Shpenzimet e qytetarëve që e kanë kaluar koronavirusin duke u mjekuar në shtëpi janë një tjetër shqetësim për ta, krahas gjendjes shëndetësore. Një vendim i mirëpritur nga opinioni pubik shqiptar ishte urdhëri i publikuar më 19 nëntor sipas të cilit të gjithë të prekurit me COVID-19 dhe që kanë një gjendje të lehtë deri të mesme të sëmundjes do të ndiqen në banesë dhe do të përfitojnë rimbursimin e ilaçeve dhe vitaminave në vlerën e 1650 lekë deri në 10900 lekë.

Sipas urdhërit janë të përcaktuar edhe barnat për trajtim. Për të prekurit në formën e lehtë, Paracetamol, Aspirinë, Ibuprofen, Vitaminë C dhe D, Azithromycinë, Levofloxacin. Ndërsa një rast i moderuar përveç antibiotikëve dhe vidaminave mund të marrë edhe Azithromycinë 250 mg, Levofloxacin 500mg, Vitamina, Dexamethason 0.5 mg, Apixaban 5 mg, Rivaroxaban 15 mg. Dy të fundit merren vetëm në rastin kur personi i prekur me COVID-19 ka sëmundje bashkëshoqëruese.

Të dy skemat e trajtimit të pacientëve me COVID do të përfitojnë ilaçe falas vetëm për një muaj.

Një rol të rëndësishëm në këtë procedure luan mjeku i familjes, i cili pasi të ketë zgjedhur kategorinë Sars-cov 2 si dhe diagnozën COVID-19 forma e lehtë ose e mesme, sipas udhëzimit mbi ndjekjen në shtëpi të rasteve me infeksionin e COVID-19 bën përshkrimin e barnave siç përcaktohet në udhëzim. Kohëzgjatja maksimale e trajtimit është përcaktuar më shumë se 1 muaj dhe nuk duhet të kalojë vlerën e rimbursimit të përcaktuar nga vendimi i Këshillit të Ministrave.

Mjeku i familjes Gëzim Bregu

Gëzim Bregu, mjek pranë Qendrës Shëndetësore nr. 6 në Durrës ka sqaron procedurën e rimbursimit 100% falas për qytetarët e diagnostikuar me COVID-19, përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me mjekun e familjes.

Mjeku i familjes kontakton me epidemiologun, merr të dhënat e pacientit, emër, mbiemër, atësi, numër telefoni dhe të dhënat e shtëpisë dhe referohet për tampon. Nëse tamponi del pozitiv, pacienti karantinohet në shtëpi dhe në këtë moment të gjitha kontaktet i mban me mjekun e familjes. Njëkohësisht këtu fillon edhe ndjekja e tij rigoroze të bazuar tek shenjat, tek zhvillimi i sëmundjes me të gjitha shenjat e saj: temperatura, këputja, djersa, lodhja, kolla dhe në bazë të trajtimit të qeverisë, pacienti merr edhe trajtimin me barna më rimbursim me listën që janë përcaktuar”, sqaron mjeku Bregu.

Me sistemin elektronik në rrjetin e qendrave shëndetësore, barnat e rimbursueshme tërhiqen direkt në farmaci, me kodin që dërgohet nga mjeku i familjes.

Mjeku i familjes vlerëson gjendjen e të sëmurit, pra e ndan në formë të lehtë, të mesme apo nëse është formë e avancuar dhe pacienti trajtohet falas. Procedura për dhënien me rimbursim të barnave të grupit të pacientëve që janë me Covid, është e njëjta procedurë që bëhet edhe për rimbursimin e barnave të tjera. Për të marrë recetat me rimbursim ku janë barnat, është kodi 1009, 1010 për Covid stad i parë, stad i dytë, i tretë dhe më pas gjenerohet receta me ilaçet përkatëse", shprehet Bregu.

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi fondin prej 1.2 miliardë lekësh për kurimin e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Ministrja e shëndetësisë Manastirliu

Ministrja e shëndetësisë Manastirliu

Deputeti Anastas Angjeli e cilësoi këtë si një lajm shumë të mirë për shqiptarët dhe deklaroi se, “duke parë situatën e krijuar prej COVID-19 dhe ndikimin e madh që ka, ne morëm në konsideratë futjen e paketës së ilaçeve për kurimin nga COVID-19 në paketën e ilaçeve të rimbursueshme. Nga përllogaritjet e bëra rezulton se nevojiten rreth 1.2 miliardë lekë për të rimbursuar ilaçet për kurim nga COVID për çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë”.

Angjeli po ashtu bëri të ditur se Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i është shtuar edhe fondi prej 1 miliard lekë për rritjen e pagesës së papunësisë, pasi jo vetëm kompensimi i ilaçeve, por edhe mundësia për të përballuar në këto kushte jetesën është e domosdoshme.

Më herët kryetari i PD-së Lulzim Basha gjatë një takimi në një farmaci të Tiranës, u shpreh për propozimin që paketa e ilaçeve anticovid të rimbursohet totalisht. Basha tha se minimalisht kura për COVID-19 shkon 500 mijë lekë.

Për sa i përket paketës anticovid kemi 5 javë që e kemi propozuar dhe gjykojmë emergjente që të bëhet rimbursimi total, sepse këto çmime janë të papërballueshme. Besoj se nuk ka familje shqiptare që të përballojë çmime të tilla, për një të sëmurë minimalisht 500 mijë lekë, pa oksigjenin”, tha ai

Njëkohësisht qeveria ka miratuar edhe rritjen e pagave me 40% për mjekët, infermierët dhe laborantët nga 1 janari 2021.

Eda Merepeza