Vaksinat kundër gripit sezonal, mbrojtje e shtuar edhe ndaj Covid 19

Jemi në nëntor dhe si çdo vit është periudha e vaksinimit të popullatës kundër gripit sezonal. Pavarësisht situatës pandemike, në pritje për vaksinën kundër Covid 19, të gjithë janë të interesuar për tu mbrojtur ndaj gripit sezonal, por dhe koronavirusit.

Në Shqipëri tashmë ka nisur nëpër qendra shëndetësore vaksinimi falas kundër gripit sezonal, të cilin e përfitojnë kategoritë e riskut. Lidhur me këto vaksina ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu informoi disa ditë më parë në media.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Instituti i Shëndetit Publik ka marrë masa për vaksinimin falas ndaj gripit të grupeve të rrezikuara, duke filluar në kohë vaksinimin falas fillimisht për personelin shëndetësor dhe të moshuarit, për të shmangur komplikacionet e gripit”, – tha Manastirliu.

Kreu i bluzave të bardha deklaroi se janë në dispozicion të grupeve më të rrezikuara 368 mijë vaksina falas kundër gripit sezonal. Ndër të tjera ajo bëri të ditur se “një tjetër investim i rëndësishëm me fondet e buxhetit të shtetit për ruajtjen dhe sigurinë e vaksinave është edhe pajisja e 50 qendrave shëndetësore në vend me frigoriferë të rinj, të certifikuar, sipas standardeve, me qëllim rritjen e sigurisë së vaksinave të parakualifikuara dhe forcimit të zinxhirit ftohës, që përbën një hallkë të rëndësishme për ruajtjen dhe plotësimin me efektshmëri të procesit të vaksinimit”.

Vaksinat janë të dedikuara për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, duke përfshirë për herë të parë edhe fëmijët në moshën 2 deri 5 vjeç.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico bëri të ditur se “ këtë vit përveç shumëfishimit të numrit të vaksinave, duhet patur parasysh që për shkak të pandemisë dhe globalisht dërgesat e vaksinave bëhen me porcione dhe pala shqiptare tashmë ka siguruar pjesën e pare të vaksinave

Popullsia e ndodhur përballë rrezikut të infeksionit me virusin Covid 19 është mjaft e interesuar për të kryer vaksinimin ndaj gripit sezonal.

Specialistja e programit kombëtar të vaksinimit në Institutin e Shëndetiti publik, Iria Preza sqaron se kategoritë që e përfitojnë falas para se të paraqiten në qendrën shëndetësore duhet të kontaktojnë me mjekun e familjes ose pediatrin për të shmangur rradhët.

Personeli shëndetësor, penisonistët, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna, fëmijët 2-5 vjeç. Por edhe disa profesione si mësuesit edukatorët dhe punonjësit e rendit”, grupet e tjera të rrezikuara që mund të kryejnë vaksinat falas, sipas Institutit të Shëndetit Publik janë gratë shtatzëna, personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike si diabet, sëmundje kronike obstruktive pulmonare, sëmundje kronike të zemrës, veshkave, mëlçisë si dhe persona obezë apo me imunodeficiencë të të gjitha moshave.shprehet Iria Preza, specialiste e ISHP

Specialistët rekomandojnë që vaksina të bëhet nga e gjtihë popullsia duke nisur nga foshnjat 6 muaj e sipër pasi ndihmon edhe në kushtet e pandemisë së Covid 19.

Vaksina e gripit e këtij viti përmban 3 shtame të virusit Ah1N1, Ah2N3 si dhe të tipit B. Për shkak të pandemisë së koronavirusit ISHP ka mundësuar shtimin e numrit të vaksinave falas për shtresa të caktuara të popullsisë.

Ndryshe nga vitet e kaluara kur në këtë periudhë bëhej vaksina kundër gripit sezonal, sivjet për shkak të pandemisë Covid 19 me të drejtë shtrohet pyetja “A duhet të vaksinohet personat që e kanë kaluar koronavirusin?

Kësaj pyetjeje i përgjigjet specialistja e programit të vaksinimit pranë ISHP-së Iria Preza

Personat që e kanë kaluar Covid 19 mund të vaksinohen ndaj gripit, por duhet të jenë të shëndetshëm, të jenë në një stad që të kenë kaluar minimum 3 javë nga momenti që e kanë kaluar Covid”, sqaron specialistja Preza.

Tashmë vaksinimi në qendrat shëndetësore ka nisur, ndërsa që nga fillimi i kësaj jave farmacitë janë furnizuar me vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të blihen privatisht nga pjesa tjetër e popullsisë.

Eda Merepeza