Miratimi nga Kina i vaksinës së parë të COVID-19 për përdorim publik më 30 dhjetor ishte një lajm i mirë për fillimin e Vitit të Ri. Por disa pyetje kanë lindur brenda dhe jashtë Kinës. Ja disa nga pyetjet më të zakonshme:

1. Nga vjen vaksina?

Vaksina e COVID-19 është krijuar nga një filial i gjigantit farmaceutik "Sinopharm" dhe mori një autorizim tregu me kusht nga Administrata Kombëtare e Produkteve Mjekësore e Kinës. Ajo është vaksina e parë kineze e COVID-19 që u miratua për përdorim të përgjithshëm publik.

2. Çfarë është autorizimi me kusht?

Autorizimi me kusht përdoret kur nuk ekziston trajtim i mundshëm efektiv për një sëmundje të rrezikshme për jetën, ose kur ka të dhëna klinike a detaje regjistrimi të paplota. Kjo nuk është një gjë e jashtëzakonshme. Edhe vaksina për HPV në Kinë është autorizuar me kusht dhe është aplikuar në Kinë për mbi dy vjet.

Vaksinat kanë nevojë edhe për rezultate të caktuara studimi klinik dhe të plotësojnë shumë kritere të tjera para miratimit me kusht për përdorim publik. Ato vëzhgohen me vëmendje dhe ndiqen të dhënat e provave klinike dhe bëhen studime të mëtejshme para se ato të autorizohen plotësisht.

3. Cila është epërsia e kësaj vaksine ndaj atyre ekzistuese?

Vaksina e "Sinopharm"-it është joaktive, që simbolizon se ajo nuk kërkon ngrirje ekstreme, duke e bërë më të lehtë ruajtjen dhe shpërndarjen në zonat fshatare dhe vendet në zhvillim.

Vaksinat e tanishme të "Moderna"-s dhe"Pfizer-BioNTech-ut" janë të dyja vaksina mRNA, që kërkojnë ruajtje në temperatura përkatësisht minus 20 dhe minus 70 gradë Celsius.

4. A është kjo vaksinë e sigurt?

Në bazë të të dhënave aktuale, kjo vaksinë është e sigurt.

Kina miratoi përdorimin emergjent të vaksinës së "Sinopharm"-it në korrik, dhe deri në fund të tetorit të vitit 2020, janë injektuar mbi 450 milionë doza të vaksinës dhe nuk janë raportuar efekte anësore serioze, sipas Zeng Yixin, zv.drejtori i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë në një konferencë shtypi më 31 dhjetor.

Mbi 60 000 veta me 125 kombësi në shumë vendet e kanë bërë vaksinën në provat klinike të fazës së 3-të, sipas Wu Yongling, presidenti i Grupit Kombëtar Bioteknologjik të Kinës, degë e "Sinopharm"-it.

5. Si janë efikasiteti dhe efektiviteti i saj?

Kjo vaksinë joaktive e miratuar ka pasur 79.34 % efikasitet kundër COVID-19, sipas rezultateve të përkohshme të fazës së 3-të të provave klinike. Kjo tregon se njerëzit që kanë bërë këtë vaksinë janë 80 % të mbrojtur nga infektimi, në krahasim me ata që nuk e kanë bërë vaksinën.

Efektiviteti, nga ana tjetër, merr parasysh rrethanat e botës reale, si shpejtësia e përhapjes së virusit, reagimet e ndryshme të sistemit imunitar individual, dhe nëse njerëzit janë ekspozuar më parë ndaj virusit. Efektiviteti është më i ulët se efikasiteti në përgjithësi.

6. A jam i mbrojtur përgjithmonë pas vaksinimit?

Jo, nevojitet përsëri ndërgjegjësimi për vetëmbrojtje.

Rezultatet e përkohshme të provave klinike të fazës së 3-të tregojnë një efikasitet prej 79.34 %, por kjo nuk është mbrojtje 100 %.

Edhe pas injektimit të vaksinës, duhet të vazhdojë mbajtja e maskave në vendet e mbushura me njerëz, larja e duarve rregullisht dhe mbulimi i gojës me bërryl kur teshtijmë etj.

7. Përse është falas për publikun në Kinë? Kush do të paguajë?

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë deklaroi në konferencën e shtypit më 31 dhjetor se vaksina e COVID-19 e miratuar do të jetë falas për publikun kinez. Politikat specifike pritet që të zbatohen në disa muajt e ardhshëm.

Sipas rregullave mbi vaksinat në Kinë, kur një vaksinë është përfshirë në Programin e Zgjeruar mbi Imunizimin (EPI), qeveria mbulon koston. Nëse ajo nuk është vaksinë e EPI-së, të vaksinuarit duhet të paguajnë.

8. Mund ta bëjë këtë vaksinë çdokush?

Kjo vaksinë u ofrohet me përparësi grupeve me rrezik të lartë, duke përfshirë punonjësit e zinxhirit frigoriferik, inspektorëve të kufirit, mjekëve, të moshuarve, njerëzve me sëmundje paraekzistuese, si dhe nëpunësve të shtetit, punonjësve të lagjeve dhe njerëzve që planifikojnë të udhëtojnë jashtë vendit.

Vaksininimi do të zgjerohet te popullata e përgjithshme pasi të publikohen planet specifike më vonë.

Por kjo vaksinë nuk mund të jetë për çdo njeri. Ata që shfaqin simptoma alergjike serioze pas injektimit të dozës së parë të vaksinës, duhet të shmangin dozën e dytë. (Xu Guang)