Kohët e fundit, Kina ka publikuar një sërë masash mbikëqyrëse ndaj platformave të internetit, trajnimeve arsimore dhe sigurisë së informacionit. Këto masa janë hartuar me synim që të nxitet formimi i një mjedisi tregu me konkurrim të barabartë dhe të mbrohen më mirë interesat e konsumatorëve, si edhe të përmirësohet sistemi i ekonomisë së tregut me karakter socialist.

Qysh nga Kongresi i 18-të i PKK-së, Kina ka marrë një sërë vendimesh ndaj veprimeve monopoliste dhe konkurrencës së pandershme, duke forcuar sistemin e mbikëqyrjes së tregut, me synim që të nxitet formimi i sistemit të integruar, të hapur dhe me konkurrim të rregullt në treg.

Duke marrë parasysh disa ndërmarrje që janë në zgjerim dhe zhvillim të shfrenuar dhe jo të rregullt, sektorët përkatës kanë forcuar nivelin e mbikëqyrjes dhe sipas ligjit, kanë rregulluar veprimet monopoliste dhe konkurrencën e padrejtë. Deri tani, kjo ka pasur efekte fillestare pozitive në parandalimin e zgjerimit të parregullt dhe ka stabilizuar rendin e tregut me konkurrim të barabartë.

Në fakt, qysh nga Kongresi i 18-të i PKK-së, Kina ka ngulur këmbë në “Dy moslëkundjet” (“Konsolidimi dhe zhvillimi i palëkundur i ekonomisë publike” dhe “Inkurajimi, mbështetja dhe drejtimi i palëkundur i zhvillimit të ekonomisë private”), duke marrë një sërë masash reformuese që nxisin zhvillimin e ekonomisë private, duke injektuar më tej gjallëri dhe besim për ndërmarrjet private. Me thellimin e reformave në lehtësimin e procesit administrativ, është formuar hapësira e gjerë e zhvillimit për subjektet e ndryshme të tregut, posaçërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Tani, numri i subjekteve në treg është rritur në 146 milionë, nga 55 milionë në vitin 2012, ose afro 1.7 herë më shumë. Krahas kësaj, janë marrë edhe masa mbështetëse për të ndihmuar ndërmarrjet të kalojnë kohën e vështirë dhe të përmbledhin forcat e zhvillimit.

Këto masa kanë treguar që statusi dhe roli i ekonomisë private në zhvillimin e ekonomisë kombëtare të Kinës nuk kanë ndryshuar; parimi dhe politikat e Kinës për inkurajimin, mbështetjen dhe drejtimin e zhvillimit të ekonomisë private nuk kanë ndryshuar; politikat për krijimin e mjedisit të mirë të zhvillimit nuk kanë ndryshuar. Autoritetet kineze deklaruan që, në gjendjen e re, duhet të ngulet këmbë te “Dy moslëkundjet”, të përmirësohet mjedisi i sundimit të ligjit që mbështet zhvillimin e ekonomisë private dhe ndërmarrjeve të huaja, të përmirësohet mjedisi i tregut që mbështet zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të formohet mjedisi i tregut me përdorimin e barabartë të elementeve dhe burimeve, me konkurrim të barabartë dhe me mbrojtjen nga ligji. Të gjitha masat mbikëqyrëse janë të barabarta dhe kanë në fokus veprimet e paligjshme, dhe nuk drejtohen kundër ndonjë sektori ose ndërmarrjeje.

Hapja është politika bazë e Kinës dhe asnjëherë nuk do të lëkundet. Në gjendjen me modelin e ri të zhvillimit, porta e Kinës do të hapet më tej dhe Kina do të ndajë rastet e zhvillimit me vendet e botës. Përpara rritjes së dukshme të mosstabilitetit dhe paqartësisë të ekonomisë botërore dhe përhapjes së unilaterizmit, proteksionizmit dhe ekstremizmit, Kina nuk ka ndalur hapjen e saj, por ka publikuar një sërë masash në zgjerimin e hapjes, si zbatimi i gjithanshëm i ligjit të investimeve të huaja, pakësimi i mëtejshëm i listës negative për hyrjen e investimeve të huaja, zgjerimi i qëndrueshëm i hapjes së tregut financiar, publikimi i projektit për ndërtimin e portit të tregtisë së lirë në Hainan, forcimi i masave të hapjes në Shenzhen e Pudong dhe shtimi i pikave eksperimentale për tregtinë e shërbimeve.

Në shtatë muajt e parë të vitit 2021, në mbarë Kinën përdorimi real i investimeve të huaja arriti në 672.19 miliardë juanë, 25.5% më shumë se një vit më parë. Investitorët e huaj janë optimistë dhe të bindur për biznesin e tyre në tregun kinez. Investitorët e huaj kanë pranuar: “Kina gjithmonë mbështet frymën e sipërmarrjes dhe vazhdon të hapë tregun për investimet e huaja.”

Në të ardhmen, Kina do të nxitë në mënyrë të vendosur hapjen e nivelit të lartë, do të mbrojë të drejtat dhe interesat e investimeve të huaja të ligjshme, do të nxitë konkurrimin e barabartë mes ndërmarrjeve vendase e të huaja, do të mbrojë të drejtat e pronësisë intelektuale, do të shtojë transparencën e politikave përkatëse dhe do të formojë situatën e re me hapje të gjithanshme që mbulon të gjithë sektorët dhe nivelet.

Rregullimi i zhvillimit synon për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm. Parimi dhe politikat ekonomike për periudhën afatgjatë nuk kanë ndryshuar. Kina do të vazhdojë të përpiqet për të përmirësuar sistemin me konkurrim të barabartë, për të aktivizuar gjallërinë e zhvillimit të subjekteve të tregut dhe për të gjallëruar të gjitha forcat që janë në të mirë të zhvillimit të produktivitetit të vendit. (Jiang Lei)