Foto:VCG

Foto:VCG

Sivjet është 25-vjetori i kthimit të Hong-Kongut në Kinë. Hong-Kongu, me famë ndërkombëtare, është i njohur si një ndër tre qendrat kryesore financiare të botës, bashkë me Nju-Jorkun dhe Londrën.

Edhe pse gjendja ndërkombëtare është e ndërlikuar dhe ka pasur ndryshime të mëdha, Hong-Kongu, me epërsinë e vet të veçantë, ka ruajtur zhvillimin e qëndrueshëm dhe stabilitetin afatgjatë. Në fakt, zhvillimi i Hong-Kongut nuk është një histori e shkurtër. Gjatë 100 vjetëve të zhvillimit, Hong-Kongu ka bërë zgjedhje të drejta në shumë momente historike dhe kjo është arsyeja përse ai është bërë “perla lindore” që “ndriçon në mbarë botën.

Mundësi perfekte për Britaninë e Madhe

Në kohën e lashtë, Hong-Kongu (që ka kuptimin “porti erëmirë”) quhej Hong-Kiang (“lumi erëmirë). Thuhet që në dinastinë Ming, Hong-Kongu ishte porti për transportin e lëndëve të drurit dhe erashkave të prodhuara në qytetin Dongguan të Kinës Jugore dhe qysh nga ajo kohë, emri i tij u bë i njohur gjerësisht dhe përdoret edhe sot.

Pas Luftës së Opiumit më 1840, Britania e Madhe sundoi portin e Hong-Kongut. Në atë kohë Britania, që kishte plan për zgjerim global, po kërkonte një port tregtar në Lindjen e Largët. Hong-Kongu ka një vendndodhje të mirë, duke lidhur Azinë Juglindore e Azinë Verilindore, dhe ujërat e tij nuk ngrijnë në të katër stinët dhe janë të thella. Qysh nga ajo kohë, Britania e deklaroi Hong-Kongun port të lirë dhe mallrat ndërkombëtare filluan të grumbulloheshin këtu.

Për shkak të luftërave në ato vite, shumë njerëz filluan të zhvendosen drejt krahinave jugore të Kinës dhe kjo ofroi mjaft krahë pune për Hong-Kongun. Për këtë arsye, popullsia e Hong-Kongut u rrit nga 33 mijë në vitin 1851 në 120 mijë më 1861, ndërsa në vitet ‘30 të shekullit XX u shtua në afro 1 milion. Gradualisht, Hong-Kongu zëvendësoi qendrën e Kinës Jugore, Guangzhou, duke u bërë porti kryesor për tregtinë e rieksportimit.


Foto:VCG

Foto:VCG

“Periudhë e artë” e zhvillimit të shpejtë

Për shkak të invazionit të ushtrisë japoneze dhe luftërave për çlirimin e vendit, Kina kishte mbetur në një gjendje me zhvillim të ngadaltë, por kjo ishte një periudhë e veçantë për zhvillimin e Hong-Kongut. Për shkak që ndodhet në jug të vendit dhe larg fushëbetejave, shumë njerëz dhe kapitale lëvizën drejt Hong-Kongut, për të gjetur një vend të sigurt.

Me sasi të madhe kapitalesh, pajisjesh, talentesh profesioniste dhe krahësh pune, Hong-Kongu nisi të zhvillohej shpejt.

Pas viteve të luftërave, Hong-Kongu ishte pothuajse porti i vetëm i Kinës që lidhej me botën e jashtme dhe gjatë 30 vjetëve pas Luftës së 2-të Botërore, afro një milion njerëz shkuan drejt Hong-Kongut. Me shtimin e madh të krahëve të punës, ekonomia hongkongase pati rritje të shpejtë, duke arritur në vitet ’60 të shekullit të kaluar në 12.7 %, ndërsa GDP-ja për frymë në 829 dollarë amerikanë.


Foto:VCG

Foto:VCG

“Perla Lindore” që bazohet te tregu gjigant

Më 1978 Kina filloi Reformën e Hapjen, duke i ofruar Hong-Kongut një rast të mirë zhvillimi. Tregu gjigant i pjesës kontinentale të Kinës me mbi 1 miliard banorë ishte një potencial i madh që ofronte jo vetëm krahë pune, por edhe kërkesa gjigante për tregti e investime. Krahas kësaj, një Kinë e hapur kishte nevojë për lidhje më të gjerë me botën dhe nëpërmjet Hong-Kongut, investimet e huaja të drejtpërdrejta u futën në pjesën kontinentale të Kinës. Ndër këto investime, kapitalet hongkongase renditeshin në vendet e para.

Me investimet e shumta nga jashtë, Kina pati zhvillim të shpejtë në sektorin e përpunimit dhe prodhimit. Më 1997, kur Hong-Kongu u kthye në atdhe, lidhjet tregtare dhe të investimeve mes tij dhe pjesës kontinentale u ngritën në një nivel të lartë rekord.

Me zgjerimin e mëtejshëm të investimeve, u krijua epoka e “Made in China” dhe me anëtarësimin e Kinës në OBT, tregu gjigant dhe prodhimi kolosal i pjesës kontinentale siguroi zhvillimin e mëtejshëm të Hong-Kongut, i cili realizoi me sukses modernizimin e zinxhirit të prodhimit, duke u shndërruar në një qendër ndërkombëtare financiare. Shumë kompani ndërkombëtare dhe grupe financiare e kanë zgjedhur tashmë Hong-Kongun për të vendosur selitë e tyre për Azi-Paqësorin.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kështu, me mbështetjen e fuqishme nga pjesa kontinentale e Kinës, Hong-Kongu është shndërruar me sukses nga një port tregtar në një metropol ndërkombëtar financiar.

“Treguesi i qendrave globale financiare” për marsin 2022 tregon që Hong-Kongu renditet në vendin e 3-të të qendrave globale financiare, pas Nju-Jorkut dhe Londrës. Në raportin e vlerësimit të FMN-së të publikuar më 8 mars 2022 pohohet edhe një herë statusi i Hong-Kongut si qendër kryesore financiare të botës dhe paraqitja e sistemit financiar të Hong-Kongut në kohën e pandemisë së COVID-19, duke vlerësuar lart sistemin e qëndrueshëm dhe elastik të shërbimeve financiare, makropolitikat efikase dhe kornizën e plotë mbikëqyrëse të Hong-Kongut.

Tani Hong-Kongu është jo vetëm një qendër financiare ndërkombëtare, por edhe një dritare e rëndësishme, ku Kina i tregon botës vendosmërinë e hapjes. Pas kthimit të Hong-Kongut më 1997, qeveria qendrore respekton lart të drejtën e vetëqeverisjes së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut sipas ligjit, vazhdon të mbështetë zhvillimin ekonomik të Hong-Kongut dhe inkurajon lidhjet tregtare ndërmjet Hong-Kongut dhe krahinave të brendshme, duke ofruar garanci të fortë për lulëzimin e vazhdueshëm të Hong-Kongut dhe duke i treguar botës epërsitë e politikës “Një vend, dy sisteme”. (Jiang Lei)


Për më shumë mbi Hong-Kong:

Hong-Kongu, “aventura” nga fshati i vogël në metropolin ndërkombëtar

Hong-Kong, arritje të mëdha bazuar tek epërsitë e veçanta

Hong-Kongu, rast historik për një të ardhme më të mirë