Aktori Klod Hoxha ne interviste me CMG

Aktori Klod Hoxha ne interviste me CMG

Klod Hoxha është aktor i njohur i teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Në një intervistë ekskluzive për Radio Ejani ai na tregon për projektet e tij artistike si dhe vizitën në Kinë në vitin 2017 me trupën e Teatrit kombëtar për shfaqjen “Zbutja e Kryeneçes”.

CMG: Klod, faleminderit që u bërë pjesë e rubrikës “Kujtoj” për Radio Ejani.

Klod Hoxha: Ju faleminderit shumë për ftesën dhe për mua është një kënaqësi që të jem pjesë e kësaj rubrike.

Klod Hoxha

Klod Hoxha

CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet tuaja vitin që shkoi dhe sa ju ka penguar pandemia?

Klod Hoxha: Tani përsa i përket nisjes së sezonit në vitin 2020 ku për mua të paktën do të niste si një vit shumë i suksesshëm, duke nisur me një shfaqje “Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament” që edhe nga kritika dhe publiku u prit jashtëzakonisht mirë ku dhe u cilësua si komedia e vitit. Por na qëlloi për fat të keq pandemia dhe mbeti në gjysmë shfaqja, por shpresojmë që t’i rikthehemi këtë vit për publikun këtu në Shqipëri.

Aktori Klod Hoxha

Aktori Klod Hoxha

CMG: Nuk keni provuar që shfaqjet t’i sillnit për publikun në ambient të hapur?

Klod Hoxha: Përsa i përket dhënies së shfaqjes në ambiente të jashtme edhe e kemi menduar këtë gjë, por kanë qenë shfaqje për një ambient të mbyllur, pra nuk janë shfaqje eksperimentale që mund të luhen jashtë. E kemi parë këtë si mundësi, por ka qenë virusi mbi të gjitha që na ka penalizuar për çdo gjë. Unë kam qenë me disa produksione të tjera ku sapo mbarova xhirimet me një film me metrazh të gjatë që është produksion amerikan, ku ngjarjet zhvillohen në Shqipëri, SHBA, Kanada dhe Angli. Shpresojmë që kjo të ketë dalë mirë dhe të shohim për vazhdimësi. Ndërkohë jemi me premierën e një filmi horror, ku përsëri është një produksion amerikan dhe luajnë aktorë amerikanë dhe shqiptarë.

CMG: Ju jeni një aktor i veçantë përsa i takon roleve në teatër dhe kinematografi. Ky besoj është një sukses që ti kesh të dyja zhanret, teatrin dhe filmin?

Klod Hoxha: Unë i bëj me kënaqësi të dyja, si teatrin ashtu edhe filmin dhe jam aktor që përshtatem. Unë kam 15 vjet që luaj teatër, por dhe filmin nuk e kam lënë pas dore. Përderisa ka funksionuar deri tani dua të them që jam një aktor që përshtatem shumë mirë në të dyja, pastaj përsa i përket karakterit tim disa njerëz më thonë që jam shume dramatik, nganjëherë komik, pra kjo varet nga këndvështrime të ndryshme, por unë i bëj të gjitha duke qenë se jam dhe pak natyrë serioze.

Klod Hozha ne Kine

Klod Hozha ne Kine

CMG: Ndërkohë që të luash në filmat botërorë është fat për një aktor. Si jeni ndjerë në bashkëpunimet tuaja me regjizorët apo aktorët e huaj gjatë realizimit të këtyre filmave?

Klod Hoxha: Për ne nuk ekzistojnë produksionet e huaja apo shqiptare sepse aktorët kanë një gjuhë të përbashkët, që është aktrimi dhe të gjithë lidhemi shumë mirë me njëri- tjetrin ku mjafton të kemi tekstin dhe ne veprojmë në bazë të gjërave që na japin regjizorët. Përsa i përket anës shoqërore apo si të ndjehemi si aktorë, nuk ndjehemi inferior sepse Shqipëria ka aktorë shumë të mire, ku ka edhe produksione shumë të mira.

CMG: Ndalemi tani tek vizita juaj në Kinë, ku për herë të parë Teatri Kombëtar shkoi me një shfaqje teatrale në Kinë. Si u prit kjo shfaqje nga spektatori kinez?

Klod Hoxha: Ne kemi qenë në vitn 2017 në Kinë me shfaqjen “Zbutja e Kryeneçes” ku për mua ka qenë një eksperiencë e bukur dhe një pritje e jashtëzakonshme nga autoritetet kineze, ku jemi ndjerë shumë të vlerësuar. Për mua ka qenë një nga kujtimet më të bukura duke qenë se vajtëm në Xian dhe Fuzhou. Kanë qenë dy vende dhe dy kultura ku ne jemi kënaqur jashtë mase dhe që e mbajmë mend si një eksperiencë të bukur. Shfaqja “Zbutja e Kryeneçes” është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku kinez dhe kemi parë që është folur shumë për këtë shfaqje.

Aktori Klod Hoxha ne Kine

Aktori Klod Hoxha ne Kine

CMG: Keni qëndruar 15 ditë në Kinë, përveç shfaqjes kishit kohë të lirë për të shëtitur dhe të eksploronit pak Kinën?

Klod Hoxha: Natyrisht që po, sepse kemi pasur kohë të mjaftueshme edhe për të vizituar ato vende, megjithëse na mbetën fiksim edhe shumë vende të tjera sepse Kina është një vend i mbushur plot me muze dhe gjëra të tjera ku mund të kënaqesh dhe argëtohesh. Na ka mbetur peng që nuk shkuam në Pekin, por edhe në shumë vende të tjera. Por në Xian ne pamë Ushtrinë e Terrakotës që është një nga kryeveprat botërore, ku kemi mbetur të gjithë pa mend kur kemi dalë nga aty, ku përveç asaj që pamë ishte edhe historia që ajo mbarte në vetvete. Unë mezi pres të shkoj përsëri në Kinë.

Klod Hoxha me regjisoren Elma Doresi dhe aktore ne Kine

Klod Hoxha me regjisoren Elma Doresi dhe aktore ne Kine

CMG: Në qofë se do të vinte ndonjë ofertë për të luajtur film në Kinë, apo për të çuar ndonjë shfaqje tuajën besoj se do të shkosh?

Klod Hoxha: Patjetër që po, sepse unë që kur isha në Kinë i kam mbajtur marrëdhëniet shumë te mira dhe kur u ktheva në Shqipëri direkt erdhi një produksion kinez, ku realizuan filmin “Balkan blood” këtu në Shqipëri, ku stafi ishte kinez dhe shqiptar. Ky film është pritur shumë mirë në Kinë dhe është një film i zhanrit aksion. Ndërkohë që edhe shfaqja e vitit 2020 “Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament” ishte në diskutim për të shkuar në Kinë, ku do të xhirohej një serial. Unë çdo gjë e kisha gati për të vajtur, por për arsye të pandemisë u pezullua. Gjithashtu prisnim edhe dy filma të tjerë kinezë, që të vinin këtu në Shqipëri për t’u xhiruar. Pra dua të them që me Kinën kam një lidhje shumë të fortë. Shpresoj që këtë vit të kemi akoma gjëra në bashkëprodhim, sepse ka qenë një eksperiencë shumë e mirë te filmi i parë dhe shpresoj që edhe në vazhdim të jetë ky bashkëpunim.

CMG: Çfarë projektesh të tjera keni për vitin 2021?

Klod Hoxha: Përsa i përket viti 2021 jam në diskutime për rifillimin e dy projekteve filmike, që mund të rifillojnë së shpejti me një regjisor amerikan dhe shpresojmë të na eci mbarë.

Intervistoi: Gazmend Agaj

Redaktorja: Çang Çuo