Në Emiratet e Bashkuara Arabe po zhvillohet edicioni i 15-të i Kupës së Botës të Klubeve të FIFA-s për vitin 2018. Kupa e Botës e Klubeve është një turne ndërkombëtar midis klubeve kampione nga të gjashtë konfederatat kontinentale, plus ekipin kampion të vendit organizator. Në finalen që do të zhvillohet sot, përballë njëri-tjetrit do të jenë "Reali" i Madridit, që do të mundohet të mbrojë titullin, dhe surpriza e këtij turneu, ekipi i "Al-Ainit" i vendit organizator, Emirateve të Bashkuara. Por sigurisht pretendenti kryesor për ta fituar për të tretën herë radhas dhe të katërtën herë gjithsej titullin është "Reali".

E pikërisht një legjendë e los blancos do të jetë personazhi i emisionit tonë të sotëm, Alfredo Di Stefano. Ai vlerësohet si një prej lojtarëve më të mirë në gjithë kohërat, por njihet më mirë për arritjet e tij me "Realin" e Madridit. Ky futbollist i famshëm argjentinas është quajtur me nofkën "Saeta rubia" ("Shigjeta bionde"), sepse ishte sulmues i fuqishëm, i shpejtë, i shkathët taktikisht, me kreativitet dhe vizion, i cili mund të luante pothuajse në çdo pozicion në fushë. Ai renditet i gjashti në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e kampionatit spanjoll, dhe i treti ndër golshënuesit e "Realit" të Madridit në "La Liga" në të gjithë kohërat (216 gola në 282 ndeshje të "La Liga"-s) në vitet 1953 deri 1964). Ai fitoi pesë kupa evropiane rresht me merengët, duke shënuar në të pesta finalet. Argjentinasi i votua si futbollsti i katërt më i madh i shekullit të 20-të.

Nëse i pyet njerëzit se cili është futbollisti më i mirë i gjithë kohërave, nga shumica mund të marrësh përgjigjen: "Pele". Por nëse Peles i heq rastin për të luajtur në tre kupa bote për arsye të një lufte botërore ose dëmtimit, një argjentinas me emrin Alfredo Di Stefano ndoshta do të kishte mundësinë të ishte ylli më i shkëlqyer në skenën e futbollit botëror.

I lindur 14 vjet më parë sesa Pele, Alfred Di Stefano pa dyshin ishte futbollisti më i mirë i kohës së tij. Ai përfaqësoi Spanjën, Argjentinën dhe Kolumbinë në nivel ndërkombëtar dhe i siguroi një rekord prej pesë titujsh me radhë të Kupës Europiane "Realit" të Madridit, duke u shpallur dy herë Futbollisti Evropian i Vitit në vitet '50. Trajneri i tij te "Reali" i Madridit Minguel Munoz e ka përshkruar kështu: "Madhështia e Alfredo Di Stefanos ishte që, me atë në anën tënde, ti kishe nga dy lojtarë në çdo pozicion."

Një paraqitje e shpejtë e karrierës së Di Stefanos mund të të bindë për madhëshinë e këtij sportisti.

Alfredo lindi në periferi të Buenos-Airesit më 4 korrik 1926 dhe ishte djali më i madh i dy prindërve italianë. Fëmijërinë e hershme e kaloi në fermën e familjes, ndërsa në moshën 12 vjeç u bë pjesë e një ekipi për të rinjtë. Pasi fitoi në kampionatin amator, Di Stefano iu bashkua në moshën 15-vjeçare ekipit "River Plate". Pikërisht në këtë klub, ai u bë i famshëm me pseudonimin "La Saeta Rubia", që do të thotë "Shigjeta bionde", duke pasur menjëherë ndikimin e vet duke u bërë shënuesi më i shquar në ligën spanjolle, me 27 gola në 30 ndeshje.

Pastaj, Di Stefano u bashkua me klubin "Los Millonarios", ku shënoi gjithsej 267 gola gjatë qëndrimit të tij të shkurtër, para se të nënshkruante kontratën me "Realin" e Madridit, për 70 000 paundë, një ndër shumat më të mëdha jo vetëm për "Realin", por edhe çdo klub tjetër në atë kohë. Por sigurisht kjo ishte një marrëveshje shumë e mirë për këtë klub. "Reali" i Madridit fitoi ligën spanjolle po atë sezon, gjë që shtroi rrugën për mbretërimin evropian të merengëve.

Kupa Evropiane, e nisur në sezon 1955/6, mund të quhej krejtësisht "Kupa e 'Realit' të Madridit" në vitet e para. Në finalen e parë që u mbajt në Paris më 13 qershor 1956, "Reali" mundi "Remisin" e fuqishëm, klubin që kishte në gjirin e tij gjeninë francize Raymond Kopa.

Në vitin pasardhës, i përforcuar tashmë edhe me ardhjen e Kopas, "Reali" i Madridit mundi "Fiorentinën" 2 me 0, duke e mbajtur kështu prapë trofeun. "Milani" ishte viktima e radhës pas një viti, në një ndeshje që "Reali" e fitoi 3 me 2 pas kohës shtesë.

"Reali" i Madridit e fitoi prapë edhe dy herë të tjera me radhë Kupën Evropiane, duke mundur fillimisht "Reimsin" 2-0 në Shtutgart, kurse pas një viti, në 1960, në "Park Hampden" të Gllasgout, "Ajntrahtin" e Frankfurtit 7 me 3.

Ky ishte përfundimi i raundit të suksesit të "Realit" të Madridit në Kupën Evropiane,sukses që do të rifillonte vetëm në fund të viteve '90 të shekullit të kaluar. Di Stefano shënoi golat në pesë finalet e njëpasnjëshme dhe ishte kyçi për triumfin e "Realit" në të gjitha finalet. Në vitin 1960, ai e ndihmoi gjithashtu "Realin" e Madridit të fitonte për herë të parë Kupën Ndërkontinentale, duke mundur "Penarolin" e Uruguait.

Kur luante për los blancos, Di Stefano fitoi gjithashtu çmimin "Futbollisti Evropian i Vitit" në 1957 dhe 1959.

Di Stefano përfaqësoi tre vende gjatë karrierës së tij. Ai ka luajtur për Argjentinën, Kolumbinë dhe Spanjën. Karriera e tij ndërkombëtare nisi kur ishte 21 vjeç, i përzgjedhur për të luajtur me përfaqësueses e Argjentinën në "Copa America", ose Kampionatin e Amerikës së Jugut në vitin 1947. Ai u shndërrua menjëherë në një yll, duke shënuar 6 gola dhe duke e çuar Argjentinën në fitoren e titullit.

Kur ishte në mërgim në Kolumbi, Federata e Futbollit e Kolumbisë i kërkoi të luante për ekipin kombëtar. Di Stefano pranoi dhe kështu Kolumbi u bë ekipi i tij i dytë përfaqësues ku luajti, por vetëm për katër ndeshje. Kur ishte në Spanjë, Di Stefano e konsolidoi vendin e vet në skenën ndërkombëtare, duke shënuar 23 gola në 31 ndeshje për atdheun e tij të ri.

Nëse ka një arsye pse Alfredo Di Stefano nuk njihet më mirë për arritjet e tij madhështore dhe si një sfidues i Peles për titullin e futbollistit më të mirë në botë është kjo: Di Stefano kurrë nuk ka luajtur në finalet e një kupë bote të FIFA-s.

Është e vështirë të krahasosh futbollistët. Por nëse flet me ata që e kanë parë Di Stefanon të luajë, atëherë ata mund të të thonë se ai ka qenë lojtari më i mirë dhe më i gjithanshën në fushën e futbollit.

(Wang Xianya)