Në distriktin Shijingshan në perëndim të kryeqytetit kinez Pekin gjendet Grupi “Shougang” (Grupi i Çelikut i Kryeqytetit). “Shougang” është një nga ndërmarrjet kryesore të çelikut në Kinë, i cili u themelua në vitin 1919 dhe është një nga 500 ndërmarrjet më të fuqishme botërore.

Para Lojërave Olimpike të Pekinit 2008, për të përmirësuar më tej mjedisin ekologjik të Pekinit, uzina e çelikut “Shougang” ndaloi prodhimin dhe u shpërngul tërësisht në Caofeidian të qytetit Tangshan në provincën Hebei. Pas kësaj, zona e uzinës “Shougang” filloi të rindërtohet, duke i transformuar objektet e mbetura të uzinës në një park industrial.

Me vendosjen në maj të vitit 2016 në parkun “Shougang” të Komitetit Organizator të Lojërave Olimpike e Paralimpike Dimërore të Pekinit 2022, parku “Shougang” është pajisur me elemente olimpike. Zyrat e komitetit gjendet mbi më shumë se 10 depo mineralesh të transformuara, së bashku me korridorë transportues ajrorë, stacione transporti etj., pamja e Komitetit Organizator shfaq stilin tërheqës industrial. Pas kësaj, disa depo e ndërtesa të uzinës u shndërruan në stadiume të sporteve në akull e dëborë ku stërviten ekipet kombëtare kineze të sporteve dimërore, si ekipi i patinazhit artistik, ekipi i patinazhit të shpejtësisë etj.

Krahas kësaj, parku “Shougang” është një nga zonat e zhvillimit të Olimpiadës Dimërore ku do të organizohet gara e kërcimit me ski e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022. Më 31 tetor të vitit 2019 u përurua platforma e kërcimit me ski. Lartësia më e madhe e platformës arrin në 60 metra, ndërsa gjatësia e korsisë së garës arrin në 164 metra. Në projektimin e platformës së kërcimit u përfshinë elementet e muraleve “Dunhuang” të Kinës, kurse lakorja e bukur e platformës i ngjan shumë shiritit fluturues në veshjen e zanës të mitologjisë kineze. Platforma e kërcimit me ski gjendet buzë liqenit Qunming në parkun “Shougang” dhe reflektohet në sipërfaqen e liqenit duke shfaqur një peizazh shumë të bukur. Gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, këtu do të jepen katër medalje ari.

Në parkun “Shougang” ka edhe një kodër me emrin “Shijingshan” dhe emri i distriktit Shijingshan të Pekinit vjen pikërisht nga kjo kodër. Kodra Shijingshan gjendet buzë lumit Yongding dhe ka një lartësi 183.7 metra mbi nivelin e detit. Në këtë kodër ka mbi 50 relikte të feve budiste e taoiste me histori të lashtë dhe ajo quhet “kodra më e shenjtë në Pekin”.

Kur bëjmë shëtitje nëpër parkun “Shougang”, mund të ndiejmë atmosferën e fortë industriale, mund të hamë në restorante të kuzhinës kineze e perëndimore, mund të ulemi në kafene, mund të banojmë në hotele etj. Ndërtimi i parkut është ende në vijim. Në të ardhmen, këtu do të krijohen edhe qendra blerjeje dhe më shumë objekte argëtimi do të jenë në pritje të qytetarëve. (Foto nga VCG)