Nga 4 deri më 14 prill mbahet në Espoo të Finlandës Kampionati Botëror i Hokejit në Akull për Femra i vitit 2019, një turne ndërkombëtar i zhvilluar nga Federata Ndërkombëtare e Hokejit në Akull. Në këtë sport dimëror dominon Kanadaja. Në emisionin tonë të sotëm do të flasim pikërisht për një hokejiste kanadeze, Heyley Wickenheiser, që ka qenë 7 herë kampione bote dhe ka marrë pjesë gjashtë herë në Olimpiadë, duke fituar 4 medalje të arta dhe 1 të argjendtë me ekipin e saj. Ajo është një titane e sportit, një liderë jo vetëm në fushën e akullt, por edhe jashtë saj. Ajo është gjithashtu e para hokejiste femër që ka shënuar gol në ligën profesioniste të meshkujve.

Vitet e para

Hayley Wickenheiser ka lindur më 12 gusht 1978 në Shaunavon të Kanadasë dhe filloi të luajë hokej në akull në një shesh patinazhi në oborrin e shtëpisë të ndërtuar nga babai i saj. Në vitin 1990, ajo u zhvendos me familjen në Kalgari dhe më pas përfaqësoi Albertën në Lojërat Dimërore të Kanadasë të vitit 1991 në Sharlotaun. Heyley mori pjesë në një turne për vajzat adoleshente në moshën 17-vjeçare dhe më të vogla. Në ekipin e saj, ajo jo vetëm ishte lojtarja më e re, por edhe më e shkurtra (rreth 1.5 metra). Ajo shënoi tre gola në turne, përfshirë edhe golin e fitores në finalen e kampionatit, duke i dhënë kështu ekipit të Albertës medaljen e artë. Pas ndeshjes, Heyley u emërua lojtare më e vlefshme e turneut (MVP).

Kampionatet Botërore të Hokejit në Akull

Wickenheiser luajti në kampionatin e parë të saj botëror të hokejit për femra për ekipin kombëtar kanadez në 1994, në Lake Placid të Nju- Jorkut. Në moshën 15-vjeçare, Wickenheiser ishte lojtarja më e re në skuadrën e saj. Ajo luajti në tre ndeshje dhe me një pasim të dhënë në finale e ndihmoi Kanadanë të fitojë medaljen e artë.

Në kampionatin botëror të vitit 1997 në Kitchener të Ontarios, 18-vjeçarja Wickenheiser u bë një forcë sulmuese. Ajo udhëhoqi ekipin e Kanadasë në shënim golash me nëntë pikë dhe përsëri me pasimin e saj ndihmoi në shënimit e golit të fitores në kohën shtesë të finales, duke bërë kështu që Kanadaja të mundë Shtetet e Bashkuara me rezultatin 4-3. Në 1999 dhe 2000, nën udhëheqjen e Hayley-t Kanadaja fitoi titullin kampione e hokejit në akull, por nuk ishte në gjendje ta mbante titullin në vitin 200, sepse Hayley pati lëndim në gju. Në 2005-n për herë të parë, ekipi kanadez humbi ndaj ShBA-së në lojën vendimtare për medaljen e artë të kampionatit.

Në vitin 2007, Wickenheiser vendosi një rekord kanadez me 14 pikë, në kampionatin botëror të hokejit. Në turneun në Winnipeg, ekipi i Kanadasë fitoi kampionatin e parë botëror që nga viti 2004, duke mundur Shtetet e Bashkuara me rezultatin 5-1 në ndeshjen finale. Wickenheiser mori shiritin e kapitenes nga Cassie Campbell dhe u bë MVP-ja e kësaj veprimtarie.

Hayley gjithashtu tregoi lidershipin e saj të jashtëzakonshëm në kampionatin botëror të hokejit të femrave 2012. Ekipi i Kanadasë fitoi medaljen e artë duke mposhtur Shtetet e Bashkuara 5-4 në kohën shtesë, megjithëse ishte mundur nga kjo rivale 9-2 në raundin paraprak. Hayley më vonë e ndihmoi Kanadanë në fitimin e medaljeve të argjendta të kampionatit botëror në vitet 2013 dhe 2016.

Karriera olimpike

Wickenheiser ishte gjithashtu një fuqi e madhe në Lojërat Olimpike. Me gjithë dominimin e Kanadasë në kampionatin botëror në 1997, skuadra kombëtare nuk arriti të siguronte një medalje ari në Olimpiadën e vitit 1998. Në Lojërat Olimpike Dimërore të Nagano-s atë vit, ShBA-ja mundi Kanadanë 3-1 dhe Wickenheiser vetëm të arrinte fitimin e medaljes së argjendtë.

Megjithatë, ajo nuk priti për një kohë të gjatë për të artën. Në Lojërat Olimpike Dimërore 2002 në Salt Lake City, Wickenheiser ishte lojtarja më e vlefshme e turneut, ndërsa ekipi i Kanadasë siguroi medaljen e vet të parë të artë olimpike me një fitore 3-2 ndaj Shteteve të Bashkuara. Wickenheiser ishte bashkëlidere e turneut në shënimin e golave (shtatë) dhe fitimin e pikëve (dhjetë).

Në Lojërat Olimpike Dimërore 2006 në Torino, pritej që Kanadaja të tregonte rolin e saj dominues me praninë e Wickenheiser-it kundrejt amerikaneve. Suedia megjithatë i befasoi të gjithë spektatorët duke mundur ShBA-në në gjysmëfinale dhe u takua papritur në finale me Kanadanë. Kanadezët dolën përsëri fitimtare me rezultatin 4-1, ndërsa Wickenheiser u shpall edhe një herë tjetër MVP e turneut.

Wickenheiser fitoi medaljen e tretë të artë në hokejin për femra në Lojërat Olimpike Dimërore të Vankuverit 2010. Në Olimpiadën Dimërore 2014 në Soçi të Rusisë, Wickenheiser u zgjodh flamurmbajtëse për vendin e saj në ceremonitë e hapjes. Në këtë turne, Wickenheiser shënoi dy gola dhe dha pasime në shënimin e tre golave në pesë ndeshje. Kësisoj ekipi kanadez fitoi medaljen e katërt të artë të radhës.

Arritje të tjera

Në periudhën 2002-03, Wickenheiser luajti në ligën e hokejit të Finlandës për meshkuj, duke shënuar dy gola dhe duke dhënë nëntë pasime goli për ekipin "HC Salamat". Më 31 janar 2003, Wickenheiser u bë hokejistja e parë që shënonte gol në një ligë profesioniste të hokejit për meshkuj.

Ajo ishte gjithashtu një lojtare e shquar e softbollit dhe ishte anëtare e ekipit kombëtar kanadez të softbollit në Lojërat Olimpike të Sidneit 2000.

(Wang Xianya)