Mbarë bota është në pritje të vaksinës anticovid dhe bashkë me të dhe Shqipëria. Përballë sulmit të armikut të padukshëm që prej afro 10 muajsh ka gjunjëzuar botën, vaksina do të jetë çlirimi nga kjo gjendje që po shndërrohet në një nga katastrofat më të mëdha humanitare të njerëzimit. Tashmë Britania e Madhe deklaroi se mund të jetë e para që do të nisë vaksinimin e personave më të riskuar para Krishtlindjes, por dhe vende të tjera të botës po bëjnë gati vaksinimin.

Javën e fundit dhe çdo ditë e më shumë opinioni publik shqiptar po flet për vaksinën, si një shpëtimtare nga ankthi koronavirus, që sa vjen e shton fatalitetet dhe të prekurit.

Autoritetet mjekësore shqiptare këto ditë kanë qenë të pranishëm në thuajse të gjitha mediet, ku kanë folur për sigurimin e vaksinës antiCovid, ata që do ta përfitojnë fillimisht, e deri tek nevoja e kryerjes së vaksinës tek ata që tashmë e kanë kaluar virusin.

Shefja e Survejancës pranë Institutit shqiptar të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, deklaroi në një intervistë televizive se shpreson që në javët e para të janarit Shqipëria të jetë përkrah vendeve që do të aplikojnë vaksinën.

“Shqipëria, njësoj si vendet e tjera të anëtarësuara në rrjetin COVAX, ka pjesën e saj në dritaren e parë të programuar.

Shpresojmë që sa më herët, pavarësisht se shumë shtete po bëjnë kontraktimet me Pfizer dhe Modernën, të sjellim vaksinën”, -theksoi Tomini.

Ndërsa ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu foli në një emision televiziv më gjerësisht rreth marjes së vaksinën nga pala shqiptare si dhe strategjisë që po hartohet për administrimin e saj.

“Qeveria shqiptare përveç angazhimit të drejtpërdrejtë nëpërmjet opsionit që ka zgjedhur për parapagimin dhe burimin e 20 për qind mbulim të vaksinave antiCovid nëpërmjet instrumentit të Covax, nuk i ka ndalur punët në drejtim dhe të vlerësimit të ofertave apo negocimeve të tjera që ne mund të blejmë jashtë Covax-it, por dhe të negociojmë për oferta por dhe të tërhiqemi nga Covax, nëse gjejmë një opsion më të mire”, u shpreh kreu i Shëndetësisë, Manastirliu

Duke u ndalur te shpërndarja e vaksinave, ministrja Manastirliu bëri të ditur se

“Siç ka informuar dhe presidentja e Komisionit Evropian janë nënshkruar 5 kontrata me operatorë të ndryshëm që do të mundësojnë prodhimin e vaksinave. Sot nuk bëhet fjalë për doza sepse të parët që do të targetohen nga vaksina janë grupet e riskut. Ne kemi një strategji në raport me vaksinimin për popullatën, duke filluar nga personeli shëndetësor, mësuesit, punonjësit e policies. Ekspertët tanë të Institutit të Shëndetit Publik kanë vlerësuar që fillohet me 20 për qind. Strategjia jonë ka disa skenarë. Nëse do të jetë një vaksinë siç është ajo e Pfizer-it me ruajtje në -70 gradë që kërkon zinxhirin ftohës shoqërues, ne po plotësojmë të gjithë kuadrin e investimit sa I përket zinxhirit ftohës”, tha ministrja e Shëndetësisë.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj deklaroi se vaksina anti-covid do të mbërrijë në vendin tonë kur të nisë dhe shpërndarja nga OBSH, si për shumë shtete të tjera. Edhe mjeku Brataj në një emision televizic tha se si fillim do të mbulohet vaksinimi i 20 % i kategorive më në rrisk dhe më pas do të sigurohen dhe vaksina të tjera.

“OBSH ka pasur në vëzhgim të gjitha vendet, sidomos ato në zhvillim pasi dhe në bazë të varfërisë, është dhe niveli i moszbatimit të masave. Projekti Covax ka 176 shtete. Ka një përqindje të vogël që OBSH e ka në kontratë që iu çon për vaksinim për atë 20 % të popullsisë që janë më të rrezikuara. Pjesa tjetër është prenotimi. Kemi hyrë dhe të Covax dhe kemi paguar dhe 3.9 mln dollarë. Vaksina do të shpërndahet gjithandej në një përqindje, që të mbrohen fashat më në rrisk. Më pas do të vazhdojë si proces. Janë rreth 200 vaksina që po kalojnë provat finale”, tha Brataj.

Interesi i opinionit publik lidhet dhe me çmimin e vaksinës antiCovid. Për këtë është shprehur në një konferencë për shtyp kryeministri Rama sipas të cilit qeveria është duke menduar për një plan mbështetjeje për familjet në nevojë, sa i takon trajtimit për Covid-19.

“Edhe plani nga pikëpamja financiare është i shtrirë në kohë, shkon deri në dhjetorin e vitit të ardhshëm. Jemi tani duke u marrë që të kemi pjesë në marrjen e vaksinës në një kohë të shpejtë” tha Rama.

Pyetjes së gazetarëve rreth një date të saktë për mbërritjen e vaksinës antiCovid në Shqipëri, kreu i qeverisë Rama iu përgjigj se “Po përpiqemi që ajo të jetë e disponueshme për periudhën mars-prill-maj”

Kryeministri Rama vizitoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të sjellë sa më parë vaksinën anti COVID në Shqipëri.

"Sigurimi i vaksinës sa më parë është një prioritet i luftës sonë kundër Armikut të Padukshëm dhe s'do lemë gur pa luajtur që vaksina të fillojë të vijë sa më parë në Shqipëri!Kontakti sy më sy me prodhuesit e vaksinës i shërben këtij qëllimi. Rrugës për në Shtetet e Bashkuara!", shkruan Rama në Twitter.

Një lajm të mire kanë marë teleshikuesit gjatë një emisioni televiziv nga mjeku I njohur imunolog Genc Sulçebe sipas të cilit “personat që e kanë kaluar Covid-19 nuk kanë nevojë për vaksinën. Këta persona kanë antitrupa dhe kjo vërteton që janë imunë ndaj sëmundjes”.

Komisioni Europian ka porositur 400 milionë vaksina për Covid-19 nga kompania “AstraZaneca”, vaksina e së cilës është zhvilluar me Universitetin e Oksfordit dhe ndodhet në fazën e tretë të testimeve.

Një pjesë e këtyre vaksinave do t’ju dhurohet edhe vendeve me të ardhura të ulta dhe të mesme, thuhet në njoftimin për shtyp të KE-së.

Ndër përfitueset e vaksinave anti-COVID-19 dhuratë nga BE-ja është dhe Shqipëria pasi sipas klasifikimit të Bankës Botërore ajo dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor bën pjesë në vendet me të ardhura të mesme.

Eda Merepeza