën se ato mund të pasurojnë historinë e incidentit dhe të ndihmojnë më shumë njerëz të dinë të vërtetën.

Krahas Shenyang-ut, edhe në qytete të tjera në të gjithë Kinën u zhvilluan aktivitete përkujtimore, si rënia e alarmit, vizita në muze etj. (Fani)