Shëndeti përbën kryefjalën e ekzistencës së çdo individi, ndërsa në kushtet aktuale të përballjes me pandeminë mbi dyvjeçare të koronavirusit është bërë edhe prioritet i autoriteteve shtetërore në mbarë botën. Edhe autoritetet shqiptare po punojnë dita-ditës për krijimin e një infrastrukture shëndetësore sa më efikase, duke hartuar strategji afatgjata. Ditët e fundit në Tiranë u prezantua nga autoritetet e larta shëndetësore Strategjia Kombëtare e Shëndetësisë 2021-2030.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, duke prezantuar këtë strategji u shpreh se në thelb të filozofisë së strategjisë është mbulimi shëndetësor universal. Sipas saj " Strategjia e Shëndetësisë 2021-2030 është një dokument strategjik që reflekton programin qeverisës “Shqipëria ‘20-‘30”, duke e vlerësuar shëndetin si pjesë të politikave ndërsektoriale”.

Kreu i shëndetësisë shqiptare, duke vënë theksin tek Programi i Mbulimit Universal Shëndetësor, tha se objektivi që reflektohet në këtë strategji është që të arrihet në një financim publik mbi 70% e shpenzimeve për shëndetin.

" Objektivi ynë është që të financojmë mbi 70% të shpenzimeve për shëndetin nga financimi publik. Këtu përfshijmë investimin në programet e shëndetit publik, duke e konsideruar financimin si një investim dhe jo shpenzim. Të flasësh për mbulim shëndetësor universal do të thotë që të garantosh shërbime të aksesueshme, cilësore, të garantosh që ata që marrin shërbime të mos kalojnë në vështirësi financiare për shkak të kostove të papërballueshme", tha Manastirliu.

Në strategjinë kombëtare një vemendje e veçantë i është kushtuar dhe investimeve në shëndetësi. Lidhur me këtë ministrja e shëndetësisë u ndal tek investimi në burime njerëzore.

“Me mësimet e mësuara nga pandemia u vu edhe një here në fokus rëndësia e investimeve tek burimet njerëzore, tek mjekët dhe infermierët që janë zemra e sistemit tone. Jo vetëm i kemi mbështetur mjekët dhe infermierët tanë nëpërmjet rritjes së pagave 40%, por edhe këtë mandat, deri në 2025, do të rriten sërish me 40% pagat, duke filluar nga 2022 e kështu ne do të vijojmë të projektojmë edhe në këtë strategji, rritjen e pagave dhe incentivave financiare për mjekët dhe infermierët", tha Manastirliu.

Sa i përket fuqizimit të sistemit shëndetësor dhe shërbimeve, kreu i bluzave të bardha tha se procesi për fuqizimin e shërbimit spitalor afër vendbanimit do të vijojë me krijimin e 4 poleve spitalore në vend dhe gjithashtu do të nisë implementi i autonomisë spitalore.

"Fuqizimi i shërbimit spitalor afër vendbanimit është një proces i pakthyeshëm. Do të mbetet në fakt një element thelbësor i kësaj strategjie. Synojmë të krijojmë 4 pole të ofrimit të shërbimit të specializuar, për t’iu përgjigjur padyshim edhe ndryshimeve demografike por edhe duke sjellë risi në administrimin spitalor. Këtu dua të përmend autonominë spitalore. Një model të ri të administrimit që ne duam të injektojmë në sistemin tonë spitalor. Modeli i autonomisë spitalore do të vijë si një instrument në ligjin e ri për shërbimin spitalor, një ligj i cili tashmë është finalizuar dhe konsultuar me grupet e interesit", tha Manastirliu.

Strategjia e Shëndetësisë 2021-2030 është hartuar nga ekspertët më të mirë vendas, me asistencë ndërkombëtare. Prezantimi i draftit të strategjisë u diskutua me grupet e interesit, përfaqësues të stafeve mjekësore, shoqatat e pacientëve dhe partnerët ndërkombëtarë. Pesë objektivat kryesore të Strategjisë 2021-2030 janë: Investimi në shëndetin e njerëzve gjatë gjithë ciklit të jetës; mbulimi shëndetësor universal; fuqizimi i sistemit të integruar shëndetësor; fuqizimi i reagimit të sistemit ndaj emergjencave dhe shëndetësia digjitale. Në prezantimin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 morën pjesë përfaqësues të mjekëve dhe infermierëve, përfaqësues të OBSH, organizmave të OKB në Shqipëri, partnerët ndërkombëtarë dhe grupet e interesit.

Eda Merepeza