-A kërkon MTK-ja një kohë më të gjatë për të vepruar?

Specialisti: Mjekësia kineze ka epërsi në lehtësimin e simptomave të shoqëruara si pasojë e sëmundjeve kronike si diabeti dhe kanceri dhe është një trajtim shumë i mirë i gjendjeve akute. Ashtu si mjekësia perëndimore, periudha e veprimit varet nga kushtet individuale. Sëmundjet kronike kanë nevojë për një kohë më të gjatë trajtimi; për sëmundjet akute ose infeksionet, pacientët mund të shërohen në një periudhë të shkurtër.

- A janë të gjitha barnat e MTK-së të hidhura?

Specialisti: Jo. Për ta kuptuar më thjesht, shijet e mjekësisë kineze klasifikohen në pesë lloje ose "pesë shije": të athët (gjunjëza, mentja dhe lëvoret e mandarinës); e ëmbël (jamball, rrënjë kudzu, rrënjë astragalusi); e thartë (mjedra, kumbullat etj; e hidhur (luleradhiqe, krizantemë e egër etj) dhe e kripur (guaskat, algat e detit etj). Ekziston një marrëdhënie e ngushtë midis shijes së barnës dhe efektivitetit të saj.

1 Bimët e athëta kanë efektet e shpërndarjes dhe mirëqarkullimit të energjisë Chi dhe gjakut, të tilla si në rastin e problemeve të tretjes ose ato emocionale.

2 Bimët e ëmbla kanë një efekt tonifikues dhe përdoren për të lehtësuar gjendjet akute.

3 Bimët e tharta kanë efekte të mirë kundër djersitjes së tepërt, mungesës së vetpërmbajtjes.

4 Bimët e hidhura kanë veti ftohëse dhe pastruese. Prandaj, shumica e çajrave bimorë kundër etheve janë të hidhura.

5 Bimët e kripura ndikojnë në lehtësimin e nyjeve të kontraktuara. Bimët në këtë kategori përdoren kundër tumoret, problemeve abdominale etj.

-Çfarë është "gjendja e nën-shëndetshme"?

Specialisti: Kjo gjendje do të thotë që trupi është i pashëndetshëm, por nuk ka hyrë në fazën e sëmundjes. Për shembull, njerëzit ankohen shpesh për dhimbje koke, marrje mendsh ose lodhje; megjithatë ata i kanë të gjitha në normë parametrat pas një ekzaminimi mjekësor. Nga perspektiva e MTK-së, trupi po sinjalizon për një çekuilibër të forcave yin dhe yang, energjisë chi, gjakut dhe organeve të brendshme.

Në krahasim me njerëzit e shëndetshëm, njerëzit në një "gjendje nën-shëndetësore" kanë një normë më të lartë të zhvillimit të një sëmundje psikologjike ose fiziologjike. Prandaj, parandalimi dhe eliminimi i "gjendjes nën-shëndetësore" është kthyer në një nga detyrat më të rëndësishme në MTK. Për të parandaluar dhe trajtuar një gjendje të "nën-shëndetit", përveç vëmendjes për gjendjen e shëndetshme të trupit dhe mendjes së dikujt, të pasurit një dietë të duhur, gjumë të rregullt dhe një sasi të përshtatshme stërvitjeje, duhet gjithashtu të përpiqet të zbulojë nga se vijnë shqetësimet. "Gjendja nën-shëndetësore" në MTK klasifikohet sipas kategorive të mëposhtme:

 

Bllokim i energjisë chi në mëlçi;

Mbilagështirë brenda trupit;

Mungesë energjie në zemër dhe shpretkë;

Mungesë energjie chi në mushkëri dhe shpretkë;

Nëse doni të kuptoni nëse keni ndonjë nga problemet e mësipërme një mjek i MTK-së do t’ju ekzaminojë pulsin, gjuhën, dhe do t’ju marrë në pyetje për problemin që keni dhe më pas do t’ju japë mjekimin e duhur bimor pa efekte anësore.

-A mund ta diagnostikojnë praktikuesit e MTK-së çdo sëmundje vetëm me anë të pulsit?

Specialisti: Ekzaminimi nëpërmjet pulsit të dorës ka një rol shumë thelbësor në diagnostikimin e sëmundjeve. Megjithatë, nuk mund të bazohemi vetëm tek pulsi pasi i ashquajturi “pulsi i kthyer’ është shenjë e një shtatzënie, por atë mund ta ndeshim edhe tek pacientët që kanë lagësht në zorrë dhe stomak.

Për të bërë një diagnozë të saktë, është e nevojshme të kombinohen katër metodat e diagnozës: (1) inspektimi - vëzhgoni çdo gjë të pazakontë në lidhje me pamjen e pacientit; (2) dëgjimi dhe nuhatja - dëgjoni zërin e pacientit dhe vini re se si ata nuhasin; (3) pyetje - pyetja e pacientit për historikun e tyre mjekësor dhe simptomat; dhe (4) pulsi - zbulimi i frekuencës së pulsit dhe natyrës së tij, si dhe duke shtypur lëkurën, duart, këmbët, kraharorin dhe zonat e barkut për të kontrolluar ndryshimet patologjike. Duhet pasur një pamje gjithëpërfshirëse e të gjitha simptomave dhe shenjave të trupit para diagnostikimit.

- Një mjek kinez mund të përdorë metoda të ndryshme e madje të japë barna totalisht të ndryshme për të njëjtën sëmundje. Si e shpjegoni këtë?

Specialisti: Para së gjithash, MTK-ja thekson veçantinë e secilit pacient në trajtimin e sëmundjes, kështu që sasia dhe përmbajtja e formulave të përdorura mund të rriten ose zvogëlohen sipas individit.

Së dyti, MTK-ja shikon atë që ne e quajmë sëmundje që përfaqëson tërë rrjedhën e ndryshimeve patologjike ndërsa një sindrom reflekton patologjinë e një sëmundjeje në një fazë të caktuar. Në MTK, një sindromë është një çekuilibër shenjash dhe simptomash që manifestohen në një fazë të caktuar të sëmundjes. Mjeku i MTK-së trajton një sindromë në vend të një sëmundjeje. Për shembull, ftohja e zakonshme ose gripi ka sindroma të ndryshme sipas MTK-së. Si rezultat, përdoren strategji të ndryshme terapeutike dhe receta të ndryshme te pacientë të ndryshëm; ky quhet trajtim i bazuar në diferencimin e sindromës.

-Bimët kineze thuhet se kanë 4 energji: të ftohta, të freskëta, të ngrohta dhe të nxehta. A mund të klasifikohet ushqimi ynë i përditshëm në të njëjtën mënyrë?

Specialisti: Ilaçet dhe ushqimet kanë origjinë të njëjtë dhe të dyja mund të përdoren si ilaçe. Prandaj, ushqimet gjithashtu mund të klasifikohen në energji të ftohtë, të freskët, të ngrohtë dhe të nxehtë. Në të vërtetë, shumica e ushqimeve kanë një natyrë asnjanjëse; megjithatë ushqime të caktuara kanë energji të ndryshme, për shembull, ushqime të ftohta përfshijnë rrënjë bambuje, banane, molusqe, gaforre, marule, hurmë, kripë, algë deti, kallam sheqeri, gështenja uji, shalqi dhe rrënjë lotusi; ushqimet e nxehta përfshijnë specat djegës, kanellë, xhenxhefil dhe qepë. Duhet të kuptojmë që energji të ndryshme veprojnë në trupin e njeriut në mënyra të ndryshme dhe ndikojnë në gjendjen e shëndetit. Nëse një person vuan nga reumatizma dhe dhimbjet e kyçeve në një ditë të ftohtë dimri, ngrënia e ushqimeve me energji të ngrohtë ose të nxehtë do ta lehtësojë dhimbjen në mënyrë të konsiderueshme. Ose nëse një person vuan nga probleme me lëkurën që përkeqësohen kur ekspozohen ndaj nxehtësisë, duhet të hani ushqim me energji të freskët ose të ftohtë për të lehtësuar simptomat.

-MTK-ja përdor bimët për të trajtuar sëmundjet. Cili është parimi i trajtimit të sëmundjes në mjekësinë kineze?

Specialisti: Ky është ndryshimi kryesor midis mjekësisë perëndimore dhe asaj kineze. Në përgjithësi, trajtimet e MTK-së përqendrohen në gjendjen e përgjithshme të trupit, në vend të përcaktimit të një patogjeni specifik. Ky fokus në gjendjen e përgjithshme të trupit bëhet sipas parimeve të përcaktuara.

Së pari, praktikuesit përcaktojnë natyrën e një sëmundjeje në yin, yang, të jashtme, të brendshme, të ftohtë, të nxehtë, mungesë dhe tepricë të cilat përmbledhin vendndodhjen dhe ndryshimet patologjike si dhe rrjedhën e sëmundjes. Pastaj ata përdorin veti të caktuara të një ilaçi të veçantë kinez, atë që ata e quajnë energji, aromë, lëvizje dhe veprim terapeutik në një meridian të caktuar për të hartuar formulat e duhura bimore. Çdo lloj i ilaçeve kineze ka një energji të veçantë: të ftohtë, të nxehtë, të ngrohtë dhe të freskët; gjithashtu ka një shije të veçantë: pikante, të ëmbël, të thartë, të hidhur, të kripur; ato gjithashtu kanë veti rritëse, zbritëse, qarkulluese etj për meridianët e tyre përkatës. Praktikuesit përdorin këto veti të bimëve për të nxitur vetë-shërimin e trupit, dhe për ta bërë trupin të rinisë ekuilibrin e tij. Natyra bimore e substancave është përcaktuar përmes përvojës së grumbulluar prej vitesh.

Bimët kineze mbështeten në vetitë e tyre unike për të kundërshtuar natyrën e kundërt të sëmundjes dhe për ta bërë trupin të zhvendoset në një ekuilibër të ri. Për shembull, bimët që mund të trajtojnë ose eleminojnë nxehtësinë kanë kryesisht natyrë të ftohtë ose të freskët. Bimët që mund të trajtojnë ose eliminojnë sindromat e ftohta kryesisht kanë një natyrë të ngrohtë ose të nxehtë, të tilla si xhenxhefili. Siç thuhet edhe në Librin Klasik të Mjekësisë Bimore “Shennong Bencaojing”, "Trajtoni sëmundjen e ftohjes me ilaçe të nxehta dhe trajtoni sëmundjet e nxehta me ilaçe të ftohta".

-Thuhet se barnat tradicionale kineze nuk kanë efekte anësore dhe përdorimi i tyre për një kohë të gjatë nuk dëmton shëndetin. Prandaj edhe nëse barna nuk përkon me simptomat, atëherë ato nuk shkaktojnë ndonjë dëm. Sa e vërtetë është kjo?

Specialisti: Në trajtimin e sëmundjeve, mjekësia kineze rivendos ekuilibrin yin-yang të trupit të njeriut përmes natyrave të tyre të ndryshme. Të gjitha ilaçet kanë natyrën e tyre të veçantë dhe një shkallë toksiciteti. Përdorimi pa kriter do të çojë në tepricë ekstreme të energjisë brenda trupit dhe do të prishë ekuilibrin yin-yang.