Më 15 korrik mbyllet në Moskë Kupa e Botës në futboll. Ekipi i vendit organizator, Rusisë, bëri një paraqitje mbresëlënëse në këtë botëror, duke vijuar traditën e mirë të futbollit të ish-Bashkimit Sovjetik, që ka nxjerrë një numër emrash të shquar. Lev Jashini pa dyshim është jo vetëm më i madhi prej këtyre emrave, por ai vlerësohet edhe si portieri më i mirë i të gjitha kohërave. Fotografia e tij është vendosur në posterin e Kupës së Botës të këtij viti si simbol i futbollit rus dhe si një prej futbollistëve më të mëdhenj në histori. Ai e revolucionarizoi pozicionin e portierit, duke qenë i vetmi mbrojtës i portës deri më sot që ka fituar çmimin "Topi i artë". Për aftësitë e tij të jashtëzakonshme dhe uniformën e zezë që vishte gjithmonë, ai është quajtur edhe "Merimanga e zezë" dhe "Pantera e zezë".

 

​Lev Jashini ka lindur në Moskë në vitin 1929. Për shkak të Luftës së 2-të Botërore, në vitin 1941 familja e tij u largua nga Moska, për t'u rikthyer tre vjet më pas.

Lev Jashini filloi punë në një fabrikë dhe nisi të luajë në kohën e lirë me ekipin e futbollit të fabrikës. Në vitin 1949 ai u zbulua nga "Dinamo" e Moskës dhe filloi të luajë me ekipin e të rinjve të këtij klubi. Një vit më pas Jashini kaloi me fut në ekipin e të rriturve, por i mërzitur që i duhej të rrinte pothuajse gjithmonë në stol, mori vendimin për të kaluar si portier po me "Dinamon" e Moskës, por në një tjetër sport popullor në Bashkimin e atëhershëm Sovjetik, hokej në akull.​

Në vitin 1953 "Dinamo" fitoi Kupën e Bashkimit Sovjetik në hokejin në akull dhe Jashini ishte kandidat për ekipin kombëtar, por duke përfituar nga fakti që dy portierët e ekipit të futbollit të "Dinamos" u larguan atë vit, Jashini u rikthye aty, këtë herë për të qenë titullar. Dhe nuk do t'i zhgënjente trajnerët. Falë edhe tij, "Dinamo" e Moskës atë sezon fitoi si kampionatin, edhe kupën e Bashkimit Sovjetik. ​Kjo i siguroi Jashinit një vend në ekipin kombëtar, vend të cilin do ta mbante për më shumë se dhjetë vjet. ​

Jashini e arriti triumfin e vet të parë ndërkombëtar në vitin 1956, kur Bashkimi Sovjetik fitoi turneun e futbollit në Lojërat Olimpike të Melburnit. Katër vjet më pas, me Jashinin si mbrojtës të portës, ekipi sovjetik fitoi kampionatin e vet të parë europian, që atëherë quhej Kupa Europiane e Kombeve. ​

Jashini mori pjesë në katër kupa bote në futboll, gjatë të cilave rezultatin më të mirë e pati në vitin 1966, kur ekipi i tij u rendit në vendin e katërt. Në botërorin e fundit ku mori pjesë, atë të vitit 1970, Lev Jashini ishte 40 vjeç. Po atë vit ai e la futbollin, pasi kishte fituar edhe titullin e pestë kampion i Bashkimit Sovjetik me ekipin e "Dinamos" së Moskës, ndërkohë që me këtë ekip fitoi dhe tre kupa të Bashkimit Sovjetik. ​

Në vitin 1963, "Pantera e zezë" siç kishte nisur të quhej, fitoi "Topin e artë", i pari dhe i vetmi portier deri tani që e ka marrë këtë trofe. Ndërkohë në vitin 1999 ai u shpall "Portieri më i mirë i shekullit të 20-të", që për shumë në të vërtetë është e barasvlershme me "portieri më i mirë i të gjitha kohërave".​

Por më shumë se trofetë, ndihmesa më e madhe e Lev Jashinit për futbollin do të ishin ndryshimet që i bëri ai rolit të portierit, të cilat sot i marrim si të mirëqena. Jashini quhet edhe si "krijuesi i portierit modern". Për shembull, në kohën e Jashinit shumica e portierëve, pasi e pritnin topin, e godisnin atë pa ndonjë objektiv, kurse Jashini nisi t'ua pasonte shokëve të ekipit, ose ta shkelmonte me saktësi për të nisur një kundërsulm. ​

Një tjetër shpikje e Jashinit ishte dalja e portierit jashtë zonës së rreptësisë, për të qenë pjesë aktive në ndërtimin e aksioneve të skuadrës. Ai po ashtu ishte i pari që futi grushtimin e topit për ta nxjerrë jashtë zonës së rreptësisë, në vend që të përpiqej për ta pritur atë, gjë që mund të ishte më e rrezikshme.​

Përveçse krijues risish taktike, Jashini ishte gjithashtu një portier me reflekse të shkëlqyera, që e mbajti rrjetën të paprekur për një rekord prej 270 ndeshjesh. Për të vlerësuar shkallën e këtij rekordi, mjafton të thuhet se asnjë prej portierëve të sotëm rusë nuk ka arritur 100 ndeshje pa pësuar gol, ndërkohë që edhe shumë pak prej portierëve të vendeve të tjera e kanë arritur një gjë të tillë. ​Lev Jashini po ashtu priti një numër rekord prej 150 penalltish, duke u bërë "tmerri" i futbollistëve që gjendeshin përpara tij nga pika e bardhë.

Në vitin 1971, 100 mijë tifozë ndoqën ndeshjen e lamtumirës të Lev Jashinit. Ekipi kundërshtar përbëhej nga legjenda të futbollit, si Pele, Eusebio, Bobi Çarltoni, Gerd Myleri dhe Franc Bekenbaueri, gjë që dëshmon madhështinë e Lev Jashinit. ​Pas lënies së sportit, ai punoi si trajner për të rinjtë. ​

"Pantera e zezë" u nda nga jeta në vitin 1990, në moshën 60 vjeç.​ Për legjendën e portës u organizua një funeral shtetëror. Nga viti 1994 deri në vitin 2006, çmimi i portierit më të mirë të Kupës së Botës u quajt "Çmimi Lev Jashin". Në vitin 1997 klubi i "Dinamos" së Moskës ngriti një shtatore në nderim të lojtarit të vet më të madh të të gjitha kohërave. ​ (Artan Goga)