Pandemia e koronavirusit që prej më shumë se një viti është realitet i qytetarëve në mbarë botën po ndikon në shëndetin mendor të popullsisë. Fillimisht ishte frika ndaj vrusit të panjohur që po shkaktonte viktima kudo në rritje në botë, më pas karantina dhe izolimi social shtuan gjendjen e pasigurisë dhe të ankthit te çdonjeri prej nesh. Në vijim u shtua ankthi për kalimin e sëmundjes në gjendje të lehtë në banesë, apo në spital, shoqëruar kjo dhe me ankthin se si do ta kalonin infektimin prindërit, të afërmit, por edhe të rinjtë. Aktualisht sipas deklaratave të mjekëve shqiptarë pas një viti nën pandemi 1 në 2 persona po përjetojnë ankth për shkak të frikës nga virusi dhe pasojave që mund të shkaktojë ai.

Format e stresit po shfaqen në mënyra të ndryshme, por mjekët kanë vënë re rritje të rasteve që kanë nevojë për trajtimin me medikamente.

Mjekja psikiatre Arjana Rreli në një intervistë televizive ka komentuar ndikimin e pandemisë në personat me probleme mendore. Rreli tha se situata stresante është rritur ndjeshëm edhe në intensitet, ndërkohë që për këtë ka ndikuar edhe fakti që virusi ka pësuar mutacione.

Psikiatrja Rreli ka thënë se koronavirusi shkakton pasoja në sistemin nervor të të prekurve: “Koronavirusi ka një ndikim të drejtpërdrejtë në tru, duke krijuar jo vetëm dëmtime, siç është iktusi, që është një sëmundje neurologjike, por dhe çrregullime madhore të humorit apo çrregullime të mendimit si deluzionet dhe psikozat”, tha psikiatrja.

Në këtë periudhë gjendje të rënduara psikologjike po konstatohen te pacientët e shtruar në spitalet Covid. Ervin Hajdaraga, një nga psikologët që shërben në Spitalin Infektiv, tregon se të sëmurët kalojnë stres para se të shtrohen në spital. Ndërsa gjatë trajtimit u shtohet frika për jetën dhe e kanë të nevojshme praninë e psikologut.

“Kanë pagjumësi, mbartin stres para se të vijnë në spital dhe kjo sjell një gjendje shumë të rënduar. Por, me kalimin e ditëve kanë nevojë të flasin dhe kjo bën që ata të shkarkojnë emocionet”.

Specialistët e shëndetit mendor bëjnë thirrje që qytetarët vizitat te psikologu apo mjeku psikiatër t’i konsiderojnë normale, veçanërisht këtë periudhë. Për shkak të ngarkesës së ankthit dhe stresit për fat të keq në Shqipëri janë shënuar dhe vetvrasje, siç ishte rasti i dy pacientëve të shtruar në Sanatorium, të cilët në gjendje të rënduar psikologjike i kanë dhënë fund jetës.

Covid-19 ka ndikuar në shëndetin mendor të stafit mjekësor që përballet me mbingarkimin e sistemit shëndetësor, në shëndetin mendor të individëve që tashmë janë rikuperuar nga virusi, të familjarëve të tyre, por ndikim edhe më të madh të atyre që humbën njerëzit e dashur në luftën me virusin.

Eda Merepeza