Mali Flakërues në Turpan të Xinjing-ut në Kinën Veriperëndimore është pika më tërheqëse turistike vendore. Mali gjendet në buzën veriore të Pellgut të Turpan-it, i cili ka qenë kalimi verior i Rrugës së lashtë të Mëndafshit. Mali Flakërues shtrihet për mbi 100 kilometra, lartësia e tij mbi nivelin e detit është rreth 500 metra dhe maja e malit ka një lartësi prej 831.7 metrash.

Mali Flakërues gjendet në një zonë me klimë shumë të thatë dhe është vendi më i nxehtë në Kinë. Temperatura më e lartë në verë shkon në 47.8 gradë celsius dhe temperatura në sipërfaqe mund të arrijë në 89 gradë. Sasia mesatare vjetore e reshjeve këtu është vetëm 16 mm dhe nuk është për t’u habitur që nuk bie aspak shi gjatë gjithë vitit, prandaj Mali Flakërues është edhe vendi më i thatë në Kinë.

Në Malin Flakërues nuk rritet asnjë dru ose bar. Në verë, nën diellin e nxehtë, mali i kuqërremë vezullon e ajri i nxehtë ngrihet si flakë që digjet, ndaj emri i malit vjen pikërisht nga kjo dukuri. Vendasit e quajnë Malin Flakërues edhe “Mali i Kuq”.

Megjithëse Mali Flakërues nuk ka klimë të përshtatshme, ai është një mal shumë i famshëm në Kinë dhe tërheq turistë të panumërt. Kjo ka lidhje me romanin klasik mitologjik kinez “Udhëtim drejt Perëndimit”. Në këtë vepër madhore letrare të shkruar në dinastinë Ming (1368-1644), autori Wu Chengen përshkruan historinë e shkuarjes së murgut Tang bashkë me tre dishepujt e tij - Sun Wukong (Majmuni), Zhu Bajie (Derri) dhe murgu Sha - në parajsën perëndimore për të kërkuar shkrimet e shenjta budiste. Gjatë udhëtimit, ata të katër kapërcyen 81 vështirësi të mëdha, duke arritur më në fund në destinacion.

Gjatë udhëtimit ndodhën shumë histori emocionuese e interesante, një prej të cilave pikërisht në Malin Flakërues. Kur grupi i murgut Tang arrin këtu, mali që digjet e ndërpret udhën e tyre. Në këtë çast, Sun Wukong-u merr vesh se bashkëshortja e Demit Demon, princesha Tieshan, ka një erashkë të madhe që mund ta shuajë zjarrin, dhe vendosi të shkojë tek ajo për t'i huazuar erashkën. Por kjo nuk është një gjë e thjeshtë, kjo erashkë është gjë e çmuar për çiftin e Demit Demon dhe ata nuk dëshirojnë ta japin hua. Sun Wukong-u shkoi tre herë te princesha Tieshan, por më kot. Më në fund, Sun Wukong-u dhe Zhu Bajie e mposhtën së bashku çiftin e Demit Demon dhe e morën erashkën. Pas shuarjes së zjarrit të malit, ata vazhduan udhën.

Historia e huazimit të erashkës nga Sun Wukong është e njohur nga çdo kinez dhe Mali Flakërues fitoi famë të madhe për shkak të romanit “Udhëtim drejt Perëndimit”. Njerëz shkojnë në Malin Flakërues për të kërkuar gjurmët e legjendës. (Foto nga VCG)