Ndërsa në Melburn është duke u zhvilluar Turneu i Hapur i Australisë, tenistja e parë aziatike që e ka fituar këtë turne të "Grand Slam"-it është përzgjedhur për t'u përfshirë në Sallën e Famës Ndërkombëtare të Tenisit, duke qenë përsëri tenistja e parë aziatike që merr këtë vlerësim, më i larti në botën e tenisit. Ajo arriti deri në vendin e dytë të renditjes botërore të tenisteve femrave dhe që ka fituar 9 tituj individualë të Shoqatës së Tenisit të Femrave dhe dy tituj individualë të "Grand Slam-it", fillimisht "Roland Garrosin" në vitin 2011 dhe tre vjet më pas Turneun e Hapur të Australisë. Ajo është legjenda e tenisit kinez, Li Na.

Li Na ka lindur në vitin 1982 në kryeqendrën e provinës Hubei Wuhan. Babai i saj ishte lojtar badmintoni dhe Li Na nisi edhe ajo ta luajë këtë sport në moshën 6-vjeçare. Kur ishte 14 vjeçe, ajo humbi të atin nga një sëmundje e rrallë kardiovaskulare. Li Na ishte në një turne në Kinën Jugore në atë kohë dhe trajneri i saj nuk i tha për disa ditë, derisa të mbaronte turneu. "Është dhembja ime më e thellë që nuk arrita t'i them lamtumirë", shkruan tenistja e njohur në autobiografinë e saj. E ëma hyri në borxhe, dhe Li Na kujton se kjo e nxiti të fitonte në turne të ndryshme, që të siguronte qoftë edhe ndonjë shpërblim të vogël për të kthyer borxhet.

Dhe me gjithë pikëllimin, Li Na nisi të shkëlqente në tenis. Vetëm disa muaj nga vdekja e të atit, ajo fitoi titullin e parë kombëtar për të rinjtë. Në vitin 1999 Li Na u kthye në një teniste profesioniste. Ajo filloi të merrte pjesë në turnetë e të ashtuquajturit Rrethi i Federatës Ndërkombëtare të Tenisit, duke fituar tre nga katër turnetë e para ku mori pjesë në ndeshjet individuale dhe të shtatë turnetë në ndeshjet dyshe. Një vit më pas ajo nisi të luajë në një veprimtari edhe më të rëndësishme, në Turin e Shoqatës së Tenisit të Femrave, duke arritur përsëri një numër fitoresh si në turnetë individuale, ashtu edhe dyshe.

Në vitin 2002 Li Na e la ekipin kombëtar dhe nisi studimet në Fakultetin e Gazetarisë të Universitetit të Shkencës dhe të Teknologjisë të Huazhong-ut, por pas dy vjetësh u kthye përsëri në kombëtare.

Pas rikthimit, tenistja kineze fitoi të 26 ndeshjet e para rresht. Atë vit, ajo fitoi 51 ndeshje individuale dhe humbi vetëm katër, duke zënë vendin e 80-të në renditjen botërore. Li Na u bë e para teniste kineze që fitonte një veprimtari të Turit të Shoqatës së Tenisit të Femrave.

Një vit më pas, në 2005, Li Na do të luante për herë të parë në një turne të "Grand Slam"-it, në Turneun e Hapur të Australisë. Li arriti deri në raundin e tretë, kur u eliminua nga Maria Sharapova.

Në vitin 2006 Li Na u bë e para teniste kineze që arrinte në çerekfinale në një turne të "Grand Slam"-it, në "Wimbledon", duke u ngjitur më pas në vendin e 20-të në renditjen botërore.

Viti 2008 do të ishte një vit kyç për Li Na-në, pasi ajo vendosi të shkëputej nga sistemi shtetëror dhe të bëhej një sportiste e lirë. Kjo do të thoshte se Li Na do të ishte vetë përgjegjëse për sigurinë e saj financiare, pagesën e trajnerit, udhëtimet dhe gjithçka tjetër. Por ai vit do të është i rëndësishëm për të edhe për një arsye tjetër. Për herë të parë Lojërat Olimpike organizoheshin në atdheun e saj. Li Na nuk mund ta humbiste një rast të tillë, duke bërë një paraqitje mbresëlënëse. Ajo mundi numrin tre të botës Svetlana Kuznetsova që në ndeshjen e vet të parë në Olimpiadë, e pas dy fitoreve të tjera, triumfoi në çerekfinale ndaj një tjetër emri të njohur, si Venus Williams. Por në gjysmëfinale Li Na u mund, ashtu siç humbi edhe në ndeshjen për vendin e tretë, duke zënë kështu vendin e katërt e duke mbetur jashtë zonës së medaljeve.

Në vitin 2010, në çerekfinalen e Turneut të Hapur të Australisë, Li Na e mposhti përsëri Venus Williams-in, por u mund në gjysmëfinale nga motra tjetër Williams, Serena. Sidoqoftë, pas turneut Li u bë për herë të parë pjesë e listës së 10 tenisteve më të mira në botë dhe e para teniste kineze që e kishte arritur një sukses të tillë. Por kulmi i karrierës së Li Na-së do të ishte një vit më vonë, kur fillimisht arriti deri në finalen e Turneut të Hapur të Australisë dhe më pas, e ndjekur nga 116 milionë shikues në atdheun e saj, u bë fituese e "Roland Garros"-it. Kjo ishte hera e parë e fitimit të një turne të "Grand Slam"-it jo vetëm nga Li Na, por edhe nga një teniste aziatike në përgjithësi.

Li Na do ta përsëriste një sukses të tillë pas tre vjetësh, në Turneun e Hapur të Australisë. Megjithëse kjo ishte hera e dytë që ajo fitonte një turne të "Grand Slam"-it, përsëri pati një "herë të parë" edhe në këtë rast: Li Na u bë e para teniste nga Azia që triumfonte në këtë turne.

Kjo fitore e renditi 32-vjeçaren në numrin dy të renditjes botërore.

Por pikërisht kur ishte në majën e karrierës së vet dhe të tenisit të femrave, për shkak të një dëmtimi në gju, një prej shumë të tillave gjatë karrierës së vet, në 19 shtator 2014 Li Na vendosi ta lërë sportin.

Li Na mbetet tenistja më e madhe kineze dhe një ndër emrat më të njohur të sportit kinez në përgjithësi. Në vitin 2013 revista "TIME" e përfshiu atë në listën e njerëzve me ndikim më të madh në botë. Falë saj tenisi sot është bërë një sport i popullarizuar në Kinë, ku ka mbi 15 milionë tenistë e teniste. Li Na shpreson se ata do ta çojnë tenisin kinez në nivele edhe më të larta sesa ato ku e ngriti ajo.

"Unë vërtet shpresoj se nuk do të jem tenistja më e suksesshme kineze dhe se dikush tjetër do t'i thyejë të gjitha rekordet e mia. Do të isha shumë e lumtur nëse dikush do të mësonte nga përvoja ime dhe do të bëhej një tenist a teniste më e mirë," shprehet diva e tenisit kinez.