Nga 26 mars deri më 1 prill në kryeqytetin e Rumanisë Budapest organizohet Kampionati Europian i Peshëngritjes, i cili më parë ishte planifikuar të zhvillohej në Tiranë, ashtu si në vitin 2013. Peshëngritësit shqiptarë kanë marrë një numër medaljesh në kampionatet europiane të peshëngritjes, me peshëngritës të tillë si Erkand Qerimaj, Romela Begaj, Daniel Godelli etj. Spikat veçanërisht viti 2014, kur në peshën deri në 77 kilogramë, dy peshëngritësit shqiptarë Erkand Qerimaj e Daniel Godelli morën përkatësisht medaljen e artë dhe të argjendit në dygarësh, duke konkurruar deri në fund me njëri-tjetrin dhe duke lënë pas me një diferencë të madhe konkurrentët e tjerë.

Qemiraj e Godelli janë pa dyshim vijues të traditës së shkëlqyer shqiptare të peshëngritjes, me emra të tillë të mëdhenj si Ymer Pampuri, Aleksandër Kondo, Mirjan Hakani, Ilir Suli etj. Edhe ai që vlerësohet si një prej tre peshëngritësve më të mëdhenj në histori, Pirro Dhima, ka dalë nga shkolla shqiptare e peshëngritjes, megjithëse kulmin e karrierës së vet dhe suksesin më të madh ndërkombëtar do t'i arrinte për ngjyrat e një vendi tjetër, Greqisë. Ai është fituesi i tre medaljeve të arta olimpike dhe i tre titujve kampion bote, si edhe një herë kampion Europe.

Pirro Dhima ka lindur në Tiranë në vitin 1971, në një familje me origjinë nga Himara. Peshëngritjen e filloi në moshën 11-vjeçare, ndërsa në moshën 14-vjeçare hyri në ekipin e të rinjve të "17 Nëntorit" (sot "Tirana"), me trajner Zef Kovaçin. Në vitin 1986 Pirro Dhima shpallet kampion për të rinj në peshën deri në 60 kg, si në stilin e shtytjes e atë të shkëputjes, edhe në dygarësh. Një vit më pas, shpallet përsëri kampion i trefishtë, këtë herë në peshën deri në 67.5 kg, dhe ndonëse në moshën 16-vjeçare, që prej atëherë u lejua të konkurrojë dhe në garat për të rritur. Dhe kështu në sezonin e ardhshëm, Pirro Dhima shpallet nënkampion në peshën deri në 70 kg, ndërkohë që për të rinjtë triumfon përsëri në të tre kategoritë. Në turneun ndërkombëtar të të rinjve në Selanik Dhima merr medaljen e artë. Në vitin 1989 18-vjeçari i atëhershëm u shpall kampion i trefishtë në peshën deri në 82.5 kg, duke thyer rekord kombëtar. Po fitore të trefishtë do të arrinte ai edhe në kampionatin ballkanik në Jugosllavi, ndërsa Shqipëria zë vendin e parë. Ndërkohë po në vitin 1989 Pirro Dhima mori pjesë në Kampionatin e 62-të Botëror të Peshëngritjes në kryeqytetin grek Athinë, ku u rendit i 12-ti, me gjithë moshën e vet të re, ndërsa Shqipëria e 13-ta.

Në vitin 1990 Pirro Dhima doli përsëri kampion kombëtar në peshën deri në 82.5 kg, ndërsa në Kampionatin Europian në Alborg të Danimarkës zë vendin e katërt. Ekipi shqiptar renditet i treti në këtë veprimtari, pas Bashkimit Sovjetik dhe Bullgarisë. Federata Europiane e Peshëngritjes u dha Pirro Dhimës dhe dy peshëngritësve të tjerë shqiptarë titullin "Mjeshtër i Europës në peshëngritje", ndërsa në Shqipëri 19-vjeçari merr titullin "Mjeshtër sporti".

Po atë vit në kampionatin ballkanik në Korçë, Pirro Dhima fiton përsëri tre medalje ari, kurse Shqipëria përsëri siguron vendin e parë. Rreth dy muaj më pas Pirro Dhima arrin një tjetër fitore të trefishtë në Kupën Ndërkombëtare në Turqi, kurse në dhjetor 1990, po në Turqi, në Kupën e Evropës për Kombet, Shqipëria renditet e dyta, falë Pirro Dhimës e peshëngritësve të tjerë, si Luan Shabani e Fatmir Bushi.

Por në vitin 1991, kur në Shqipëri filloi largimi masiv jashtë vendit, ndër të tjera edhe i sportistëve, Pirro Dhima emigroi në Greqi. Pas një viti ai mori nënshtetësinë greke dhe përfaqësoi Greqinë në Olimpiadën e Barcelonës, duke fituar medalje të artë, në peshën deri në 82.5 kg. Ai do ta përsëriste një sukses të tillë edhe në dy olimpiada të tjera me radhë, atë të Atlantës në vitin 1996, ku theu edhe dy rekorde botërore, si edhe të vitit 2000 në Sidnei, në peshën deri në 85 kg. Kështu Pirro Dhima u bë peshëngritësi i tretë që kishte fituar tre medalje të arta olimpike. Ndërkohë, në vitin 2004, në Olimpiadën e Athinës, ai ishte përsëri flamurmbajtësi i delegacionit grek, ashtu si edhe në Sidnei, po arriti të fitonte vetëm medaljen e bronzit. Kjo shënoi edhe fundin e karrierës së shkëlqyer të peshëngritësit të formësuar në shkollën e madhe shqiptare të peshëngritjes, karrierë gjatë së cilën ai po ashtu fitoi edhe tre tituj kampion bote dhe një titull kampion Europe.

Në vitin 2008 Pirro Dhima u caktua president i Federatës Greke të Peshëngritjes. Ndërkohë, vitin e kaluar ai u bë drejtor teknik në Federatën e Peshëngritjes të ShBA-së. Në fjalën e mirëseardhjes, presidenti i kësaj Federate Phil Andrews u shpreh: "Jam i kënaqur që kemi në ekip Pirron, një nga personalitetet më të respektuara në botë në fushën e peshëngritjes, jo vetëm për arritjet e tij, po edhe për kontributin në sport në përgjithësi."