Foto:VCG

Foto:VCG

Ditët e fundit, Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit, Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës dhe Ministria e Mjedisit e Kinës kanë publikuar bashkërisht planin e zbatimit të arritjes së kulmit të lëshimit të karbonit në sektorin industrial. Në këtë plan thuhet qartë që në vitin 2025, harxhimi i energjisë për çdo njësi të vlerës së shtuar të ndërmarrjeve të mëdha industriale do të ulet me 13.5 % në krahasim me vitin 2020. Krahas kësaj, janë paraqitur detyrat kryesore, si përmirësimi i thellë i strukturës industriale, nxitja e thellë e kursimit të energjisë dhe uljes së karbonit, si edhe veprimet e arritjes së kulmit të karbonit në sektorët kryesorë dhe të shtimit të furnizimit të produkteve të gjelbra e me karbon të ulët.

Në dokumentin e publikuar vihet në dukje që, gjatë periudhës së planit të 14-të 5-vjeçar, do të ketë përparime aktive në optimizimin e strukturës industriale dhe të strukturës së përdorimit të energjisë, do të rritet me përmasa të mëdha shfrytëzimi i burimeve energjetike, do të ndërtohen një kontingjent fabrikash të gjelbra e zonash të gjelbra industriale dhe do të zhvillohen, prodhohen e përhapen një sërë produktesh dhe pajisjesh industriale me efekte të dukshme në lëshimin e ulët, zero, madje edhe minus të karbonit, me synim që të krijohet një bazë e fortë për arritjen e kulmit të karbonit në sektorin industrial.

Në këtë plan përmirësimi i strukturës industriale është detyra e parë. Për të realizuar këtë detyrë, duhet të kufizohet në mënyrë të vendosur zhvillimi i verbër i projekteve me harxhim të lartë të energjisë e lëshim të lartë të karbonit dhe me nivel të ulët teknologjik, si dhe duhet të zhvillohen me fuqi të madhe industritë e gjelbra e me karbon të ulët. Sipas planit, do të inkurajohet zhvillimi i grupimit të industrive të metalurgjisë së zezë dhe asaj me ngjyrë. Në bazë të teknologjive të reja të informacionit, bioteknologjisë, energjive të reja, materialeve të reja, pajisjeve të nivelit të lartë, automjeteve me energji të re, mbrojtjes së gjelbër të mjedisit dhe sektorëve të rinj strategjikë, si astronautika dhe pajisjet oqeanike, do të krijohen grupet industriale të prodhimit modern me efekte të dukshme në lëshimin e ulët të karbonit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Për nxitjen e thellë të kursimit të energjisë dhe uljen e lëshimit të karbonit, propozohet që të rregullohet struktura e konsumit të energjisë, të kontrollohet konsumi i energjisë fosile dhe të pakësohet gradualisht përdorimi i qymyrgurit në sektorë si metalurgjia e zezë, materialet e ndërtimit, petrokimia dhe metalurgjia me ngjyrë. Ndërkohë, do të nxitet zhvillimi i energjisë së hidrogjenit me zinxhirin e plotë të prodhimit, rezervimit, transportimit dhe konsumit. Gjithashtu, do të inkurajohet përdorimi i energjive të pastra në ndërmarrjet e parqet industriale dhe do të mbështetet ndërtimi i sistemit “energji fotovoltaike + rezervim i energjisë” në ndërmarrjet që kanë kapacitetet e duhura.

Në këtë projekt janë paraqitur dy veprimet kryesore: veprimi i arritjes së kulmit të karbonit në sektorët kryesorë dhe veprimi për shtimin e furnizimit të produkteve të gjelbra e me karbon të ulët. Për veprimin e parë është përcaktuar qartë projekti i zbatimit për arritjen e kulmit të karbonit në sektorët kryesorë, si metalurgjia e zezë, materialet e ndërtimit, petrokimia dhe metalurgjia me ngjyrë. Do të përpilohet harta e rrugës së zhvillimit në konsum, prodhimin e pajisjeve dhe sektorin elektronik. Për sektorë të ndryshëm do të merren masa të ndryshme. Do të garantohet nxitja e vazhdueshme dhe do të ulet e do të kontrollohet niveli i lëshimit të karbonit.

Për rregullimin dhe përmirësimin e strukturës, duhet të ketë një sistem të plotë garantues, si përsosja e ligjeve dhe rregullave, përmirësimi i politikave ekonomike, plotësimi i mekanizmit të tregut dhe zhvillimi i financës së gjelbër. Ndër to, duhet të formohet dhe të plotësohet sistemi i politikave tatimore që është në të mirë të zhvillimit të gjelbër me karbon të ulët, si edhe të zbatohen në mënyrë praktike politikat favorizuese tatimore, në fusha si kursimi i burimeve ujore e energjetike dhe shfrytëzimi i burimeve. Po ashtu, duhet të shfrytëzohet më mirë roli nxitës i politikave tatimore në zhvillimin e gjelbër të ndërmarrjeve. Krahas këtyre, do të plotësohet sistemi i transaksioneve të të drejtave të lëshimit të karbonit, do të zgjerohen sektorët e përfshirë dhe do të krijohen gradualisht bursat për tregtimin e të drejtave të lëshimit të karbonit e të drejtave të përdorimit të energjisë, si edhe tregtimin e energjisë elektrike.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sektori i industrisë është një ndër lëshuesit kryesorë të karbonit, prandaj zhvillimi me karbon të ulët i këtij sektori ka ndikim të rëndësishëm në arritjen e kulmit të karbonit dhe asnjanësimit të karbonit në mbarë vendin. Kështu u shpreh studiuesi i Qendrës së Bashkëpunimit Ekonomik Ndërkombëtar pranë Ministrisë së Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit të Kinës, Mao Tao. Ai tha që publikimi i këtij projekti është bazuar në gjendjen reale të zhvillimit me karbon të ulët në industritë e ndryshme. Projekti ka mbajtur parasysh objektivat kombëtarë për arritjen e kulmit e të asnjanësimit të karbonit dhe mund të stimulojë më shumë ndërmarrje dhe parqe industriale të ndryshojnë modelin e tyre në një model me karbon të ulët. (Jiang Lei)