Agjencia "Xinhua" njoftoi të enjten se ditët e fundit, Administrata Shtetërore për Rregullimin e Tregut e Kinës nisi hetimin sipas ligjit mbi dyshimet për konkurrencë të padrejtë prej kompanisë kineze "Vipshop".

Në deklaratën e bërë në uebsajtin e Administratës për Rregullimin e Tregut vihet në dukje se hetimet e kohëve të fundit ndaj gjigantëve të internetit dhe disa kompanive relativisht të vogla të tregtisë elektronike kanë dhënë një mesazh të qartë: para rregullave të administrimit të tregut, të gjitha kompanitë janë të barabarta.

Tregu është burimi më i çmuar global dhe është po ashtu një burim për zhvillimin. Për të mbrojtur dhe shfrytëzuar siç duhet epërsinë e tregut të madh të Kinës, duhet të forcohet rregullimi i rendit të ekonomisë së tregut dhe të nxitet konkurrenca e barabartë në treg. Konkurrenca e barabartë është pikërisht baza e ekonomisë së tregut.

Vitet e fundit, me zhvillimin e shpejtë të ekonomisë së internetit, shumë platforma në internet janë zhvilluar shpejt. Këto platforma kanë sjellë modele të reja biznesi, duke u krijuar konsumatorëve lehtësi. Nga ana tjetër, konkurrenca është acaruar dita-ditës dhe, në të njëjtën kohë, është shfaqur problemi i konkurrencës së padrejtë, duke lëkundur gradualisht bazat e zhvillimit të shëndetshëm të ekonomisë së tregut.

Forcimi dhe zgjerimi i tregut është qëllimi i çdo kompanie dhe kjo mbrohet nga konkurrenca e barabartë dhe nga ligjet e rregullat e administrimit të tregut. Por, përdorimi i mjeteve të padrejta për t'ia arritur qëllimit shkakton konkurrencën e pandershme në treg dhe, si pasojë, çmimi i mallrave mund të kontrollohet nga vetëm disa kompani, duke shtuar si përfundim koston për konsumatorët.

Prandaj, në mbledhjen qendrore të punës ekonomike të zhvilluar pak kohë më parë u paraqitën kërkesat për forcimin e hartimit të rregullave dhe të aftësisë së administrimit, duke kundërshtuar me vendosmëri monopolin dhe konkurrencën e padrejtë.

Qeveria kineze shpreson se, nëpërmjet forcimit të administrimit, do të përhapet koncepti i konkurrencës së barabartë, duke nxitur kompanitë e ndryshme t'u kushtojnë më shumë vëmendje risive, për t'u sjellë konsumatorëve më shumë përfitime nga zhvillimi i tregut dhe për të krijuar një mjedis biznesi më të mirë. Ky është qëllimi i forcimit të administrimit të tregut. (Fani/Artan)