Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Tre astronautët kinezë Nie Haisheng, Liu Boming dhe Tang Hongbo, u kthyen sot në Tokë, duke përfunduar një mision tremujor për ndërtimin e stacionit hapësinor të Kinës, të njohur si “Tiangong” ose "Pallati Qiellor".

Ekuipazhi jetoi në stacionin hapësinor për 90 ditë, duke vendosur një rekord për astronautët kinezë në një mision të vetëm.

Tre muaj më parë, më 17 qershor, Kina lëshoi anijen kozmike “Shenzhou-12”, që kreu lidhjen me modulin bazë “Tianhe” po atë ditë. Më pas tre astronautët u vendosën me sukses në “ Tianhe”.

Më 4 korrik, tre astronautët bashkëpunuan dhe përfunduan me sukses aktivitetin e parë jashtë një mjeti kozmik të Kinës, ndërsa më 20 gusht kryen aktivitetin e dytë të tillë, që zgjati për 6 orë.

“Shenzhou-12” është misioni i shtatë me ekuipazh në hapësirë i Kinës dhe i pari gjatë ndërtimit të stacionit hapësinor kinez “Tiangong”.

Astronautët bashkëpunonin për të kryer bashkërisht aktivitet jashtë mjetit kozmik(Foto:Xinhua)

Astronautët bashkëpunonin për të kryer bashkërisht aktivitet jashtë mjetit kozmik(Foto:Xinhua)

Sipas planit, një anije mallrash dhe një anije kozmike me ekuipazh do të lëshohen gjithashtu këtë vit për t'u lidhur me modulin bazë, dhe një treshe tjetër astronautësh do të qëndrojnë në orbitë për gjashtë muaj.

Stacioni i parë hapësinor kinez “Tiangong” është ndërtuar dhe është vënë në funksionim në mënyrë të pavarur nga Kina.

Ky stacion në formë T-je ka një modul bazë në qendër dhe nga një kapsulë laboratorike në secilën anë. “Tiangong” pritet të jetë i vetmi stacion hapësinor në funksionim në vitin 2024, kur të tërhiqet Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar, që ndodhet ende në orbitë.

Foto:CGTN

Foto:CGTN

Foto:CGTN

Foto:CGTN

Kina ka bërë përherë thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar në hapësirë bazuar në barazinë dhe përfitimin e ndërsjellë dhe shfrytëzimin paqësor, duke e mbajtur stacionin e vet hapësinor të hapur për projekte bashkëpunimi nga të gjitha vendet.

Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës ka bashkëpunuar me Zyrën për Çështjet e Hapësirës së Jashtme të Kombeve të Bashkuara, duke ftuar anëtarët e OKB-së për eksperimente shkencore në stacionin hapësinor “Tiangong”.

Në vitin 2019, Kina shpalli kontingjentin e parë të nëntë projekteve ndërkombëtare të përzgjedhura bashkërisht, duke përfshirë 23 institucione nga 17 vende, në fushat e mjekësisë hapësinore, shkencave të jetës, bioteknologjisë, fizikës së mikrogravitetit dhe teknologji të tjera të reja. Eksperimentet e përzgjedhura ishin nga vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim, si Franca, Gjermania, Japonia, Kenia e Peruja, dhe mbulojnë një gamë të gjerë disiplinash shkencore, duke përfshirë vrojtimin e Tokës, qelizat fotovoltaike, shkencat e jetës në hapësirë dhe bioteknologjinë.